Shirat e rëna pas mesnatës në Drenovë të Mallakastrës kanë ndihmuar në shuarjen e disa vatrave të zjarrit, veçanërisht në ato zona ku ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse ishte e vështirë për shkak të terrenit të vështirë malor.
Burimet bëjnë me dije se vatrat aktive aktualisht janë me intensitet të ulët dhe situata është nën kontroll. Në terren ndodhen 10 mjete zjarrfikëse, 4 të ushtrisë të cilat po punojnë për shuarjen e plotë të flakëve. Sipas statistikave sipërfaqja e djegur dhe e përshkuar në total llogaritet rreth 150 hektarë.
Ndërkohë, situata vijon të jetë e rënduar në fshatin Gorishovë të Cakranit, ku zjarri po përhapet me shpejtësi duke përfshirë dhjetëra hektarë ullishte.
Ekipet zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për izolimin e flakëve, por era dhe thatësira e tokës po e vështirësojnë ndërhyrjen.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo vatër të re.
lajm ne perditesim...
24 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht në të gjithë vendin vijojnë të jenë aktive 4 vatra zjarri.
Nga këto, 2 vatra janë në qarkun e Dibrës. Njëra në Liqenin e Luleve tek Parku Kombëtar i Lurës e shpërndarë në dy zona, dhe tjetra në Malin e Peladhisë, në Bulqizë.
Vatra e tretë aktive është në Gorishovë të Fierit ku vazhdon prej disa ditësh.
Ndërsa vatra e katërt ndodhet në Lukovë të Himarës në një zonë pyjore.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 24 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 4 janë ende aktive.
Vatrat e zjarrit janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Vau i Dejës, Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Mallakastër, Fier, Selenicë, Finiq, Himarë, Kolonjë, Korçë, Përmet, Dimal, Elbasan, Peqin, Gramsh, Librazhd, Tiranë, Kavajë dhe Kamëz.
Vatrat aktive janë si më poshtë:
* Qarku Dibër – Në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës, dy vatra janë ende aktive: njëra në krahun e Gurë Lurës, dhe zona tjetër afër kanalit të ujit të HEC-it, e cila konsiderohet e izoluar dhe është nën monitorim. Vatra e dytë, në krahun e Malit të Dejës, është e përhapur dhe ndihmuar nga era, me duke u zgjeruar drejt territorit të bashkisë Mat.
* Qarku Dibër – Bashkia Bulqizë – Në zonën e “Malit të Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, vijon puna për shuarjen e një vatre të riaktivizuar. Deri tani janë përfshirë rreth 32 hektarë me shkurre dhe barishte. Zjarri është aktiv vetëm në një vatër mbi fshatin Vlash, që po monitorohet nga forcat operacionale.
* Qarku Fier – Vatra e zjarrit në zonën Drenovë–Gorishovë, njësitë Qendër Dukas dhe Cakran, në bashkitë Mallakastër dhe Fier, vijon të jetë aktive. Për shkak të terrenit të thyer, erës së fortë dhe përhapjes së shpejtë të flakëve, kontrolli i situatës ka qenë i vështirë. Aktualisht zjarri vazhdon me intensitet në zonat me ullishte të fshatit Gorishovë.
* Qarku Vlorë – Bashkia Himarë – Në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Ndërhyrja vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes, por pa mundur izolimin e plotë të vatrës. Operacioni për shuarjen po vijon edhe sot, me mbështetjen e forcave të Forcave të Armatosura.
Si pasojë e zjarreve janë djegur mbi 154 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe më shumë se 3,000 rrënjë ullinj.
Në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 57 automjete zjarrfikëse dhe 538 forca operacionale. Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme, janë përfshirë edhe 2 helikopterë, 5 automjete zjarrfikëse dhe 120 efektivë nga Forcat e Armatosura. Sot, që prej orës 06:00, në terren ndodhen 50 trupa ushtarake dhe 5 automjete zjarrfikëse me personel mbështetës.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme nuk parashikohen reshje. Sa i përket rrezikut për zjarre në pyje, niveli “I LARTË” pritet në qarqet: Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa niveli “I MODERUAR” në qarqet e tjera.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë në të gjithë territorin për të ndërhyrë në kohë dhe për të parandaluar përhapjen e zjarreve.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente në rast se konstatojnë një vatër zjarri.
Një zjarr përfshiu kodrat e fshatit Borsh një ditë parë.
Fatmirësisht ndërhyrja e zjarrfikëses bëri të mundur neutralizimin e flakëve.
Blutë kanë nisur hetimet për 51-vjeçarin që vuri zjarrin.
Bëhet me dije se piromani është identifikuar si Madrit Kosta. Ky i fundit dyshohet se fillimisht ndezi zjarr për pastrimin e barit në një sipërfaqe toke, në afërsi të banesës së tij dhe më pas flakët u përhapën më tej.
"Si rezultat i punës hetimore dhe i veprimeve të shpejta për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë identifikuan shtetasin M. K., i cili dyshohet se ka ndezur zjarr për pastrimin e barit në një sipërfaqe toke, në afërsi të banesës së tij, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke kullotë, me shkurre dhe me ferra.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. K., 51 vjeç, banues në fshatin Borsh, Himarë", njoftoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Komente
