Drejtues i departamentit të shëndetësisë në PD, Gazment Koduzi nga fusha e mbetjeve në Fier ka folur për rrezikshmërinë që po shkakton djegia e mbeturinave në këtë qytet.
Koduzi tha se situata është kriminale dhe me impakt shumë të rëndë për shëndetin e qytetarëve. Koduzi tha më tej se djegia e mbeturinave plastike në ajër të hapur, dhe ekspozimi për periudhë të shkurtër apo të gjatë, rrit rrezikun për sëmundjet e zemrës, rëndon sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes si astma apo emfizema, shkakton kancer të mushkërive si dhe dëmton sistemin nervor.
'Ditët e fundit qytetarët e Fierit janë përballur me situatë kriminale të ndotjes së mjedisit dhe ajrit, me impakt të rëndë për shëndetin e tyre.
Për disa ditë me radhë janë djegur në ambient të hapur plehrat, në përbërje të të cilave ka element të ndryshëm të dëmshëm për shëndetin e qytetarëve.
Djegia e mbeturinave plastike në ajër të hapur, dhe ekspozimi për periudhë të shkurtër apo të gjatë, rrit rrezikun për sëmundjet e zemrës, rëndon sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes si astma apo emfizema, shkakton kancer të mushkërive si dhe dëmton sistemin nervor.
Ekspozimi në nivele të larta të ajrit, për periudhe të shkurtër apo te gjate shkakton më shumë impakt të rëndë te personat që vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe në Fier ka shumë qytetarë të cilët vuajnë akoma pasojat shëndetësore të punës në ndërmarrjet e naftës apo prodhimit të pesticideve te ndryshme qe ka patur ky qytetit.
Kjo situatë e rëndë, jo vetëm do shkaktojë pasoja shëndetësore ndaj qytetarëve, por do të rrisë edhe barrën financiare ndaj xhepit të qytetarëve, njësoj si me Covid-19, për të kryer ekzaminimet laboratorike apo imazherike, si dhe blerjen e barnave për trajtimin e komplikacioneve, për pasojat qe do vijnë.
I bëjmë thirrje qeverisë dhe institucioneve të shëndetit publik, që të fillojnë menjëherë depistimet në terren për të matur nivelin e ndotjes së ajrit, pasojat në shëndetin e qytetarëve, si dhe angazhimin e strukturave shëndetësore për diagnostikimin dhe trajtimin e komplikacioneve përkatëse.
Këto masa, rrjedhin edhe nga angazhimet ndërkombëtare të qeverisë shqiptare, si anëtare e OBSH, që në vitin 2015 ka firmosur marrëveshjen “për adresimin e efekteve anësore shëndetësore nga ajri i ndotur”.'- tha Koduzi.
Lajmi kryesor:
Dita e 5-të e zjarrit në fushën e mbetjeve në Fier, rrugët e qytetit ende të ‘pushtuara’ nga tymi toksik, përhapet nga era
M.Q.//ReportTv.al