TIRANË - Zjarri që ra në urgjencën e re në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" (QSUT) në datën 11 shkurt të vitit të kaluar shkaktoi një dëm në vlerën 30,728,100.11 lekë, thuhet në dosjen hetimore.
Ndërkohë ekspertiza e shkaqeve të zjarrit ka zbuluar mangësi të rënda në instalimin e pajisjeve elektrike.
Sipas aktit të ekspertimit teknik të administruar me shkresën nr. 6870/1 Prot datë 22.02.2024, ekspertët e MZSH-së konfirmojnë se vatra e zjarrit ka qenë në pjesën e baterive në këndin veri-lindor të katit -2. Shkaku i tij është përcaktuar si një qark i shkurtër elektrik te bateritë, thuhet në dosjen hetimore.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se në ambientin ku ndodhi zjarri ka pasur rritje të temperaturave, ndërsa nuk ishin të instaluara kamera sigurie për monitorim. Pamjet filmike të përfshira në dosjen hetimore tregojnë se zjarri ka shpërthyer në raftin e baterive.
“UPS dhe raftet e baterive janë vendosur poshtë kanalinave të hapura të rrjetit kabllor të shpërndarjes së energjisë elektrike, duke e ekspozuar ambientin ndaj rrezikut të madh të shpërthimit dhe zjarrit,” theksohet në raportin e ekspertëve. Po ashtu, mjedisi rreth pajisjeve nuk ka qenë i pastër dhe nuk ka pasur ajrim të mjaftueshëm.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, zjarri është përkeqësuar nga disa faktorë teknikë, duke përfshirë:
-Mungesën e një projekti të detajuar për instalimin e stacionit të burimit emergjent të UPS.
-Mosrespektimin e distancave të sigurisë midis raftit të baterive dhe UPS-it.
-Mungesën e sistemit të ventilimit dhe aspirimit për të shmangur rritjen e temperaturave.
- Përdorimin e prizave emergjente për pajisje si trokotor dhe trapan, të cilat mund të kenë ndikuar në lidhjet e UPS-it me bateritë.
Në dosjen e hetimeve citohet se shkaku determinant i zjarrit që ra në Urgjencë është shkelja e kushteve teknike dhe standardeve të sigurisë për instalimin dhe mbrojtjen nga zjarri të pajisjeve elektrike.
Për më tepër, dokumentet e administruara tregojnë se përgjegjës për këto mangësi janë specialistët e sektorit të inxhinierisë klinike në QSUT, konkretisht inxhinierët Enea Koka dhe Ejnar Shena. Ata nuk kanë ndjekur standardet e nevojshme për instalimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve elektrike, duke neglizhuar rreziqet e mundshme.
“Specialistët e sektorit të Inxhinierisë klinike, pranë QSUT-së, Enea Koka e Ejnar Shena, me veprimet e tyre nuk kanë zbatuar, detyrat e përcaktuara në rregulloren e institucionit lidhur me: Funksionimin e sigurt dhe në përputhje me standardet përkatëse të aparaturave dhe pajisjeve mjekësore në afërsi të pacientit, të lidhura me pacientin dhe/ose të nevojshme për diagnostikimin ose trajtimin e tij, ku përfshihen UPS-ët dhe bateritë, pjesë integrale e pajisjeve mjekësore, “ thuhet në dosjen e siguruar nga Top Channel.
Komente
