Bota

Zjarret në Turqi, shkon në 8 numri i viktimave! Dhjetëra fshatra të shkrumbuar, qindra të plagosur e mijëra familje të pastreha! Përpjekje për të shuar zjarret edhe në Itali dhe Greqi

2 Gusht 2021, 09:49| Përditesimi: 2 Gusht 2021, 11:14

  • Share

Prej më shumë se 5 ditësh vazhdon lufta për shuarjen e zjarreve në 6 provinca në Turqi. 8 persona kanë humbur jetën në përballje e flakët e ‘ferrit’ që kanë përfshirë vendin ndërkohë që janë plagosur të paktën 710 persona, 27 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë Bekir Pakdemirli, deklaroi se 119 nga 126 zjarret në 32 qytete janë vënë nën kontroll.

Gjithsej 16 avionë, nëntë dronë, 45 helikopterë, një helikopter pa pilot, qindra makina zjarrfikëse dhe ndërtimi dhe 4800 zjarrfikës janë angazhuar në shuarjen e zjarreve. Në terren prej disa ditësh janë edhe 100 zjarrfikës Azerbajxhanas , të cilët së bashku me vendasit janë në punë.

Ndërkohë që vazhdon puna për shuarjen e zjarreve në Manavgat, Antalia është marrë edhe një vendim evakuimi për qytetin Sırtköy. Ndërkohë që në fshatrat Kalemler dhe Evrenseki, ku zjarri nisi fillimisht. Në fshatrat e rrënuar, jo vetëm shtëpitë, por edhe jeta u bë hi. Fshati, ku pothuajse të gjitha shtëpitë janë shkrumbuar nga flakët, i ngjan më shumë një vendi të sapo dalë nga lufta. Ndërsa për fshatarët e pastrehë, e vetmja gjë që u ka mbetur janë kujtimet e atyre momenteve të ferrit, që u morën atyre çdo gjë, shtëpinë, kursime dhe disave edhe jetën.

Vazhdojnë përpjekjet për shuarje e zjarreve edhe në Greqinë perëndimore ku erërat e forta kanë ndikuar që zjarret të rezistojnë në fronte të shumta. Të paktën katër fshatra janë evakuuar pranë Patrës.

Sicilia po ashtu vazhdon të luftojë me zjarret e shumta që kanë përfshirë ishullin, një operacion që vështirësohet nga temperaturat e larta. Guvernatori kërkoi ndihmë nga Roma. Sipas policisë, më shumë se 800 zjarrfikës janë përfshirë në shuarjen e zjarreve.

Në Pescara, vendpushimi i njohur Pineta Dannunziana po ashtu po digjet. Shumë banesa u evakuuan, ndërsa ndihma e Forcave Ajrore ishte e nevojshme për shkak të përhapjes së zjarreve.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?