Politikë

Zjarri në tregun sezonal në Durrës, Partia e Lirisë: Dështim i shtetit, Prokuroria të hetojë zyrtarët që shkelën ligjin, tregu jashtë kushteve të sigurisë!

1 Korrik, 11:36| Përditesimi: 1 Korrik, 11:44

  • Share

Durrës- Dështim i shtetit dhe braktisje e qytetarëve nga institucionet që duhet t’u garantojnë pronën dhe sigurinë publike.

Kështu e cilëson Partia e Lirisë shkak-pasojën e asaj që ndodhi të dielën në tregun sezonal industrial në lagjen nr. 3, Plazh, në Durrës, ku u dëmtuan nga zjarri të paktën 35 stenda tregtarësh.

Ishte anëtarja e Këshillit Bashkiak të Durrësit, Anisa Ibraj, ajo që me një deklaratë denoncoi sot braktisjen e qytetarëve nga institucionet. Për PL, ky zjarr nuk është aksidental, por produkt i një propagande shtetërore.

“Tregu i Durrësit nuk plotësonte kushtet minimale të sigurisë teknike, kjo është pohuar edhe nga vetë autoritetet, por është vërtetuar mbi të gjitha nga zjarri që e shkrumboi për pak minuta askush nuk mbajti përgjegjësi askush nuk mori masa parandaluese”, tha Ibraj mes të tjerash.

Në cilësinë e anëtares së Këshillit Bashkiak, ajo kërkoi hetime nga organet ligjzbatuese të ngjarjes dhe zbardhjen e përgjegjësive të zyrtarëve që nuk kanë respektuar ligjin, kanë firmosur apo abuzuar me detyrën duke lejuar që të ndodhte kjo situatë.

Zjarri ra ditën e diel (29 qershor) te tregu i hapur në Durrës, në sektorin 'Hekurudha', por u shua shpejt falë ndërhyrjes në kohë të forcave zjarrfikëse, por dëmet materiale ishin të konsiderueshme. Tregtarët arritën që të largonin mallin në kohë, kurse shkaku nga hetimet paraprake dyshohet një shkëndije elektrike në çatinë e një prej stendave (dyqaneve) të tregtarëve sezonalë në këtë treg.

Deklarata e plotë e anëtares së Këshillit Bashkiak Durrës, Anisa Ibraj:

"Ngjarja e rëndë që goditi qytetin e Durrësit me përmasat e frikshme të zjarrit që përfshiu tregun është një akt i rëndë i dështimit shtetëror dhe një dëshmi tronditëse e braktisjes së qytetarëve nga institucionet që kanë për detyrë të garantojnë jetën pronën dhe sigurinë publike

Ky nuk është thjesht një zjarr aksidental por rezultati i drejtpërdrejtë i një shteti që ekziston vetëm në propagandë ndërsa në realitet në çastet kur qytetarët kanë më shumë nevojë për mbrojtje dhe reagim zhduket plotësisht nga detyrimet e tij ligjore dhe morale

Tregu i Durrësit nuk plotësonte kushtet minimale të sigurisë teknike kjo është pohuar edhe nga vetë autoritetet por është vërtetuar mbi të gjitha nga zjarri që e shkrumboi për pak minuta askush nuk mbajti përgjegjësi askush nuk mori masa parandaluese

Si anëtare e Këshillit Bashkiak e Durrësit dhe përfaqësuese e Partisë së Lirisë ndjej si detyrim publik të kërkoj hetim të plotë dhe të menjëhershëm nga Prokuroria për të identifikuar të gjithë përgjegjësit institucionalë të kësaj katastrofe çdo zyrtar që ka firmosur heshtur apo shpërfillur detyrimet e tij duhet të përgjigjet para ligjit kompensim të menjëhershëm dhe të plotë për të gjithë tregtarët dhe qytetarët e dëmtuar të cilët humbën gjithçka për shkak të mosveprimit shtetëror një inspektim të jashtëzakonshëm në çdo hapësirë tregtare dhe publike të qytetit për të garantuar që një tragjedi e tillë të mos përsëritet më dhe transparencë të plotë nga Bashkia e Durrësit dhe institucionet përkatëse për çdo vendimmarrje mungesë kontrolli apo shpërdorim detyre që ka çuar në këtë gjendje alarmante

Qytetarët e Durrësit nuk mund të pranojnë më propagandë në vend të përgjegjësisë nuk mund të dëgjojnë më justifikime dhe fjalë të bukura pas çdo tragjedie ajo që kërkohet është veprim drejtësi dhe ndëshkim për ata që me neglizhencën e tyre rrezikojnë jetën dhe pronën e njerëzve të thjeshtë

Shteti nuk mund të qëndrojë më spektator përballë fatkeqësive që vetë i ka lejuar të ndodhin është koha për të rikthyer besimin e qytetarëve te institucionet përmes përgjegjësisë dhe veprimit konkret

Durrësi ka nevojë për institucione që mbrojnë njerëzit jo për burokraci që fshihet pas fasadës dhe heshtjes shtetërore. Partia e Lirisë do të jetë gjithmonë në krah të qytetarëve dhe zë i pandalshëm i atyre që kërkojnë drejtësi siguri dhe përgjegjësi reale nga ata që kanë pushtetin në dorë".

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?