Prefekti i qarkut të Elbasanit Ilir Bejtja thirri në një takim kryetarët e 7 bashkive të qarkut, por vetëm kryebashkiaku i Librazhdit iu përgjigj me praninë e tij. 6 kryetarët e tjerë të Elbasanit, Gramshit, Cërrikut, Peqinit, Belshit dhe Përrenjasit, ishin zëvendësuar nga stafet e tyre.
Shqetësimi kryesor i prefektit ishin përmasat që po merr ndotja nga tymi.
“Zjarri vazhdon në të njëjta kushte, madje me shtim të ndotjes, gazrash dhe tymrash. Duke mbytur ne gaz edhe tym zonën e Bradasheshit dhe poshtë Fushë-Mbretit. Madje edhe ne qytet ndjehet aroma e mbetjeve qe digjen”, tha Ilir Bejtja, perfekt i qarkut Elbasan.
Megjithë ndërhyrjet për të izoluar me dhe mbetjet plastike, vatra nuk është izoluar.
“Vazhdon kapsulimi për të mbytur krejt mbetjet që digjen, shumica janë mbetje plastike. Nuk ja kemi dalë! Nuk po futem të rreziku i punonjësve, që punojnë me kundragaz”, vijoi Bejtja.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Shtabit të Emergjencave Civile dhe Kolonel Vladimir Nasufi, i cili si ekspert vlerësoi se operacioni duhet të drejtohet nga një sektor i vetëm.
“Duhet të kemi një drejtues operacioni, jo të dal unë edhe dikush tjetër edhe të thotë çoje këtë zjarrfikësin këtu çoje në vend tjetër, edhe asnjëri nuk mban përgjegjësi për një sektor përkatës”, u shpreh Nasufi.
Tymit të dendur dhe ndotjes së ajrit u janë ekspozuar për ditë me radhë qindra banorë. Pasojat mjedisore dhe shëndetësore janë të pashmangshme.
Komente
