Kronikë

Zjarret 'pushtojnë' vendin nga veriu në jug, 9 vatra aktive, digjen me dhjetëra hektarë pyje! Situata kritike në Gjirokastër e Karaburun, po ndërhyhet nga ajri

3 Gusht 2021, 20:14| Përditesimi: 3 Gusht 2021, 20:22

  • Share

Zjarri e tymi kanë pushtuar vendin tonë nga veriu në jug, ku janë aktivizuar 9 vatra. Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin deri tani ku më problematike situata është në Gjirokastër pasi flakët kanë marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar fshatrat Krinë, Asim Zeneli dhe Arshi Lengo. Në fshatin Asim Zeneli është shënuar edhe viktima e parë nga zjarri dhe një i plagosur rëndë. Një helikopter ka nisur në Lunxhëri ndërhyrjen nga ajri për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa banorët kanë nisur të evakuohen.

Në këtë zonë janë aktivizuar të gjitha kapacitetet e qarkut Gjirokastër, bashkia Sarandë dhe mjete të ushtrisë,  Forca të emergjencave civile dhe 5 ambulanca nëse paraqiten banorë apo punonjës të asfiksuar nga tymi. Po ashtu është riaktivizuar vatra në kodrat e fshatit Qesorat, njësia administrative Lunxhëri, bashkia Gjirokastër. Në vendngjarje kanë shkuar 6 zjarrfikës me 2 mjete dhe situata po ndiqet me seriozitet.

Situata e rënduar është edhe në gadishullin e Karaburunit, ku 521 forca ushtarake, dhjetra nga pushteti vendor si forca zjarrfikëse dhe të emergjencave civile, 50 mjete po punojnë për shurajne e flkëve. Aty po punohet me 3 helikopterë nga ajri, një i Forcave të Armatosura dhe 2 helikopter të kontraktuar nga privati.

Një vatër zjarri është zhvilluar në Himarë, Livadhë ku 15 efektivë të Bashkisë Himarë po e mbajnë nën kontroll situatën.

Në qarkun e Shkodrës, zjarri ka rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë të ndryshme në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës. Forcat e Shërbimit vendor i MZSH Vau Dejës së bashku me forcat pyjore dhe banorë nga komuniteti po punojnë për shuarjen e vatrës, e cila është problematike, pasi po favorizohet nga erërat. Deri tani janë djegur 10 ha kullotë, ndërsa situata është në monitorim.

Është riaktivizuar vatra e zjarrit në pyllin e fshatit Shetaj, njësia administrative Ishëm të Durrësit. Dy mjete zjarrfikëse me 6 efektivë po punojnë për të mbajtur nën kontroll flakët.

Shërbimi i zjarrfikëses në Kavajë ka njoftuar për një vatër zjarri në fshatin Domën në lagjen  Xhelezaj.  

Në Tiranë, në rrugën “Dine Hoxha”, tek Bregu i Lumit, në Paskuqan ka rënë zjarr në një pikë skrapi. Tre shërbime zjarrfikëse si dhe shërbimet e polices po merren me normalizimin e flakëve. Nuk ka rrezik për banesat.

Në qarkun e Beratit u njoftua se ka rënë zjarr në shkurre në fshatin Zogas, në Skrapar. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrëfikësja Skrapar, të cilët kanë bërë izolimin e flakëve.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?