Shqipëria vijon të përballet me një situatë alarmante të zjarreve. Gjatë 7 ditëve të fundit u rregjistruan shpërthime të vatrave të shumta, të cilat kanë shkrumbuar sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, shkurresh dhe bimësie në shumë qarqe të Shqipërisë.
Java nisi me përpjekjet e zjarrfikëseve dhe mjeteve të ushtrisë të angazhuar më herët në landfillin e mbetjeve në Elbasan, ku flakët dhe tymi i dendur shkaktuan ndotje të rrezikshme të gjithë zonës. Autoriteteve iu desh afro një javë për të normalizuar situatën në këtë zonë, e cila shkaktoi jo pak probleme për banorët
Bazuar në të dhënat e raportuara nga Qendra Kombëtare e Emergjencave Civile, vetëm gjatë javës së fundit (6-13 korrik) janë regjistruar mbi 168 vatra zjarri , me qindra hektarë të djegur dhe një numër të konsiderueshëm forcash në terren u angazhuan në operacione për shuarjen e flakëve dhe monitorimin e terrenit.
Vatrat më problematike janë regjistruar në qarqet Dibër, Vlorë, Berat dhe Tiranë, ku zjarret kanë prekur kryesisht zona me pyje pisha, shkurre dhe sipërfaqe me barishte. Ndër më të rrezikshmet vijon të jetë zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës, në vendin e quajtur "Liqeni i Luleve", ku për shkak të erërave të forta, flakët kanë marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar një sipërfaqe të madhe të parkut.
Po ashtu dhe zjarri në zonën e Dukatit, i cili vijoi për disa ditë, për pak nuk vuri në rrezik dhe Parkun e Llogarasë. Në Bulqizë, vatra e zjarrit në zonën “Livadhi i Peladhisë” ka qenë aktive për disa ditë, ndërsa në Poliçan, zjarri në fshatin Zgërbonjë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në pemëtari, duke përfshirë 2500 rrënjë ullinj mbi 10-vjeçarë dhe disa dhjetëra drurë frutorë.
Zjarri ka rrezikuar edhe banesa në fshatin Hemenaj të Rrogozhinës dhe ka shkaktuar dëme materiale në Tiranë, Kamëz, Roskovec dhe Fier, ku janë përfshirë shtëpi, magazina dhe hangarë me bazë ushqimore. Në total deri tani në një javë janë djegur mbi 220 hektarë sipërfaqe toke dhe mbi 2500 rrënjë ullinj e drurë frutorë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 18 vatra zjarri, nga të cilat 2 janë aktive dhe 2 janë nën monitorim. Pavarësisht ndërhyrjeve intensive vijojnë të digjen pyjet në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë në Dibër si dhe në fshatin Zambish, bashkia Rrogozhinë.
Sa i përket zjarreve në pyje, sot pritet nivel rrezik “I lartë” në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier e Berat, dhe nivel rrezik “I moderuar” në të gjitha qarqet e tjera. Era dhe thatësira favorizojnë përhapjen e tyre.
Komente

150 zharre ne nje jave eshte shifer kolosale.Nuk jane zjarre nga pakujdesia por te qellinshme dhe me jeto mostra qe nuk i dridget dora per zharrvenie jane dy rruge burgu me mbi 15 vite dhe konfiskim i pasuruse qe te ngelin si qen mes te rruges
Përgjigju