Shuhen flakët te magazina, por 'pushtohet' nga tymi, pas 24 orësh ende asnjë sinjal nga roja! Familjarët debatojnë me zjarrfikësit: Të prishet objekti

25 Mars 2021, 08:09| Përditesimi: 25 Mars 2021, 21:19

  • Share

TIRANË- Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë, nga zjarri që përfshiu një magazinë në qendrën tregtare ‘Casa Italias’, përgjegjësi i sigurisë Arjan Sala që mbeti i bllokuar brenda magazinës, ende nuk është gjetur, bëjnë me dije burime për Report Tv. Që prej orësh 16:00 të një dite më parë, dyshohet se trupi i 33-vjeçarit ndodhet brenda në magazinë, por për shkak të shtëllungave të dendura të tymit, është e vështirë që të ndërhyhet.

Flakët aktualisht janë shuar, po magazina rreth 1000 m2 është "pushtuar" nga shtëllunga të mëdha tymi, të cilët ua vështirësojnë punën forcave zjarrfikëse. Familjarët e 33-vjeçarit pretendojnë se forcat zjarrfikëse nuk kanë bërë sa duhet për të gjetur trupin e të afërmit të tyre.

Shefi i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj ka bërë me dije se në ndihmë të tyre kanë ardhur të gjithë zjarrfikësit e Bashkisë së Tiranës dhe edhe ekipet e kërkimit të minierave, ku po kërkojnë për 33-vjeçarin i cili prej më shumë se 24 orësh ka humbur të gjitha kontaktet me të afërmit e tij. Report Tv mëson se zjarri ka rënë në momentin që po shkarkohej një kamion me rroba, ku Arjan Sala ndërhyri për të shuar flakët, por fatkeqësisht mbeti brenda.

Xhaxhai i tij tha me lot në sy në një prononcim për mediat një natë më parë, se Sala ka shpëtuar 20 persona, ndërkohë që vetë nuk ia arriti të dilte. Ai tha më tej se tashmë shpresat i kishte tek Zoti, pasi për të nuk kishte asnjë shenje jete. Ambienti ku ka rënë zjarri ku ka qenë i mbushur plot me materiale, me rroba e dyshekë. Paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë një shkëndijë elektrike, por edhe kjo pistë akoma është e dyshimeve fillestare.

 

 

Ora 17:31
Zjarri në qendrën tregtare, vijnë në ndihmë të zjarrfikësve të Tiranë kolegët nga Rinasi dhe Kamza (VIDEO)

Pranë magazinës së djegur te qendra tregtare në Tiranë kanë mbërritur në ndihmë të forcave zjarrfikëse të Tiranës edhe kolegët nga Aeroporti Ndërkombëtar "Nënë Tereza"dhe ato të Kamzës.

Kujtojmë se roja Arjan Sala ende nuk është gjetur.

Ora 16:42
Ende asnjë shenjë nga roja i sigurisë që mbeti në magazinën e djegur, ushtria dërgon 2 grupe të specializuara te qendra tregtare te ish-Dogana (VIDEO)

Ushtria ka dërguar dy grupe të specializuara për ndërhyrje pranë magazinës së djegur te Casa Italia, ku  përgjegjësi i sigurisë Arjan Sala që mbeti i bllokuar brenda magazinës, ende nuk është gjetur.

Ushtrisë i është kërkuar ndihmë nga forcat zjarrfikëse dhe prej disa minutash i janë bashkuar kërkimit dhe vënies në kontroll të situatës.Deri tani, pavarësisht kërkimeve nuk ka asnjë shenjë nga 33-vjeçarit.

Ora 12:55
Moment i trishtë, djali i bllokuar në magazinë mbi 20 orë, babai mezi qëndron në këmbë

 

Babi i Arjan Salës, i cili prej orësh është i bllokuar në magazinën ku ra zjarri, ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Momentet janë prekëse, kua i e ka të vështirë që të qëndrojë në këmbë.

Ora 12:26
‘Ka qenë në krye të detyrës dhe ka shpëtuar të tjerët’, tezja e 33-vjeçarit: Shteti të marrë masa, të gjendet djali

Familjarët e 33 vjeçarit që ka mbetur brenda magazinës, kërkon nga shteti që të merren masat dhe të gjendet trupi i Arjan Salës. Tezja e të riut në një prononcim për mediat tha se ai është përpjekur që të shpëtojë të tjerët dhe ka mbetur vetë brenda.

'Jemi të mërzitur të tepër dhe pa shpresë! Kanë ardhur zjarrfikëse me vonesë. Janë masa qesharake, ne kërkojnë nga shteti që të merren masat. Të hapen vatrat, ky ka qenë punëtorë në krye të detyrës. Është përpjekur që të shpëtojë të tjerët. Ai nuk ka vrarë njerëz. Asnjë informacion nuk më kanë dhënë. Nuk kemi asnjë lloj shprese, me bombla dy kg, ato nuk janë zjarrfikëse emergjence. I bëj thirrje shtetit të marrë masa që të gjendet djali, gjallë a vdekur'- tha tezja e tij.

Ora 12:24
‘Iku vëllai jonë aty brenda’, familjarët e rojës që mbeti në magazinë përplasen me forcat zjarrëfikëse: Të prishet objekti, nuk kanë mjete për të ndërhyrë

Një përplasje ka ndodhur mes familjarëve të rojës që ka mbetur i bllokuar në magazinën tek Casa Italia. Ato pretendojnë se forcat zjarrfikëse nuk kanë bërë sa duhet dhe se nuk kanë mjetet e nevojshme.

‘A nuk ka një fadromë të hapin një dritare më të madhe?! Ai thotë është 180 gradë nuk futem brenda! Është komplet faji i zjarrfikëses! Iku vëllai jonë aty brenda! Pronari objektit ka dhënë urdhër, të prishet objekti, ku të duan forcat e zjarrfikëses. Nuk kanë mjete ato!’- u shprehën familjarët e revoltuar.

Ora 09:56
Zjarri në magazinë/ Flakët në momentin që 3 punonjësit po shkarkonin një kamion me rroba, Sala shkoi ta fikte, por mbeti brenda

 

Zbardhet dinamika se si ka ndodhur ngjarja në magazinën që vijon të digjet që prej pasdites së të mërkurës. Magazina 1000 m² i është dhënë me qira një subjekti privat për tregtimin e rrobave, nga administratorët e qendrës tregtare. Pasditen e djeshme ka mbërritur një kamion me rroba. Tre ose katër punëtorë kanë qenë duke shkarkuar kamionin. Sapo është hapur vatra e zjarrit, njëri prej punonjësve të sigurisë ka lajmëruar në radio: 'Ra zjarr, zjarr'. 33-vjeçari Arjan Sala ka shkuar drejt vatrës me bombolën e fikëses së zjarrit, ndërsa kolegu i tij ka dal jashtë për marrjen e një bombole tjetër. Brenda një harku kohor shumë të shkurtër, zjarri ka marrë përmasa të mëdha për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme.

Ora 09:09
Shefi i Zjarrfikëses: Magazina 1000 m2, i bllokuar roja, ende nuk e kemi gjetur! Kemi përforcime nga grupet e shpëtimit të minierave

Shefi i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj ka dhënë detaje lidhur me zjarrin në magazinën te qendra tregtare.

"Kemi një zjarr shumë të rrezikshëm i shkaktuar në një magazinë në ambientet e Casa Italia, zjarri është në bodrum dhe materialet janë këpucë e veshmbathje , prandaj na e bën shumë të vështirë punën për të neutralizuar zjarrin, kemi 15 orë që po punojmë me pajisje specifike, më të dhimbshme e bën situatën dhe njoftimin që kem marrë se një punonjës ndodhet në vatrën e zjarrin, pas 3 orëve të para zjarri është eliminuar, por përbërja e magazinës na e bën të pamundur eliminimin e tymit, kemi angazhuar të gjithë personelin e bashkisë, kemi kërkuar ndihmë dhe nga kërkim shpëtimi  minerave. Dhe nga bisedat që kemi bërë me pronarët, sipërfaqja është 1000 m2 dhe është e ndarë në disa pjesë, kemi bërë kontrolle në korridor dhe nuk kemi konstatuar trupin, puna është përqendruar te magazina, ambienti ku është magazina është e pamundur që të bëhet  ndërhyrje normale, ndërhyrja ka qenë nga brenda që në herën e parë, punonjësit futen grupe grupe, këto zjarre janë shumë të rrezikshme dhe po të kemi parasysh ngjarjet e kaluarakanë vazhduar për ditë të tëra, për objektin dhe zonën përrreth nuk do jetë i rrezikshëm se flakët janë ulur", tha Goxhaj.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • BENI: 25/03/2021 19:27

    HIDHNI NE GJYGJ KOMPANINE APO FIRMEN KU NDODHI ZJARRI PER TE DEMSHPERBLYER VIKTIMEN DERI NE 400.000 EURO,,,,PER MOS SIGURIMIN E JETES TE PUNETOREVE NE MAGAZINE,,PER MOS PASJEN E PAISJEVE A TE ALARMIT DHE FIKJES...

    Përgjigju
  • BENI: 25/03/2021 19:00

    KESHTU KUR I BENI PUNET ME BYTHE,,,,nuk vendosni asnje sistem alarmi,te lidhur me zjarrfikesit,,,dhe sistemi per shuajtjen e zjarrit,,,paguani tani faturen,,,marrezia gjithnje ka cmim....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?