Partia e Lirisë përsëriti sot thirrjen që qeveria të shpallë gjendjen e Emergjencës Kombëtare për situatën e zjarreve në Shqipëri.
Teksa renditi dëmet e shkaktuara nga veriu në jug me vatrat më problematike në Delvinë dhe Gramsh, anëtarja e Kryesisë në Partinë e Lirisë, Anisa Ibraj tha se “kjo nuk është fatkeqësi natyrore, por provë e dështimit të qeverisë”.
“Por mbi të gjitha, i bëjmë thirrje qeverisë të shpallë pa asnjë vonesë gjendjen e emergjencës kombëtare. Kjo është e vetmja mënyrë për të mobilizuar burime shtesë, për të kërkuar ndihmë ndërkombëtare dhe për të koordinuar një plan të centralizuar ndërhyrjeje në të gjithë territorin”, apeloi ajo mes të tjerash.
Autoritetet janë shprehur se nuk ka problematikë aq të rënduar sa të çojë deri te gjendja e jashtëzakonshme kombëtare. Opozita ka kërkuar edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, por sipas qeverisë grupet e punës dhe institucionet e linjës janë të gjitha në terren duke përballuar situatën.
Deklarata e plotë e Anisa Ibraj:
“Viti 2025 do të mbahet mend si viti kur Shqipëria u dogj dhe shteti dështoi ta mbrojë. Nga veriu në jug, flakët kanë përpirë pyje, toka bujqësore, pasuri natyrore dhe kanë rrezikuar drejtpërdrejt banesa e jetë njerëzish.
Në Delvinë, një vatër e madhe zjarri ka shkrumbuar zona të tëra, ndërsa situata është po aq alarmante në dhjetëra pika të tjera në vend. Kjo nuk është thjesht një fatkeqësi natyrore, është prova e dështimit të një qeverie që nuk ka as plan parandalimi, as infrastrukturë për reagim të shpejtë dhe efektiv. Zjarrfikësit tanë, njerëzit në vijën e parë të përballjes, janë lënë të luftojnë me duar bosh. Pajisjet janë të vjetra, mjetet janë të pamjaftueshme, mbështetja ajrore mungon dhe koordinimi mes institucioneve është minimal.
Zona të tëra me rrezik të lartë mbeten pa mbulim, ndërsa çdo ndërhyrje është e vonuar dhe e fragmentuar. Si mund te pretendosh z.Kryeministër hyrjen në Bashkimin Europian, ku ju nuk jeni të zotë të përballoni me infrastrukture këto lloj fatkeqësish natyrore.
E gjitha thjeshtë një mashtrim për të fituar zgjedhjet.
Pasojat e këtyre zjarreve nuk do të zhduken me shuarjen e flakëve. Ato do të ndihen për vite të tëra: pyje të shkatërruara, tokë e djegur dhe e papërshtatshme për prodhim. Turizmi në zonat e prekura merr një goditje të rëndë, ndërsa familjet që humbasin gjithçka mbeten të vetme përballë tragjedisë. Partia e Lirisë u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri.
Por mbi të gjitha, i bëjmë thirrje qeverisë të shpallë pa asnjë vonesë gjendjen e emergjencës kombëtare. Kjo është e vetmja mënyrë për të mobilizuar burime shtesë, për të kërkuar ndihmë ndërkombëtare dhe për të koordinuar një plan të centralizuar ndërhyrjeje në të gjithë territorin.
Çdo orë vonesë është një orë humbje. Shqipëria nuk mund të jetojë me skenarin e përvitshëm ku zjarret shkatërrojnë gjithçka dhe më pas harrohen deri vitin tjetër. Një shtet serioz matet nga aftësia për të mbrojtur jetën, pronën dhe natyrën e tij. Në këtë provë, qeveria e sotme ka dështuar”.
Komente
