Zjarret në vend nuk kanë të ndalur, duke shkaktuar vatra dhe dëme të reja në dhjetëra e qindra hektarë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 22 vatra të reja në të gjithë vendin, ku 11 prej tyre janë ende aktive dhe një në monitorim, kurse të tjerat të shuara.
Por rreziku më i lartë vjen nga temperaturat në maksimum dhe mungesa e reshjeve, që nuk favorizon trupat operacionale nga toka dhe ajri dhe gjithashtu ndihmon përhapjen e flakëve.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri sot edhe bilancin e një ditë nga aksionet për shuarjen e flakëve dhe rrezikut të vazhdueshëm.
Njoftimi i plotë i Agjencisë së Mbrojtjes Civile:
"Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 22 vatra zjarri nga të cilat 11 janë ende aktive dhe 1 është nën monitorim. Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Vlorë, Elbasan, Kurbin, Lezhë, Devoll, Korçë, Pustec, Pogradec, Gjirokastër, Përmet, Fier, Berat, Tiranë, Dimal, Malësi e madhe dhe Kukës.
Aktualisht mbeten aktive këto vatra zjarri: .
- Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, bashkia Dibër, vazhdon zjarri që po zhvillohet në tre vatra, por me intensitet të ulët gjatë natës. Vatrat janë aktive mbi fshatin Gurë Lurë, rreth Liqenit të Zi dhe në Fushën e Pelave.
- Në fshatin Ulëz, bashkia Mat, situata është shumë e vështirë pasi zjarri po zhvillohet në drejtim të pyjeve. Për shkak të terrenit dhe përmasave të zjarrit, forcat operacionale nuk kanë mundur të vënë nën kontroll.
- Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në vendin e quajtur “Përroi i Zi”, një sipërfaqe pyjore me pisha dhe ah. Relievi shkëmbor dhe shumë i thyer e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse. Ditën e djeshme në terren u angazhuan 40 forca bashkiake dhe 30 efektivë nga FA, 1 avion Canadair nga shteti Italian.
- Në vendin e quajtur “Maja e Pliskës, mbi fshatin Dukat, bashkia Vlorë, zjarr është shumë intensiv në sipërfaqe shkurre, kullotë dhe pylli me pishë. Flakët të ndihmuara nga era përfshinë edhe kurorat e pishës, duke e bërë problematike gjendjen. Ditën e sotme vazhdon operacioni me forcat 32 operacionale të ndihmuar me 80 forca ushtarake, 2 helikopter të FA-së.
- Në Qarkun Lezhë ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe pemë lisi, në afërsi të tunelit të Shkopetit, në rrugën Shkopet-Burrel. Është shmangur përhapja drejt banesave.
- Në fshatin Vernik, bashkia Devoll, vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre.
- Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë, vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Zjarri vazhdon të përhapet në drejtim të verilindjes drejt Ҫardhakut, i ndihmuar nga era dhe bimësia e shumëllojshme.
- Në fshatin Pustec, bashkia Pustec ka rënë zjarrin e rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve dhe sot vijon puna për izolimin dhe fikjen përfundimtare të tij.
- Në fshatin Kosinë, bashkia Përmet, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pyll. Në fshatin Kutal janë përqendruar pjesa më e madhe e forcave për shuarjen e zjarrit, pasi është ende aktiv. Rrezik për banesa nuk ka.
- Në malin Sukë, fshati Mamëz, bashkia Kukës, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre ka marrë përmasa dhe rrezikon banesat e fshatit Mamëz. Sot vijon operacioni me forcat operacionale dhe me 100 forca ushtarake për shuarjen e zjarrit.
Në monitorim:
Në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, zjarri i riaktivizuar ka kaluar në fshatin Strikçan, njësia administrative Zerqan, dhe po monitorohet nga Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Bulqizë me 1 automjet zjarrfikës dhe 8 efektivë dhe 8 forca bashkiake.
Si pasojë e zjarreve të rënë, kryesisht në sipërfaqe me bimësi e pyjore janë djegur rreth 17 hektarë.
Forcat e angazhuara : Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 36 automjete zjarrfikëse dhe 635 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë, 190 forca nga FA me 19 mjete dhe 2 Helikopterë, 2 avionë Canadair nga shteti Grek dhe 1 nga shteti Italian. Gjatë ditës sotme janë në operacione 345 forca ushtarake, 2 helikopterë dhe 1 automjet zjarrfikëse me efektivin përkatës.
Kushtet atmosferike dhe rreziku i zjarreve:
Sipas informacionit të nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile (QKOEC), sot nuk priten reshje në të gjithë territorin.
Për zjarret në pyje sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në të gjitha qarqet, ndërsa në qarqet Durrës dhe Shkodër pritet nivel rrezik “I MODERUAR”. Rrezik “I LARTË” pritet gjithashtu nё zona tё lokalizuara të qarkut Shkodër (Jug) dhe qarkut Durrës (Jug Lindje).
Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë të angazhuara pa ndërprerje në menaxhimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në të gjithë territorin. U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë zjarri pranë autoriteteve përkatëse".
Lajmi kryesor:
Riaktivizohet zjarri në Dukat të Vlorës, 40 forca të FA do shkojnë në terren, kërkohet edhe ndërhyrje nga ajri
A.Q/ReportTv.al