Koncesionari i trajtimit të mbetjeve në Fier, ka reaguar pas lajmit se inceneratori i këtij qyteti është bërë shkak për situatën e ndotjes në zonë, të krijuar nga djegia e disa mbetjeve.
Në një reagim për mediat, Shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k ka sqaruar se lajmet që e lidhin inceneratorin me situatën er krijuar janë tërësisht të pavërteta, duke sjellë dezinformimin e publikut.
Sipas shoqërisë “Integrated Technology Wste Treatment Fier” sh.p.k, vend-depozitimi i mbetjeve urbane të qarkut Fier, është në funksion dhe operativ si dhe në përputhshmëri të plotë me legjislacionin në fuqi dhe me standarte të larta ndërkombëtare. Gjithashtu kjo kompani ka bërë të ditur se është pajisur me leje Mjedisi të Tipit A. e nevojshme për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
“Impjanti i Trajtimit të Mbetjeve Urbane të Qarkut Fier është një vepër e përfunduar brenda afateve të parashikuara në kontratën konçesionare dhe është ndërtuar me standartet më të larta të Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e Shoqërisë koncesionare të trajtimit të mbetjeve në Fier, “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k
Ndërkaq koncesionari bën me dije se Landfilli është gati për të pritur depozitimin e mbetjeve urbane të gjeneruara nga pastrimi i territorit të Bashkisë Fier, por dhe Njësive të tjera Administrative të Qarkut Fier.
Zjarri i cili ishte aktiv prej 3 ditësh është shuar ditën e sotme, por Fieri vijon të jetë i mbuluar nga tymi i krijuar nga djegia e mbetjeve në landfill. Sërish situata mbetet shumë problematike, për shkak të gazrave të rrezikshëm që po përhapen pas djegies së mbetjeve, ndihmuar edhe nga era.
Deklarata e plotë për media:
Ditët e fundit në media janë publikuar lajme të pavërteta në lidhje me Zonën e Trajtimit të Mbetjeve Urbane të Qarkut Fier. Akuzat se kjo zonë e Trajtimit të Mbetjeve është bërë shkak për situatën e krijuar në vend grumbullimin e vjetër të mbetjeve urbane në Qarkun e Fierit janë të pabaza, ndikojnë në dezinformimin e publikut dhe janë në dëm të së vërtetës
Shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k ka nënshkruar në dt.24/10/2016 kontratën konçesionare me Nr.5553/5 prot. “Për Ndërtimin e Administrimin e Impjantit të Trajtimit të Mbetjeve Urbane të Qarkut Fier dhe Prodhimin e Energjisë” me autoritet kontraktues Ministrinë e Mjedisit (kaluar në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë).
Në dt 07/05/2020 Shoqëria i është drejtuar me shkresën zyrtare me Nr. Prot. 27 Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Bashkisë Fier ku njofton, se vend-depozitimi i mbetjeve urbane të qarkut Fier, është në funksion dhe operativ si dhe në përputhshmëri të plotë me legjislacionin në fuqi dhe me standarte të larta ndërkombëtare. Gjithashtu Shoqëria nëpërmjet kësaj shkrese njofton, se është pajisur me leje Mjedisi të Tipit A e nevojshme për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
Në dt. 07/05/2021 shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” i është drejtuar sërish këtyre dy institucioneve, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Bashkisë Fier referuar njoftimit me Nr.Prot.27 dt. 07/05/2020 duke bërë me dije se Landfilli është gati për të pritur depozitimin e mbetjeve urbane të gjeneruara nga pastrimi i territorit të Bashkisë Fier, por dhe Njësive të tjera Administrative të Qarkut Fier.