Sociale

Zjarrfikësit e qarkut Fier mbledhje në Prefekturë, kërkojnë mjete, rritje pagash e hidrantë! Çuko: Ka problematika! Mamaj: Strategji e re, shumica e zjarreve të qëllimshme

20 Gusht, 13:33| Përditesimi: 20 Gusht, 13:50

  • Share

Mungesë mjetesh zjarrfikëse, rritje pagash, vendosje hidrantësh. Këto kanë qenë disa nga kërkesat e shefave të reparteve zjarrfikëse të bashkive të qarkut Fier, në takimin e organizuar paraditen e sotme (20 gusht) në Prefekturën e këtij qarku, me fokus situatën e zjarreve, ku morën pjesë të gjithë drejtuesit e reparteve të 6 bashkive të qarkut, përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë, si dhe këshilltari i Ministrit të Brendshëm, Flamur Mamaj.

Në një prononcim për mediat,  prefekti i qarkut Fier Arben Çuko, ka pohuar se krahas punës së mirë të bërë në fikjen e zjarreve nga efektivët zjarrfikës të qarkut Fier, problematikë madhore mbetet mungesa e mjeteve, veçanërisht në Bashkinë e Mallakastrës, e cila ka terren të thyer dhe shtrirje të gjerë gjeografike,  por dhe mungesa e hidrantëve në qytete apo zonat e banuara.

Ndërkohë, këshilltari i Ministrit të Brendshëm, Flamur Mamaj, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve, forcave të rendit dhe emergjencave, për të garantuar një reagim të shpejtë dhe efikas ndaj situatave të rrezikshme.

“Jemi duke punuar për një strategji të re kombëtare, ka thënë Mamaj, përfshirë edhe ndryshime ligjore. Një pjesë e zjarreve kanë qenë të qëllimshme ndaj po punohet fort në drejtim të identifikimit dhe ndëshkimit të piromanëve”.

Mamaj ka vlerësuar gjithashtu edhe ndërhyrjen e banorëve në vatrat e rrezikshme, të cilët i janë bashkuar aksioneve për shuarjen e flakëve, ndërkohë që ka shuar zërat për zjarrvënie me qëllim ndërtimin e paneleve fotovoltaike, veçanërisht në jug të vendit.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?