Partia e Lirisë reagoi sot për zjarrin që vijon prej të martës në landfillin e Elbasanit, duke e cilësuar një dështim dhe skandal të qeverisë, që burimin e ka tek inceneratori.
Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi, doli në një deklaratë ditën e sotme (4 korrik), ku denoncoi autoritetet qëndrore dhe vendore si përgjegjëse për situatën.
“Tymi i plehrave që vazhdojnë të digjen, duke helmuar një qytet të tërë, janë një dëshmi e gjallë e dështimit, e mashtrimit dhe vjedhjes më të madhe financiare në historinë e Shqipërisë – aferës së inceneratorëve”, tha ai mes të tjerash.
Teksa e cilëson një krim jo vetëm mjedisor, por skemë mafioze dhe mashtrimi që po helmon qytetarët e Elbasanit, Blushi vuri në dukje se Partia e Lirisë e ka denoncuar aferën prej vitit 2021 dhe SPAK nuk e ka hetuar.
Blushi nuk e harroi edhe kryetarin Ilir Meta, i paraburgosur prej 21 tetorit 2024, për të cilin tha se mbahet në burg nga SPAK me pa të drejtë, vetëm se denoncoi megaaferën e inceneratorëve, ndërsa drejtësia hesht për korrupsionin qeveritar.
Deklarata e plotë e Tedi Blushit:
“Retë e zeza toksike që prej ditësh kanë mbuluar Elbasanin janë fytyra e blozë-Qeverisë së aferës së tmerrshme kriminale të inceneratorëve.
Tymi i plehrave që vazhdojnë të digjen, duke helmuar një qytet të tërë, janë një dëshmi e gjallë e dështimit, e mashtrimit dhe vjedhjes më të madhe financiare në historinë e Shqipërisë – aferës së inceneratorëve.
Partia e Lirisë, që në vitin 2021, ka denoncuar këtë aferë me fakte dhe me prova të pakundërshtueshme në SPAK, po kështu këtë denoncim e ka bërë publikisht Presidenti i Partisë Ilir Meta edhe duke qenë President i Republikës.
Kjo që po ndodh në Elbasan është pasoja direkte e lejimit me dashje nga ana e SPAK të vijimit të një skeme mafioze të ndërtuar me firmën e Edi Ramës dhe klientëve të tij politikë dhe ekonomikë, që e shitën këtë krim si një “histori suksesi”.
Sot, në vend që të kishim një incenerator funksional që pastron dhe menaxhon mbetjet sipas standardeve, kemi një gropë që vetëm gëlltit miliona euro dhe lëshon helm për qytetarët.
Tymi që ngrihet nga landfilli i Elbasanit nuk është thjesht ndotje mjedisore, por simboli i një krimi shtetëror, i një afere monstruoze korruptive që po helmon qytetin dhe po vret çdo ditë shëndetin dhe të ardhmen e banorëve të tij, për shkak se inceneratori rezultoi një makineri gjigande hajdutërie që ende vijon të gllabërojë taksat e qytetarëve për një shërbim që nuk kryhet.
Afera e inceneratorëve është një ndër skandalet më të mëdha të këtyre 30 viteve – një aferë ku janë zhdukur qindra miliona euro nga taksat e shqiptarëve, për projekte që ose nuk ekzistojnë, ose funksionojnë vetëm për të prodhuar faturime fiktive dhe ndotje reale.
Elbasani është dëshmia më flagrante: një pseudo-incenerator që për vite të tëra ka mbuluar qytetin me tym, ndërkohë që drejtësia hesht dhe nuk guxon të marrë të pandehur ideatorin, përfituesin dhe pronarin “de facto” të inceneratorëve: Edi Ramën, që inceneratorët i ka quajtur “histori suksesi”, ai që i ka mbrojtur publikisht hajdutët, që i ka quajtur vjedhjet “folklorike”, ndërsa ka garantuar që skemat kriminale të vijojnë pa u ndalur.
Edhe sot, ndërkohë që një pjesë e rrjetit mafioz është në hetim, pagesat ndaj inceneratorëve vijojnë nga buxheti i shtetit – një tallje e papranueshme me ligjin, me qytetarët dhe me paratë e tyre.
Kjo ndodh për shkak se SPAK vijon ta cilësojë këtë aferë një krim intelektual, duke mbuluar të vërtetën, mbrojtur përgjegjësit dhe duke u fshehur si struci pas reve toksike të korrupsionit.
Partia e Lirisë dhe Presidenti i saj, Ilir Meta, denoncuese, kallëzuese dhe nismëtarja e parë e çmontimit të aferës së përbindshme të inceneratorëve, është më e vendosur se kurrë për të bërë çdo përpjekje që Edi Rama të dalë para drejtësisë dhe të japë llogari para shqiptarë, si Kreu i Organizatës Kriminale që inceneratorët i ktheu në një makineri gjigande zhvatjeje për popullin më të varfër të kontinentit.
Në vend të përgjigjet Edi Rama për vjedhjen në mes të sheshit me aferën e inceneratorëve, prej më shumë se 9 muajsh mbahet në mënyrë të dhunshme dhe të paligjshme, në izolim ekstrem, pa fakte dhe prova Presidenti Meta sepse duhet t’i mbyllet goja denonuesit të parë të kësaj afere, ndërsa vjedhësi dhe pronari de facto i kësaj afere, Edi Rama duhet të jetë i lirë për të vijuar me vjedhjet e përbindshme, që ende vijojnë”.
Komente
