Dibër- Një zjarr i madh përfshiu një pallat trekatësh në qendër të Peshkopisë, duke shkrumbuar të gjithë çatinë e tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:10 të mëngjesit të sotëm.
Flakët kanë nisur nga kati i tretë i pallatit dhe janë përhapur me shpejtësi. Megjithë ndërhyrjen e shpejtë të zjarrfikësve, çatia është dëmtuar e gjitha si dhe u prekën disa apartamente.
Por efektivët penguan përhapjen e flakëve më tej, teksa banorët u evakuan dhe nuk pati të lënduar në njerëz.
Dëmet janë vetëm në materiale. Vatra e zjarrit shkaktoi panik te banorët, ndërsa mbeten ende të panjohura shkaqet e rënies së tij.
Njoftimi i Policisë së Dibrës:
"Rreth orës 02:10, në qytetin e Peshkopisë, ka rënë zjarr në një apartament në katin nr 4, të një pallati, ku si pasojë zjarri është përhapur edhe në disa apartamente të tjera që ndodheshin në këtë kat. Shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë evakuuar banorët e pallatit, si dhe kanë bërë të mundur shuarjen e plotë të flakëve.
Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit".
Komente
