Zjarri në pallatin 10 katësh në Tiranë referohet ngjarje aksidentale! Policia akoma s’ka ekspertizën për llojin e materialeve të fasadës që u dogj

19 Shtator 2023, 11:04| Përditesimi: 19 Shtator 2023, 13:43

  • Share

TIRANË- Policia referoi në prokurori dosjen penale për zjarrin që shkrumboi 4 apartamente, dëmtoi 12 të tjerë dhe shkrumboi fasadën e pallatit 10 katësh në zonën e ish-Nisharakut, për momentin, si ngjarje aksidentale. Megjithatë hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes vijojnë me kryerjen e disa ekspertizave.

Burime të policisë thanë për “Report Tv” se në ditët në vijim priten urdhërat e prokurorisë për marrjen në pyetje të personave të tjerë, përfshirë edhe ndërtuesin Tanush Mëhillaj, i cili deri në këtë fazë nuk ka dhënë deklarime.

Ndërkohë, ekspertët e zjarrfikëses vijojnë punën për të zbuluar shkakun e flakëve, dhe deri në daljen përfundimtare të ekspertizës duhen edhe disa ditë, megjithatë burime bëjnë me dije se paraprakisht dyshohet mbinxehja e kondicionerit. Ekspertët teknikë, përfshirë dhe inxhinierët po punojnë për të nxjerrë akt-ekspertimin e materialeve me të cilat është ndërtuar pallati, sidomos fasada, e cila rezultoi e djegshme dhe madje përhapi flakët si pasojë e copave që u shkëputën pas djegies duke shkaktuar zjarr në katët e mëposhtme.

Në disa intervista në Report Tv, ekspertë dhe zjarrfikës paralajmëruan se materiali i fasadës ka përzierje me nënprodukte të naftës, që kanë favorizuar zjarrin. Pesë ditë pas ngjarjes së rëndë, banorët akoma nuk lejohen të hyjnë nëpër apartamente, ndërsa godina vijon të jetë e rrethuar me shirit policie, në ruajtje 24 orë. Pjesa më e madhe e tyre janë strehuar tek të afërm dhe ende nuk kanë përgjigje se çfarë do të ndodh me fatin e pasurive të tyre.

Sistemi kundër zjarrit në pallatin 10-katësh të ndërtuar në vitin 2021, rezultoi jo funksional pas uljes së automatit të godinës, pasi nuk kishte rrjet të pavarur për furnizimin me energji elektrike. Flakët u shfaqën fillimisht në katin e 9, në anën jugore të ndërtesës, por për shkak të materialit lehtësisht të djegshëm të fasadës, në pak minuta zjarri u përhap në fasadën veriore, duke përfunduar në katin e 6-të, aty ku u shkrumbuan plotësisht disa apartamente.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?