Bashkia e Mallakastrës, me një sipërfaqe prej 330 km², u përball këtë verë me zjarre të vazhdueshme, por nuk kishte mjete të mjaftueshme për t’i shuar. Aktualisht ka dy zjarrfikëse, njëra prej tyre e vjetër, ndërsa nevojiten të paktën edhe 2 mjete të tjera për t’u përballur me flakët. Po kështu, në qytet dhe në fshatra mungojnë hidrante.
Kjo problematikë nuk është vetëm në Mallakastër, por edhe në Fier, një bashki me sipërfaqe 619.90 km² dhe popullsi rreth 210 mijë banorë, ku numërohen 6 mjete të reja zjarrfikëse, por që do të duheshin edhe 2-3 mjete të vogla 4x4 për të operuar në zonat e vështira.
Këto, e shumë të tjera, si pagat e ulëta, u evidentuan gjatë një takimi konsultativ në prefekturë. Kërkesat për mjete të reja dhe hidrante u artikuluan nga shefat e reparteve zjarrfikëse të bashkive të qarkut Fier.
Ndërsa këshilltari i Ministrit të Brendshëm tha se një pjesë e zjarreve kanë qenë të qëllimshme, ndaj po punohet fort në drejtim të identifikimit dhe ndëshkimit të piromanëve.
Jo vetëm qarku i Fierit, por i gjithë vendi u përball gjatë muajve korrik dhe gusht me zjarre masive që shkrumbuan një sipërfaqe prej 55,154 hektarësh. Të dhënat nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje të BE-së tregojnë se Shqipëria është më e prekur se vendet e rajonit sa i përket dëmeve nga zjarret.
Komente

Parate shkojne per satelite,TEC-e lundruese qe te vetmen gje qe gjenerojne eshte qiraja qe perlajne nga buxheti i shtetit dhe Giro d'Italia,te ciles i dhame 7 milion euro qe i kishim te tepert e ja dhame se donim te shisnim gazra,se mend s'kishim perderisa shperdorojme buxhetin per idiotsira te tilla ne vend te marrim mjete per zjarrefikesit.
Përgjigju