TIRANË- Gati një vit pas zjarrit që nxori jashtë funksionit Urgjencën e re të QSUT, Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur dy specialistë të sektorit të inxhinierisë klinike, Enea Koka dhe Ejnar Shena. Hetimet janë mbyllur dhe dosja ka kaluar për gjykim, ndërsa organi i akuzës ka ngritur ndaj dy specialistëve akuzën “Shpërdorim Detyre”.
Sipas organit të akuzës, dy specialsitët nuk kanë siguruar funksionimin e sigurt dhe në përputhje me standardet e nevojshme të aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, përfshirë UPS-të dhe bateritë, të cilat janë thelbësore për funksionimin e shërbimeve mjekësore. Ata nuk kanë ndjekur procedurat për mirëmbajtjen dhe instalimin e këtyre pajisjeve, si dhe nuk kanë hartuar projektin teknik për ventilimin dhe mbrojtjen nga zjarri në vendet ku janë instaluar.
Prokuroria arriti në përfundimin se specialistët me veprimet e tyre nuk kanë zbatuar detyrat e përcaktuara në rregulloren e institucionit si:
1- Funksionimin e sigurt dhe në përputhje me standardet përkatëse të aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, ku përfshihen UPS-të dhe bateritë, pjesë integrale e pajisjeve mjekësore;
2- Nuk kanë planifikuar dhe ndjekur me përgjegjësi kryerjen e mirëmbajtjes së aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, në përputhje me udhëzimet e prodhuesve e konkretisht të UPS-ve dhe baterive;
3- Nuk kanë parashikuar dhe nuk kanë hartuar projektin teknik lidhur me ventilimin, ajrimin e vendosjen e UPS-ve, raportin teknik të projektimit dhe zbatimit nga zjarri në vendin ku do vendosen UPS-të dhe bateritë; si dhe
4- Nga aktet e administruara ata kanë qenë në dijeni të faktit që UPS-të dhe bateritë janë vendosur në katin 2-të godinës të Urgjencës se re, jashtë kushteve teknike dhe standardeve që kërkohen nga prodhuesi, për instalimin dhe funksionalitetin e tyre, megjithëse e kanë patur si detyrë funksionale dhe ofrimin e konsulencës teknike.
Prokuroria e Tiranës zbulon edhe rezultatet e aktit të ekspertimit, sipas së cilave është vërtetuar se shkaku i zjarrit më shkurt 2024 në QSUT ishte mungesa e një projekti të detajuar për instalimin e pajisjeve dhe përmbushjen e kushteve teknike të sigurisë, gjë që çoi në dëmtimin e godinës dhe ndërprerjen e shërbimeve të urgjencës.
“Në kuadër të këtij procedimi, u krye dhe akti i ekspertimit teknik elektrik, nga i cili ka rezultuar se shkaku i shkatërrimit nga zjarri i godinës së "Urgjencës së Re" në QSUNT ka qenë “mungesa e një projekti të detajuar të instalimit të stacionit të burimit emergjent UPS, të kushteve teknike të sigurisë për zhvendosje dhe instalim si dhe mungesa e zbatimit të kushteve teknike, standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri të instalimit të burimit emergjent të UPS, raftit baterive dhe kushteve ambientaliste të shfrytëzimit të tyre”, njofton Prokuroria e Tiranës.
Zjarri në urgjencën e QSUT shkaktoi kolaps në repartin e urgjencave. Prej më shumë se 3 muajsh pacientët detyroheshin të shkonin për të marrë shërbim në spitale si Shefqet Ndroqi, apo edhe në rrethe në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe Spitalin Memorial të Fierit. Urgjenca kishte 1 vit që ishte inauguruar, një investim me vlerë 17 milionë euro.
Në ditët e 44 të urgjencës jashtë shërbimit, Albana Fico deklaroi dorëheqjen nga drejtimi i Urgjencës së QSUT-së pas më shumë se 2 vitesh në krye, vend që e mban tashmë mjekja Alma Cani. Vendimi erdhi pas situatës kaotike të krijuar me urgjenca e në mesin e presionit nga opozita për të dhënë shpjegime se çfarë ndodhi në të vërtetë me urgjencën e re të QSUT-së.
Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)