Gati 30 mijë hektarë pyje e kullota janë djegur nga zjarret e këtij viti në Shqipëri, dhe më shumë se gjysma e tyre i takojnë qarkut të Vlorës. Qeveria bëri bilancin e dëmeve të shtrira në territor, duke nënvizuar se gjithsesi sipërfaqet më të mëdha të shkrumbuara, i takojnë vitit 2007.
“Na rezulton që qarqet më të prekura janë Vlora me 17 500 hektarë, pasuar nga Dibra me 4524 hektarë, Tirana 2400 hektarë dhe Berati 1500 hektarë. Pavarësisht se në të kaluarën mund të kemi pasur vite me më shumë sipërfaqe të djegura, rekordi historik për Shqipërinë është në vitin 2007 me 127 mijë hektarë të djegur. Deri në vitin 2024 sezonet verore kishin 6 zjarre në javë, ndërsa këtë vit ka pasur 13 zjarre në javë”, tha Vengu.
Bashkitë duhet të llogarisin të gjitha dëmet e shkaktuara, në mënyrë që qeveria të veprojë për të paguar qytetarët e prekur.
“Zjarret kanë shkaktuar dëme kryesisht në zonën e jugut të vendit, në Delvinë, në blegtori, bletari por dhe në kullota. Janë 230 koshere me bletë të dëmtuara, 8 stane, ndërsa jemi duke vlerësuar nevojën për ushqim për blegtorinë në të gjithë zonat e prekura nga zjarret”, tha Denaj.
Ministrja Anila Denaj bëri të ditur se furnizimi me bazë ushqimore për blegtorinë, në zonën e prekur nga zjarret është mundësuar në kohë rekord.
“Që prej ditës së martë janë shpërndarë në Delvinë 20 tonë ushqime dhe kemi një kapacitet prej 100 tonë ushqime rezervë për t’u shpërndarë në zonat e tjera të vendit, ku paraqitet nevoja”, tha ajo, teksa u bëri apel institucioneve në terren të bëjnë përllogaritjet për nevojat e tjera që paraqiten.
Ajo shtoi se qeveria do të vijë me një paketë mbështetëse për rivitalizimin e një sipërfaqeje toke prej 29 mijë hektarësh me të mbjella.
“Është një sipërfaqje toke prej 29 mijë hektarë, po mendojmë një paketë mbështetëse për të rivitalizuar këtë pjesë me të mbjella”, tha Denaj.
Ministri i Brendshëm falënderoi policinë për ndërhyrjet heroike për shpëtimin e njerëzve, dhe i bëri thirrje prokurorisë të mos falë zjarrvënësit. Hoxha tha se bëri një bilanc të situatës së zjarreve në vend, duke theksuar se këtë vit janë regjistruar 59 vatra të mëdha dhe 961 zjarre të vogla, kryesisht në banesa dhe pyje.Ai njoftoi se 21 persona janë arrestuar dhe 120 të tjerë janë proceduar lidhur me zjarrvënien, që në shumicën e rasteve është e qëllimshme.
"Shumica e zjarreve janë të qëllimshme. Ky ka qenë ndër vitet më të vështira sa i përket zjarreve. Deri sot, vendi ka pasur 59 zjarre të mëdha, 961 ishin zjarre të vogla, si prsh në banesa ose kullota. Përballë kësaj situate reagimi ynë ka qenë i menjëhershëm. Mobilizimi i jashtëzakonshëm ka dhënë rezultate, ne nuk kemi humbje jete dhe është ndaluar përhapja e zjarrit në infrastrukturë kritike. Por, 2 efektivë janë lënduar, në një akt heroik. Punonjësi i policisë Agim Troci, shef i komisariatit Delvinë është jashtë rrezikut për jetën, që u plagos, teksa ndërhyri në një zjarr në një banesë. Sa i përket zjarreve, kemi të bëjmë më tepër me faktorin njerëzor, ndonjëherë ka zjarrvënës të qëllimshëm, por edhe zjarrvenie pa dashje. 120 persona janë proceduar në total për zjarrvenie dhe 21 janë arrestuar. Kjo vepër penale, që lidhet me zjarrvënien e qëllimshme, duhet të ashpërsohet në dënim. Ata që rrezikojnë jetën e natyrën, do mbajnë përgjegjësi. Parashikimet janë që edhe gushti do jetë i vështirë për ne, ndaj përgjegjësia është e madhe",- tha Hoxha.
Gushti do të jetë një muaj i vështirë dhe qeveria bën thirrje për vigjilencë dhe kujdes.
Komente

Aty ku dihen kush jane zjarrvenesit,nuk duhet te paguaje shteti,demi t'i faturohet zjarrvenesve.!
PërgjigjuShyqyr qe u kujtuat te bleni canadair
Përgjigju