Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër reagim për zjarret që kanë prekur vendin, me situatën më të rënduar në Delvinë e Gramsh. Në një postim në rrjete sociale, kreu i qeverisë shkruan se sot është një tjetër ditë gatishmërie e lartë dhe përpjekjesh të përbashkëta për një situatë që tashmë është më e përmirësuar.
Një koment bën edhe për “lehaqeniet”, siç i cilëson ai kritikat e vazhdueshme për mungesën e mjeteve të nevojshme në përballimin e zjarreve. Neveri, shkruan kreu i qeverisë, për “lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre” në një kohë kur edhe vende të tjera të Evropës përballen me vatra të shumta zjarri.
“Mirëmëngjes dhe me një tjetër ditë gatishmërie të lartë e përpjekjesh të përbashkëta, përballë një situate të përmirësuar falë mundimesh e sakrificash të admirueshme por me rreziqe e të papritura në çdo çast; me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi, ju uroj një ditë sa më të qetë të gjithëve”, ka shkruar kryeministri.
Një ditë më parë, kreu i qeverisë bëri një reagim për kritikat se pse nuk blen avionë zjarrfikës, teksa tha se përpos faturave ekonomike, situata e rëndë nga zjarret nuk merr zgjidhje përfundimtare nga blerja e tyre.
Situata më e rëndë nga zjarret është shënuar ditët e fundit në Delvinë e Gramsh. Dje, pati ndërhyrje nga ajri e toka. Nga të dhënat paraprake të bashkisë, janë djegur 5 banesa dhe një kishë. Në Gramsh janë 39 banesa të djegura në 6 fshatra, pa llogaritur dëmet në ullishte, pemëtari, e bagëti. Në Gramsh u shënua edhe viktima e parë e zjarreve, një 80 vjeçar që humbi jetën nga asfiksia e zjarrit që ndezi vetë, flakët e të cilëve më pas morën përmasa të mëdha.
Komente
