Elbasan- Është vendosur nën kontroll zjarri i cili ka përfshirë pasditen e sotme kodrat e Krastës në Elbasan, kjo është bërë e ditur pas një reagimi të Ministrisë së Mbrojtjes ditën e sotme.
E njohur edhe si “mushkëria e qytetit”, zona u pa sot teksa prej saj dilnin shtëllunga tymi.
Menjëherë janë angazhuar forcat e zjarrfikëse të Elbasanit, të cilat po punojnë me intensitet për fikjen e zjarrit.
Mbetet i panjohur edhe shkaku dhe rrethanat e përhapjes së kësaj vatre, teksa po hetohet edhe nga policia për ta zbardhur, nëse ka qenë e qëllimshme.
Pas një pune të pandërprerë të Forcave të Armatosura është arritur të vihet nën kontroll zjarri në malin e Krastës në Elbasan.
Aktualisht, forcat zjarrfikëse dhe strukturat e përfshira në operacion vazhdojnë punën intensive për izolimin e plotë dhe shuarjen përfundimtare të vatrave të mbetura. Po ashtu, vijon monitorimi i terrenit për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm për shkak të erës.
Në këtë aksion u përfshinë 12 efektivë të FA dhe një mjet zjarrfikës nga Detashmenti i Mbrojtjes Rajonale Mengël, Elbasan.
Komente
