Flakët në qendrën tregtare në Lushnjë, zjarrfikësi: S’kishte mjete e as rrugë për të kaluar! Inxhinieri i ndërtimit: S’ka funksionuar sistemi kundër zjarrit

26 Dhjetor 2023, 12:45| Përditesimi: 26 Dhjetor 2023, 13:48

  • Share

TIRANË- Zjarrfikësit luftuan ditën e djeshme 10 orë me flakët që përfshinë qendrën tregtare ‘Metropol’ në Lushnjë. Mungesa e autoshkallës e bënte të vështirë shuarjen e zjarrit, ndërsa zjarrfikësit hodhën ujë nga kati i parë për në katin e katërt të qendrës që ishte duke u shkrumbuar.

Kreu i sindikatës së zjarrfikësve, Bledar Bajrami tha në Report Tv se zjarri kishte fuqi të madhe dhe nuk përballohej, ndërsa vështirësitë kanë qenë edhe fakti që zjarrfikësit nuk kishin mjetet e duhura, siç ishte mungesa e autoshkallës që u dërgua rreth 8 orë me vonesë. Po ashtu, zjarrfikësi Bajrami ngriti edhe shqetësimin e hapësirës dhe rrugëve të ngushta që vështirësojnë po ashtu punën e zjarrfikësve.

Në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, Bajrami thotë se Lushnja ka nevojë për 40 zjarrfikës, por aktualisht ka vetëm 18. Ai tha se ky shqetësim është ngritur disa herë, por pa asnjë zgjidhje. Edhe ato 2 mjete zjarrfikëse që janë, nuk kanë pasur ujë as autoshkallë, sikurse konfirmoi edhe Kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa.

“Zjarri vetë kishte fuqi shumë të madhe, nuk përballohej as me ujë as me shkumë. Momenti parë që duhet luftuar, që do një trupë të fuqishme për të luftuar, ata s’kanë pas as mjete, as rrugë për të kaluar. Kanë faj edhe vetë qytetarët, nuk mund ta bllokojnë rrugën e zjarrfikëses”, tha Bajrami.

Një tjetër problematikë e madhe janë edhe sistemet e fikjes së zjarrit, për të cilat ekspertët në studio thanë se në shumicën e rasteve mungojnë. Inxhinieri i ndërtimit, Gëzim Beqaj thotë se në rastin konkret sistemi i fikjes së zjarrit nuk ka funksionuar. Ai shpjegon se vatra e zjarrit ka qenë brenda dhe fasada nuk është bërë shkak për përhapjen e flakëve. Ai thekson se nëse qendra do kishte pasur një sistem funksional kundër fikjes së zjarrit, vatra do ishte izoluar dhe nuk do kishte marrë përhapje kaq të madhe.

“Janë edhe pajisjet që janë në mungesë. Nëse do ishte bllokuar në fillim, s’do kishte këto përmasa, nëse do kishte pas forca do ishte bllokuar që në fillim, ujë, hidrantë”, tha Bajrami.

“Në rastin konkret nuk besoj se ngelet tek materialet e ndërtimit, zjarri ka rënë brenda. Mendoj se mund të jetë problem i masave të mbrojtjes kundër zjarrit që nuk kanë funksionuar. Sistemi kundërzjarrit është detyrues dhe të jetë funksional, dhe në mënyrë automatike bën fikjen e zjarrit dhe sinjalizimin e tij. Mesa duket këtu nuk ka funksionuar. Vatra ka qenë nga brenda, po të kishte qenë një sistem efikas, duhej të kishte ndërhyrë për fikjen e zjarrit. Sistemet testohen, nëse janë funksional, i jepet leja e shfrytëzimit. Ky sistem nuk ka funksionuar. 1 herë në 6 muaj duhet të testohet funksionon apo jo. Më pas zjarri lokalizohet nga ky sistem”, tha inxhinieri i ndërtimit Beqaj.

Zjarri mendohet se ka rënë në një dyqan këpucësh në katin e tretë nga ndonjë shkëndijë elektrike apo diçka e harruar ndezur por pritet ekspertiza të verifikojë saktë shkakun.

Ora 13:01
Zjarri në qendrën tregtare në Lushnjë, inxhinieri elektrik: Shkak mund të jetë shkëndija elektrike! Ja këshilla për qytetarët

 

Inxhinier elektrik, Azmer Dulevic i ftuar në Report Tv foli për zjarrin që përfshiu qendrën tregtare në Lushnjë. Ashtu siç është pista kryesore e hetimit, inxhinieri tha se një ndër shkaqet që mund të ketë çuar në rënien e zjarrit është shkëndija elektrike.

Ai shpjegoi se arsyet përse ndodhin shkëndijat elektrike janë pasi qytetarët në priza me ngarkesë të vogël, si psh për karikues, vendosin pajisje të tjera me ngarkesë më të madhe elektrike dhe kjo shkakton masë duke rrezikuar nisjen e flakëve në banesa apo biznese. Kjo ishte edhe një këshillë pë qytetarët, që të mos vendosin nëpër priza pajisje me ngarkesë më të lartë elektrike se sa është e projektuar për të përballuar një prizë.

“Arsyeja kryesore, që edhe pista e hetimit, besoj do jetë një shkëndijë elektrike. Një nga arsyet që ndodhin është se i ndryshojnë destinacionin rrjetit të projektuar elektrik. Është projektuar për tu përdorur për karikues, telefon, me ngarkesë të vogël dhe bizneset ia ndryshojnë destinacionin. E përdorin për ngrohëse elektrike sepse nuk e mban ngarkesën. Në mungesë edhe të pajisjeve mbrojtëse, shkrihet, bën masë, dhe përhapen flakët. Në rastin në fjalë me shumë mundësi mund të jetë edhe mbingarkesa e rrjetit që ka sjellë zjarrin. Kush e ka certifikuar këtë qendër, e dyta këto sistemet e alarmit kundër zjarrit, kundër tymit a kanë dhënë efekt në kohë reale, apo janë thjesht fiktive, vendosen sa për të marrë certifikimin”, tha ai.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 27/12/2023 03:10

    Shqiperia perdor voltazh te larte,keshtu qe qarqet e shkurter ndodhin me shpesh.Nuk e di nese ka ne Shqiperi,por tek ne prizat jane bere ne menyre te tille dhe kane nje buton qe e stakon automatikisht energjine e prizes e duhet t'i besh prape funksionale manualisht duke shtypur kete buton special.Nje tjeter problem pervec hidranteve te brendshem e sensoreve te zjarrit e tymit brenda godines,une shoh mungesen e hidranteve rrugore.Tek ne ne cdo trotuar ka hidrante te sheshte e ne cdo kthese trotuari ka nje hidrant te larte,para te cileve nuk lejohet te parkosh asnjehere.Nuk e di nese ne qytetet shqiptare ka firehydrant te tiile,shpresoj te jem gabim!

    Përgjigju
  • Liku: 26/12/2023 18:46

    Po qe instalimi elektrik pa automat çdo gjë ndodh dhe çdo pajisje duhet te ketë automatin e tij

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?