Ka përfunduar ndërhyrja ajrore në masivin pyjor të Darëzezës, ku që prej mëngjesit të sotëm janë angazhuar dy helikopterë të tipit Cougar të Forcave të Armatosura. Mjetet ajrore kanë operuar pa ndërprerje nga ora 09:00 deri në 11:00, në kuadër të shuarjes përfundimtare të zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të madhe pyjesh një ditë më parë.
Pas përfundimit të ndërhyrjes nga ajri, kontrolli i zonës po bëhet nga toka.
Zjarri në pyllin e Darëzezës ishte riaktivizuar mesditën e djeshme në fshatin Darëzezë e Re, njësia administrative Dërmenas, vetëm pak orë pasi ishte raportuar se ishte shuar.
Tereni ranor, era e fortë dhe përmasat e mëdha të flakëve vështirësuan ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse në zonë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, mbi 10 hektarë pyll dhe bimësi e dendur janë përfshirë nga flakët, ndërsa në operacion u përfshinë 7 automjete zjarrfikëse me 40 efektivë të MZSH, një buldozer, një fadromë, si dhe helikopterë të Forcave të Armatosura.
Komente
