LEZHË- Zjarri i rënë që prej orëve të drekës në masivin pyjor të fshatit Manati në Lezhë, ka marrë përmasa të frikshme. Favorizuar nga era flakët janë përhapur me shpejtësi, duke ju afruar zonës së banuar e vënë në rrezik banesat. Në terren ndodhen zjarrfikësit e Lezhës, Kurbinit e Vaudejesit, të cilët po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve dhe mbrojtjen e banesave. Situata konsiderohet kaotike dhe kërkohet ndërhyrje nga ajri.
Vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në masivin pyjor të fshatit Manati në Lezhë. Flakët po ju afrohen gjithnjë e më shumë zonës së banuar pranë rrugës nacionale Lezhë-Milot, duke vënë në rrezik banesat. Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse dhe punonjësit e shërbimit pyjor të cilët po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve të zjarrit.
Në vend ngjarje ka qenë edhe ish deputeti Eduart Ndocaj i cili tha se rrezikohen rreth 6 banesa.
"Situata është shumë kritike sepse janë 5-6 fëmijë që janë të rrethuar nga flakët. Këto zjarrfikëset me të vërtetë kanë ardhur, por nuk janë në gjendje që t'a bllokojnë zjarrin sepse pishat kanë marrë një hov të jashtëzakonshëm dhe janë rrotull shtëpiave. Unë kam njoftuar Kryeministrin, Zv. kryeministrin , shefin e shtabit të Forcave të Armatosura, por neglizhenca është e paimagjinueshme. Duhej të ishin marrë masa nga ajri për të shpëtuar këto shtëpia. Nëse nuk do të ndërhyjnë nga ajri, situata do të jetë shumë kritike dhe shpresojmë që të mos kemi dëme në njerëz, por dëme materiale kanë filluar të ketë sepse disa fshatarëve iu janë djegur vendi ku mbajnë bagëtitë dhe po u afrohet tani tek shtëpitë", thotë ish deputeti Eduart Ndocaj
Ndërkohë që Shefi i Agjensisë së Pyjeve në Lezhë, Artan Palushi tha se është kërkuar ndihmë dhe po presin ardhjen e forcave të tjera, pasi situata është kritike.
"Varta e zjarrit është shfaqur rreth orës 13:30 e ditës së sotme dhe varta e zajrrit ka marrë përnjëherësh mas atë konsiderueshme në sipërfaqen pyjore të përbërë nga lloji pishë, për shkak të erës së fortë që kishte në atë kohë kur u shfaq zjarri. Sapo kemi marrë njoftimin jemi paraqitur në terren, strukturat e shërbimit pyjor, strukturat e emergjencës civile, shërbimi i zjarrfikëses dhe nga komuniteti. Situata është kritike për momentin, zjarri po afrohet drejt banesave, afër banesave janë zjarrfikësit të cilët po monitorojnë situatën për të mos pasur dëme në banesa dhe në njerëz. Komunikimi jonë është nga niveli i parë i qeverisjes, deri në nivelin e mesëm që është me prefekturën. Pastaj nga Prefektura është kërkuar më lart dhe shpresojmë që të na vijë ndonjë ndihmë", thotë Artan Palushi.