Zjarri në pallatin në Tiranë, inxhinieri Beqaj: S’ishte incident por defiçencë profesionale! Papa: Nëse do ishte përdorur lesh guri s’do kishte asnjë problem

18 Shtator 2023, 16:06| Përditesimi: 19 Shtator 2023, 10:10

  • Share

Në studion e emisionit “Përballje” me moderatore Besmira Pelushaj në Report Tv, të ftuarit  Matilda Pando Presidente e Shoqatës së Arkitektëve, inxhinieri Gezim Beqaj dhe Dhimitër Papa konstruktor treguan problematikat e ndërtesave, mangësitë e tyre në pajisjen me materiale kundër zjarrit dhe me sisiteme të veçanta për shuarjen e flakëve.

Më të rrezikuara sipas ekspertëve janë qiellgërvishtësit, të cilat në rast zjarri e bëjnë akoma më të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.

Sipas inxhinierit Beqaj, pasojat e zjarrit në pallatin 10-katësh në kryeqytet, mund të ishin evituar nëse ndërtesa do të ishte ndërtuar me materiale jo të djegshme. Për të rasti konkret nuk mund të konsiderohet incident por mungesë e theksuar profesionale e atyre që kanë ideuar projektin e ndërtesës. 

“Praktikisht aplikimi i materialeve të djegshme në fasadat bashkohore sot, është jo thjesht jo korrekt po shumë i rrezikshëm  dhe është një defiçencë profesionale. Pra nuk është një incident por pasojë e asaj që kemi thënë që duhet të kemi parasysh standard ne shërbimet inxhinierike. Çdo inxhinier dhe arkitekt që ushtron profesionin duhet të ketë minimumin e dijeve profesionale dhe ajo që është më e rëndësishme nga të gjitha është interesi publik, të informohet publiku për ndërtesat ku jetojnë”, tha Baqaj.

Prania e një materiali të djegshëm dhe mungesa e pajisjes me depot e ujit në lidhje me hidrantët e zjarrit, sipas Presidentes së Shoqatës së Arkitektëve e bën gjithnjë e më prtoblematike gjendjen e ndërtesave, pallateve dhe qiellgërvishtësve në Shqipëri. Sipas saj zjarri do të ishte izoluar në kohë nëse mangësitë do të ishin parashikuar në projektin e pallatit.

“Parimi themelor i funksionimit të fasadës së ventiluar në të njëjtën kohë është edhe pika e dobët e saj në lidhje me zjarrin. Fasada e ventiluar e vesh dhe kapsulon objektin, por në të njëjtën kohë lejon një hapësirë për qarkullimin e ajrit dhe kjo shërben si një oxhak për ventilimin dhe thithjen e ajrit dhe këtu është pika e saj e dobët në raport me zjarrin, pasi në momentin kur bie zjarr ajo e lejon lehtësisht për ta përthithur flakën dhe për ta shpërndarë në gjithë strukturën. Në rastin konkret kishte dhe një problem që kishte të bënte me certifikimin e materialeve të përdorura në fasadë”, u shpreh Pando.

“Praktikisht është rregulluar me ligj në normativat e mbrojtjes ndaj zjarrit, pajisja me depot e ujit në lidhje me hidrantët e zjarrit, është një aspekt i parashikuar por duhet bërë punë me inspektimin periodik”, tha Pando.

Ndërsa për inxhinierin Beqajn, problematikat e rastit konkret duhet të ishin rregulluar konkretisht me norma juridike, në mënyrë që të ndalohej përdorimi i materialeve të rrezikshme në rast zjarri.

“Në rastin konkret kemi të bëjmë me një material totalisht të djegshëm, por nuk dimë të themi nëse ky material ka qenë i parashikuar në projekt. Ka një klauzolë në normat ligjore, që në rast se mungon norma shqiptare duhet të referohemi te normat evropiane. Në rastin konkret nëse është projektuar një fasadë e ventiluar, përcaktohet qartazi materialet të cilat do të përdoren. Në pallatin 10-katësh kanë qenë të dyja llojet e materialeve, edhe shkuma pjesa termike por edhe pjesa e fasadës që ishte e djegshme, ndërsa mungojnë edhe hidrantët e jashtëm”, tha Beqaj.

Ndërsa konstruktori Papa, tha se problemi i zjarri nuk qëndron vetëm te fasada, por te materiali i përdorur.

“Problemi i zjarri nuk qëndron vetëm te fasada, sepse ne duke marrë shkas nga rasti i fundit jemi duke folur të gjithë për zjarret në fasadë. Në qoftë se do i referohemi objekteve të ndërtuara në Tiranë dhe Shqipëri, nga vitet 90 deri në vitet 2010 ndërtimet janë të gjitha të veshura me suva. Nga vitet 2010- 2015/ 2016  kur u bënë aktive dhe të domosdoshme termat e ruajtjes dhe mbrojtjes së energjisë lindi nevoja e veshjes së ndërtesave me kapotë, e cila nëse është material polisterol i padjegshëm izolon zjarrin dhe nuk e lejon të përhapet. Nëse do të ishte përdorur lesh guri nuk do të kishte asnjë problem me zjarrin”, tha Papa.

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?