KORÇË – Në kuadër të “luftës” me zjarret në vend, Drejtori i Pergjithshem i Sherbimit Zjarrfikes, Arben Cara dhe Prefekti i Qarkut Korçë, zhvilluan ditën e sotme një takim me përgjegjësat e M.Z.Sh-ve dhe të Emergjencave Civile të bashkive të qarkut.
Pas takimit, Cara mbajti një konferencë për mediat, ku u dha përgjigje disa prej pyetjeve të gazetarëve.
Pjesë nga deklarata e Arben Carës:
Takimi i sotëm vjen në vazhdën e takimit që u zhvillua me Komitetin Drejtues, të drejtuar nga zëvendëskryeministrja shqiptare dhe nga të gjitha ministrat, prefektët dhe kryetarët e bashkive të zonave më të rrezikuara. Këto takime do të zhvillohen në të gjitha bashkitë, ku do të vazhdohet të kërkohet angazhim maksimal të të gjitha strukturave për të pasur një vëmendje më të shtuar, duke marrë shkas edhe nga temperaturat më të larta që ne kemi në ditët në vijim.
Pyetje: Nga se vjen reagimi i pakët i bashkive përsa i përket mjeteve dhe logjistikës?
Atëherë, nuk është pamjaftueshmëria e mjeteve, e pajisjeve, por është terreni i thyer që e bën të pamundur aksesimin e automjeteve për të menaxhuar vatrat e zjarrit. Gjithmonë flasim për rrugë, për automjete zjarrfikëse. Në çdo rast ku automjetet zjarrfikëse janë aksesuar, zjarret kanë qenë të menaxhuara në një kohë shumë të shkurtër.
Pyetje 2: A kanë reaguar bashkitë për të hapur rrugë në zonat me risk për të hyrë mjetet zjarrfikëse?
Kemi kërkuar që bashkitë të zbatojnë ligjin 152/2015, neni 9 e detyron kryetarin e bashkisë të marrë masa paraprake në çdo rast që të hapë rrugë kalimi për mjetet zjarrfikëse dhe të furnizojë automjetet zjarrfikëse me pajisjet e duhura, në mënyrë që ato të menaxhohen shumë më lehtë dhe në një kohë sa më të shkurtër.
Patjetër që ka pasur reagime nga kryetarët e bashkive, ka pasur investime nga kryetarët e bashkive, por jo vetëm, por ka pasur edhe donacione të ndryshme dhe investime në shërbimin zjarrfikës, por ka bashki ku buxheti është i pamjaftueshëm dhe në këtë rast është bërë kërkesë institucioneve qendrore për t’i suportuar me buxhet, në mënyrë që ata të arrijnë të bëjnë atë që duhet.
Pyetje 3: Në 6 bashkitë e qarkut Korçë, asnjë nga bashkitë nuk ka reaguar për hapjen e rrugëve malore?
Atëherë, shteti funksionon dhe investimet vijnë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile apo Drejtoria e Përgjithshme e MZSH-së. Kjo është pak e rëndësishme, pasi ne funksionojmë në bazë të ligjit 45 të Mbrojtjes Civile, ndërkaq ligji përcakton dhe vendos gjithçka në lidhje me emergjencat civile. Investimet kanë qenë hap pas hapi si në Bashkinë e Korçës dhe bashkitë e tjera.
Pyetja 4: Përsa i përket ndërhyrjes nga ajri në zonat malore të paaksesueshme për mjetet, edhe në juglindje është kryer ndërhyrje nga ajri. E kemi të pamundur të kemi mjete të tilla?
Nuk ka ndërhyrje me vonesë nga ajri, por ka ndërhyrje sipas vlerësimit që i bëhet situatës. Në çdo rast, situatat vlerësohen në bazë të riskut që zjarri ka në ato momente dhe që sjell në atë territor. Në çdo rast, ndërhyrja me mjete nga ajri ka qenë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile sipas rastit dhe vlerësimit që është bërë nga nivelet vendore e ato qendrore. Prefekti i qarkut, në çdo rast që ka bërë kërkesën, avionët dhe helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes kanë ardhur në ndihmë.
Është vënë në lëvizje edhe mekanizmi europian, ku është parë e arsyeshme që situata është kritike dhe nuk është e mundur të menaxhohet dot nga shteti shqiptar, dhe në këtë rast çdo gjë është normale që të punojmë me ndihmë nga mekanizmi, pasi të njëjtën gjë e bëjmë edhe ne – e japim këtë ndihmë nëse është e nevojshme në shtetet fqinje.
Komente
