Situata nga zjarret në vend mbetet kritike. Dukej sikur kishte një përmirësim të situatës, por në orët e pasdites dhe të mbrëmjes situata u përkeqësua në disa fshatra në jug të vendit. Banorët në fshatin Kaninë dhe në Sasaj janë evakuuar nga banesat.
Një helikopter punoi deri rreth orës 21:00 për shuarjen e flakëve në Kaninë. Zjarrfikësit janë ende në terren dhe po punojnë për shuarjen e flakëve pasi rrezikohet të digjen edhe banesa, ndërsa situata në terren u inspektua edhe nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. Zjarri vijon përhpajen drejt Shën Vasilit dhe Vanës, ndërsa Ministria e Mbrojtjes deklaron se në aksion janë angazhuar zjarrfikësit e Delvinës dhe Sarandës, efektivët e Forcave të Armatosura, zjarrfikës nga Baza e Mbështetjes së Emergjencave Civile.
Ndërkohë, situata paraqitet kritike edhe në Lukovë e fshatin Shalës të Konispolit. Zjarrfikësit e ambulanca ndodhen në Lukovë, ndërsa për shuarjen e flakëve po punohet edhe në Shalës.
Një vatër zjarri ka edhe në zonën Bashaj, Bashkia Delvinë, rreth 1 km në jug të tunelit të Skërficës, por qarkullimi vijon normalisht. Flakët rrezikojnë të hyjnë në territorin e Bashkisë Gjirokastër, në zonën e mbrojtur të Piksit.
Ndërkohë, situata në Borsh u stabilizua mëngjesin e sotëm. Borshi u zgjua në një situatë të rrezikshme si pasojë e flakëve masive që kishin "pushtuar" vendin. Flakët në fshatin bregdetar iu afruan plazhit, ndërsa pushuesit filluan të largohen nga hotelet. 40 banorë dhe turistë që rrezikoheshin nga zjarri masiv u evakuuan. Rruga kryesore Himarë-Sarandë për disa orë ishte e pakalueshme për shkak të rrezikut nga flakët.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se pas situatës tejet të vështirë në Borsh situata u vu nën kontroll, ndërsa në operacion u përfshinë dy helikopterë të ushtrisë dhe një avion zjarrfikës Canadair i dërguar nga Italia në kuadër të ndihmës nga BE.
Në Bulqizë, në zonën e Qafë Buallit, flakët janë përhapur drejt Qytetit të Vjetër, duke detyruar evakuimin e gjashtë banesave. Situata mbetet problematike në Parkun Kombëtar të Prespës dhe në Lurë, ku flakët po përhapen në zona të mbrojtura.
Gjatë 72 orëve të fundit janë identifikuar, kapur, arrestuar apo proceduar penalisht 12 persona të dyshuar si shkaktarë të zjarreve në qarqe të ndryshme, përfshirë Tiranën, Vlorën, Durrësin, Gjirokastrën dhe Fierin.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka falenderuar efektivët e FA që luftojnë me zjarret në fshatrat e zonës.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, beteja me flakët vazhdon në disa zona, ndërkohë që vatrat e Markatit dhe Shalsës në Konispol mbeten në monitorim.
Zjarri në Lukovë është shumë pranë banesave.
Në këtë zonë ka edhe turistë të shumtë të cilët kanë zgjedhur Lukovën për të kaluar aty pushimet.
Një zjarr aktiv prej disa ditësh në zonën Bashaj, Bashkia Delvinë, rreth 1 km në jug të tunelit të Skërficës, po përhapet me shpejtësi drejt majës së malit, i favorizuar nga era.
Flakët rrezikojnë të hyjnë në territorin e Bashkisë Gjirokastër, në zonën e mbrojtur të Piksit.
Po monitorohet situata por ndërhyrja nga toka është e pamundur për shkak të terrenit dhe ndërhyrja ajrore mbetet mundësia e vetme për kontrollin e zjarrit.
Përkeqësohet situata nga zjarri në fshatin Sasaj.
Rreth 50 banesa të këtij fshati rrezikohen nga zjarri i madh i cili po afrohet tek banesat, policia ka evakuar banorët duke qëndruar në qendër të fshatit, pasi rreziku është pranë banesave për shkak të erës.
Vijon zjarri në Kalasë të Delvinës, ndërsa flakët po përhapen edhe drejt Shën Vasilit dhe Vanës
Zjarrfikëset në terren për të ruajtur që të mos afrohet zjarri në shtëpitë e banuara.
Zjarri në Shalës është rreth 500 m larg nga shtëpitë e para. Në terren janë 3 mjete zjarrfikëse. Situata paraqitet kritike edhe në fshatin Sasaj.
Janë aktivizuar mbrëmjen e sotme edhe vatrat e zjarrit në Lukovë. Në pamjet e siguruara nga Report Tv shihet se tymi ka mbuluar Himarën.
Ndërkohë, flakët janë afruar edhe në Shën Vasil.
Vijojnë operacionet me helikopter nga ajri dhe zjarrfikëse nga toka. Aktualisht është ndërprerë energjia dhe banorët janë evakuuar.
Ndërkohë, zjarri që ka përfshirë fshatin Markat është duke u përhapur drejt fshatit Shalës-Konispol.
Zjarrefikësit e Gjirokastrës vijojnë përpjekjet intensive për izolimin e vatrave të zjarrit në zonën e pyllit të mbrojtur në fshatin Zhulat si dhe për menaxhimin e zjarrit ende aktiv në malin e fshatit Fushbardhë.
Trupa e MZSH ka ndërhyrë duke u përballur me terren tepër të vështirë, si për shkak të largësisë ashtu edhe të thepisjes së tij. Të gjitha vatrat e arritshme janë izoluar megjithatë, disa zona të paarritshme mbeten ende aktive për shkak të pamundësisë së ndërhyrjes tokësore.
Për shuarjen e plotë të flakëve pritet ndërhyrja nga ajri. Në pamundësi të ndërhyrjes së mëtejshme nga toka, trupat zjarrefikese Gjirokastër dhe forcat mbështetëse do tërhiqen, duke mbetur në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim të mëtejshëm.
Në fshatin Fushëbardhë, nga ora 04:00 deri në orën 17:10 vatrat e zjarrit u izoluan plotësisht, duke parandaluar përhapjen në zona të tjera të banuara ose me rrezik.
Në Kalasë, situata paraqitet serioze për shkak të përhapjes së zjarrit nga era e fuqishme pranë zonës së banuar.
Ministria e Mbrojtes bënë me dije se në aksion janë angazhuar zjarrfikësit e Delvinës dhe Sarandës, efektivët e Forcave të Armatosura, zjarrfikës nga Baza e Mbështetjes së Emergjencave Civile dhe një helikopter Black Haëk.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe Kryetari i Bashkisë Delvinë Besmir Veli ndodhen në terren, ku po ndjekin nga afër operacionin në mbështetje të banorëve dhe përpjekjet për minimizimin e rrezikut për jetën e qytetarëve.
Ndërkohë, zjarri i ardhur nga Kalasa momentalisht po kalon mbi malin e Lukovës në sipërfaqe me bimësi të dendur. Fronti është në majë të malit në drejtim të Lukovës dhe Sasajt dhe po favorizohet edhe nga era.
Ndërsa zjarri në fshatin Kalasë vijon, në ndihmë ka shkuar edhe helikopteri, i cili ka nisur hedhjen e ujit nga ajri, me qëllim izolimin e flakëve që rrezikojnë të përhapen në sipërfaqe më të mëdha dhe banesa.
Ndërkohë në zonë për të parë nga afër situatën ka shkuar edhe Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Pasi zjarri në fshatin Kalasë në Delvinë vijon, policia ka nisur evakuimin e banorëve.
Në pamjet e siguruara nga Report Tv shihen forcat e policisë teksa janë duke evakuuar të moshuar edhe fëmijë. Ata kanë bërë rezistencë ndaj policisë, pasi duan që të jenë afër banesave të tyre.
Aktualisht në këtë fshat janë vetëm 2 zjarrfikëse të Delvinës.
Delvina vijon ende të përballet me zjarret. Gjatë pasdite së sotme, zjarri ka hyrë në fshatin Kalasë.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se nga zjarri rrezikohen të digjen banesat.
Banorët kanë kërkuar edhe ndihmë nga ajri për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit, i cili është nisur drejt fshatit Kalasë, ndërsa po shkojnë edhe 2 zjarrfikëse nga Himara të FA.
Arben Kingji, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ndodhet në zonën e Qafës së Buallit dhe Planit të Bardhë në Bulqizë, në krye të operacionit për shuarjen e dy vatrave aktive të zjarrit. Ai konfirmoi se 35 trupa të FA janë angazhuar vetëm në këtë zonë.
Kingji tha se në koordinim me emergjencat civile dhe Agjencinë e Mbrojtjes Civile janë marrë të gjitha masat edhe për evakuim, nëse do të jetë e nevojshme.
‘Që në orët e para të mëngjesit jemi në zonën e Bulqizës, sepse jemi në rajonin e Qafës së Buallit ku jemi të angazhuar 35 forca pasi kemi dy vatra zjarri, njëra është këtu në Bulqizë dhe tjetra është në qafën e buallit. FA në zbatimin dhe koordinim të plotë me emergjencat civile po punojnë në gjithë qarqet e vendit. Në qarkun Dibër, jemi në Qafën e Buallit dhe Bulqizës, në Lezhë jemi në Rrëshen, në Vlorë jemi në Himarë, Piqeras dhe në Kaninë. Në Berat kemi në Galinë, në Gjirokastër në Fushë- Bardhë dhe në qarkun e Korçës jemi në Pustec. Nëse do të kërkohet evakuim janë marr masat e plota. Jemi në kordinim edhe me agjencinë e mbrojtjes civile, FA janë të angazhuar në përballimin me sukses të kësaj situate’, tha ai.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu po ndjek nga afër situatën e krijuar me zjarrin në Vlorë e jo vetëm. Në përfundim të mbledhjes së Komitetit të Emergjencave Civile në Vlorë, ministri Vengu theksoi se angazhimi i institucioneve është i plotë dhe po punohet intensivisht për rikthimin e normalitetit në zonat e prekura.
Ai tha se janë shuar vatrat e zjarrit në aksin Borsh-Piqeras-Lukovë dhe zjarri në Kaninë, ndërsa theksoi se forcat zjarrfikëse janë në terren për të monitoruar situatën nga afër.
‘Sapo kemi përmbyllur një mbledhje të Komitetit të Emergjencave Civile në prezencë edhe të ministres së Turizmit Mirela Kumbaro në zonat e prekura orët e fundit nga zjarret në Vlorë. Jemi në një situatë ku po përpiqemi që të rikthejmë normalitetin në mbarë zonën dhe kemi një situatë shumë më pozitive qoftë në aksin Borsh- Piqeras- Lukovë dhe në lartësinë e Kaninës ku vatrat janë shuar plotësisht. Vijojmë që të jemi vigjilentë dhe të kemi trupa të angazhuar në terren, dy helikopter dhe një Canadair italian. Kemi një situatë ku forcat në tokë mbeten të angazhuar që vatrat të mos rindizen', tha ministri.
Është riaktivizuar sërish vatra e zjarrit në Kalasë të Delvinës. Ndërkohë, raportohet për një vatër zjarri edhe në në malin Saraqin në Markat, Konispol. Në terren ndodhen 40 forca zjarrfikëse dhe po punojnë për shuarjen.
Strukturat e Policisë së Shtetit, krahas angazhimit në terren në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, forcat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Emergjencat Civile, për evakuimin e banorëve që rrezikohen nga zjarret dhe për shuarjen e tyre, po vijojnë me intensitet veprimet hetimore dhe operacionale për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve, të qëllimshme apo të shkaktuara nga pakujdesia.
Gjatë 72 orëve të fundit janë identifikuar, kapur, arrestuar apo proceduar penalisht 12 shtetas të dyshuar si autorë të zjarrvënieve në disa qarqe të vendit, konkretisht:
Tiranë: Arrestohet autori i zjarrvënies në zonën e mbrojtur të Malit me Gropa.
Durrës/Shijak: Arrestohet autori i dyshuar i zjarrit që përfshiu një sipërfaqe pyjore në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, duke rrezikuar banesat përreth.
Fier: Arrestohet autori i zjarrvënies në fshatin Frakull e Vogël, si dhe procedohet penalisht një tjetër shtetas që dogji mbeturina në tokën e tij, në fshatin Stan Karbunarë, duke dëmtuar disa rrënjë ulliri në pronësi të një shtetasi tjetër.
Vlorë: Ndalohet një shtetas për zjarrvënie të qëllimshme gjatë pastrimit të territorit, që shkaktoi djegien e një sipërfaqeje të madhe me bimësi në malin e Shashicës.
Sarandë: Procedohet penalisht një 59-vjeçar, për zjarrvënie në malin e Finiqit.
Gjirokastër: Arrestohet autori i zjarrvënies në fshatin Kakavijë.
Kurbin: Procedohet penalisht një shtetas që dogji një sipërfaqe në zonën e mbrojtur të Shkopetit, si pasojë e një konflikti me banorët.
Dibër: Procedohet penalisht një shtetas që shkaktoi djegien e një sipërfaqeje të konsiderueshme me bimësi, në fshatin Dovolan.
Shkodër: Procedohet penalisht një shtetas që ndezi mbeturina dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe me bimësi.
Poliçan: Procedohet penalisht një 57-vjeçar, pasi ndezi zjarr në fshatin Lybeshë dhe si pasojë u dogj një sipërfaqe toke me bimësi, në vendin e quajtur “Berthanes”.
Belsh/Cërrik: Arrestohet në flagrancë një shtetas, pasi dyshohet se ndezi zjarr në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogjën një sipërfaqe toke me ullinj dhe një sipërfaqe pylli.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako thotë se situata me zjarret në vend është në kontroll. Në një deklaratë për mediat, Çako falënderoi të gjithë ekuipazhet që kanë marrë pjesë në terren për shuarjen e flakëve.
Çako tha se disa nga vatrat më problematike, të cilat kanë rrezikuar seriozisht jetën dhe normalitetin e banorëve ka qenë në Malin e Shpiragut, në qytetin e Vlorës, në Malin e Shashicës, mbi Kaninën, në Brosh, në Piqeras, por edhe në Bulqizë. Çako shprehet se falë ndryshimit të kohës, jemi në një situatë krejt të favorizueshme, por gjithsesi të gjitha vatrat në terren po mbahen në monitorim dhe po punohet për shuarjen e tyre.
“Pas disa ditësh operacion, ndodhemi në bazën e Kuçovës, ku kemi pasur mundësi të falenderojmë dhe të përcjellim ekuipazhin hungarez, i cili mori pjesë prej katër ditësh në mbështetje të ekuipazheve tona për menaxhimin e zjarreve në të gjithë Shqipërinë. Aktualisht, situata e zjarreve është në kontroll. Kanë qenë dy ditë shumë të ngarkuara, dy ditë dhe netë, sidomos mbrëmja dhe nata ka pasur një intensitet të jashtëzakonshëm zjarresh, çka ka bërë të domosdoshme aktivizimin dhe organizimin e të gjithë forcave të strukturave operacionale të nivelit vendor, qendror, të forcave të armatosura të policisë së shtetit dhe gjithçka ka qenë e nevojshme, ashtu sikurse aktualisht vazhdojnë të jenë në operim në terren.
Disa nga vatrat më problematike, të cilat kanë rrezikuar seriozisht jetën dhe normalitetin e banorëve ka qenë në Malin e Shpiragut, në disa fshatra, në qytetin e Vlorës, në Malin e Shashicës, mbi Kaninën. Po ashtu, problem ka pasur në Bulqizë. Por edhe në Brosh, edhe në Piqeras, ku ka pasur prezencë të shtuar të forcave dhe të strukturave, të cilët kanë mundur në mënyrë të jashtëzakonshme, së pari të sigurojnë jetën e qytetarëve dhe vendbanimet e tyre. Kur jo në pak raste është dashur dhe ka dalë e nevojshme evakuimi i banorëve, derisa situata është normalizuar dhe është bërë rikthimi i tyre në vendbanimet e tyre.
Vlen të theksohet fakti që dita e sotme është me një përmirësim të konsiderueshëm të vatrave të zjarrit, ndonëse kemi ende një numër të madh të tyre, po monitorohen me forca të shumta. Dhe falë ndryshimit edhe të kohës, jemi në një situatë krejt të favorizueshme që shpresojmë ta menaxhojmë në nivel kombëtar pa dëme dhe rreziqe për qytetarët tanë. Jemi bashkë me komandën e bazës së farkës të aviacionit, është një falenderim i jashtëzakonshëm për komandantin, por dhe gjithë stafin e pilotëve heroikë shqiptarë, të cilët kanë punuar dhe kanë sakrifikuar gjithçka këto ditë, duke ardhur në ndihmë qytetarëve, duke mbështetur strukturat operacionale në momentet më kritike, ndaj dhe falenderoj komandant Vinin”, tha Çako.
Report Tv sjell këto video kur avioni nga Italia Canadair është në operacion për të shuar flakët në Borsh. Ai dallohet teksa kalon mbi pushuesit të cilët po shijojnë rrezet e diellit në plazh. Avioni mbushet me ujë dhe më pas ngrihet sërish për të shuar flakët.
Një avion Canadair nga Italia i ka ardhur në ndihmë vendit tonë për të shuar flakët në Borsh. Pamjet që vijnë nga Borshi turistik janë të trishta. Malet janë totalisht të shkrumbuara, ndërsa në operacion përveç avionit Canadair për shuarjen e flakëve po punon edhe një helikopter Coguar.
Report Tv sjell edhe këto pamje, nga momenti kur avioni Canadair mbushet me ujë, ndërsa ne det dallohen edhe pushues që po lahen.
Situata e zjarreve në Qarkun Korçë paraqitet aktualisht e stabilizuar, me vatra të vendosura nën kontroll. Zjarri në fshatin Strelcë, Nj.Adm. Gorë, Bashkia Maliq, është shuar dhe po monitorohet nga 60 forca të angazhuara nga strukturat vendore.
Zjarri midis fshatit Dishnicë dhe fshatit Barç, Nj.Adm. Bulgarec, Bashkia Korçë, është në kontroll. Të gjitha vatrat janë shuar, por monitorimi vijon nga 58 forca të angazhuara në terren, për të parandaluar riaktivizimin deri në neutralizimin e plotë dhe të sigurt.
Zjarri mbi fshatin Lajthizë, Bashkia Pustec, në Parkun Kombëtar të Prespës, është gjithashtu në kontroll. 64 forca janë duke punuar për neutralizimin e plotë të vatrave. Aktualisht, risk paraqet vetëm një vatër, e cila ndodhet pranë kreshpës me bimësi të dendur. Po përqendrohen forca të shtuara për neutralizimin e saj.
Është drejt fikjes zjarri që filloi 3 ditë më parë në malin Shpirag. Vetëm një vatër zjarri ka mbetur tashmë në zonën kodrinore të fshatit Paftal. Është punuar gjatë gjithë natës nga forcat zjarrfikëse dhe forcat e ushtrisë, të cilët kanë mbyllur të gjitha vatrat, duke shmangur edhe rrezikun e përhapjes së flakëve drejt fshatrave Paftal e Galinë.
Gjatë orëve të mëngjesit, në fikjen e zjarrit kanë mbërritur edhe dy helikopterët e ushtrisë, që hodhën ujë nga lartësia. Në fikjen e zjarrit janë angazhuar forca të shumta zjarrfikësish, forca policie, forca të shumta ushtarake dhe shtabet e emergjencave në bashki e prefekturë.
Aktualisht ka vetëm një vatër aktive, ku po punohet nga zjarrfikësit dhe ushtria për fikjen e saj, ndërkohë që e gjithë zona po mbahet nën kontroll. Shërbimet zjarrfikëse dyshojnë për një zjarrvënie të qëllimshme, që rrezikoi disa fshatra dhe shkrumboi qindra hektarë tokë, ndërkohë që dëmet e shkaktuara nga zjarri nuk janë përllogaritur ende. Ndërsa situata në Poliçan është nën kontroll.
Një ditë më parë situata në fshatrat Zgërbonj e Vasjar ku janë evakuar nga banesat. Zjarri ka përshkuar gjithë zonën, ndërsa janë shkrumbuar pyje me shkurre e pisha të egra. Ditën e sotme situata është nën kontroll. Vetëm disa vatra të cilat janë nën monitorim.
Në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, një avion zjarrfikës Canadair është nisur nga Italia dhe do të angazhohet në operacionet ajrore për shuarjen e flakëve në jug të vendit, në zonat Borsh, Piqeras dhe Lukovë.
Ky mjet ajror do të forcojë ndërhyrjet në terrene të vështira dhe të paarritshme nga toka, duke dhënë ndihmë në përballimin e situatës së zjarreve që kanë përfshirë këto zona.
Ndërkohë, helikopterët e Forcës Ajrore do të angazhohen pranë fshatit Zhulat, në rajonin e Gjirokastrës, si dhe në zonën e Qafëbuallit, pranë Bulqizës.
Policia e Tiranës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të zjarrvënies së ndodhur një ditë më parë në zonën e mbrojtur të Malit me Gropa, ku u dogjën rreth 600 hektarë kullota dhe bimësi natyrore brenda Parkut Kombëtar të Dajtit.
I arrestuari është Bahri Hysa, 63 vjeç, banues në Fushë-Stanë. Hetimet paraprake tregojnë se ai, gjatë punës si bari në zonë, ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullotë në vendin e quajtur “Fushë Stanë”. Zjarri, i favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, është përhapur me shpejtësi, duke përfshirë lugina dhe zona të tilla si Gryka e Mullinit dhe Qafa e Qershisë, të cilat ndodhen brenda kufijve të zonës së mbrojtur.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Një zjarr ka përfshirë kurorën e gjelbër të fshatit Zhulat në Bashkinë Gjirokastër që në orët e para të mëngjesit të sotëm. Sipas të dhënave zyrtare, zjarri ka nisur rreth orës 04:00 dhe për shkak të terrenit të vështirë forcat zjarrfikëse e kanë të pamundur ndërhyrjen e plotë nga toka.
Në operacion janë angazhuar 14 zjarrfikës, 20 ushtarë të Forcave të Armatosura, 7 forca nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARSH) dhe 30 punonjës nga Bashkia Gjirokastër.
Të gjithë efektivët në terren po përballen me vështirësi të mëdha, pasi për të mbërritur në vatrën e zjarrit nevojiten rreth 4 deri në 5 orë ecje me këmbë për shkak të terrenit të thyer.
Zjarrfikësit e konsiderojnë ndërhyrjen nga ajri si domosdoshmëri për të izoluar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit në pyllin me bredha. Autoritetet vijojnë monitorimin dhe pritet ndërhyrje nga ajri.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 45 vatra zjarri nga të cilat 21 janë ende aktive, 16 vatra nën monitorim dhe 8 janë shuar.
Mbeten aktive këto vatra:
- Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, vazhdon aktiv Vatra e quajtur Gropa e Madhe dhe Pllau i Gjurës mbi fshatin Gurë-Lurë Zjarri, ku janë rreth 50 forca nga strukturat operacionale.
- Në fshatin Zall Gjoçaj, bashkia Mat ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit të rënë më me një shtrirje mbi 14 km, me zhvillime në tre kahe: nga Masdeja ku përfshin sipërfaqe të konsiderueshme në pyje, në Qafa e Tollës si dhe në vendin e quajtur Fush Kuqe ku në terren operuan rreth 46 forca nga strukturat operacoinale.
- Në Qafë Buall, Bashkia Bulqizë është përhapur drejt zonës së Qytetit të Vjetër, fshatit Plan i Bardhë dhe drejt Krastës. Në operacionin e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 120 forca nga strukturat operacionale dhe kanë ndërhyrë 2 helikopterë. Situata është më e qetë dhe nuk rrezikohen zona urbane. Janë evakuuar 6 banesa
- Në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë, ka vijuar operacioni me të gjitha strukturat, të ndihmuar nga 58 efektivë dhe 4 automjete zjarrfikëse të FA-së. Vartra ka midis fshatrave Borsh, Piqers. Sasaj, njësia administrative Lukovë, janë 4 vatra te shkëputura midis tyre por në lartësi dhe pa asnjë mundësi ndërhyrje me njerëz dhe mjete. Era ndihmon përhapjen me shpejtësi të flakëve. Ndërhyrje nga ajri ka në orët e para të mëngjesit.
- Vatra e zjarrit që përfshiu fshatrat Kalas - Tatzat - Senicë - Vergo - Kopaçëz - Palavli, të bashkisë Dlvinë , aktualisht vazhdon aktiv zjarti fshatin Kopaçëz në mal, ku janë angazhuar rreth 70 forca nga të gjitha strukturat operacionale, një autoa,bulancë dhe helikopteri Cougar .
- Në zonën e Shmilit në fshatin Lugaxhi, bashkia Elbasan, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin në teren të rreth 50 forcave bga strukturat operacionale.
- Në zonën mbrapa mali të Lisecit, Bashkia Gramsh, është izoluar në shumë pjesë vatra e zjarrit e aktivizuar që prej mbrëmjes së djeshme në terren të vështirë për ndërhyrne e forcave operacionale. Zjarri është sipërfaqësor dhe pa dëme, sepse pylli është shumë i lartë.
- Në zonën e Shkopetit, njësia administrative Milot, vazhdon aktiv zjarri vatra e të cilit është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Pjesa më aktive e vatrës është përhapur në zonën e kufirit ndarës mes bashkive Kurbin-Mirditë-Mat, mbi lartësitë e fshatit Lurth, kua janë angazhuar rreth 80 forca vendore të bashkive Kurbin e Mirditë. Nuk ka rrezik për banesat.
- Në fshatin Kulmë dhe fshatin Fang, bashkia Mirditë, zjarr i rënë në një sipërfaqe pyjore ka marrë përmasa të mëdha, favorizuar nga temperaturat ekstreme dhe era që fryn. Në fshatin Fang operuan forca zjarrfikëse, shërbimi pyjor, forca bashkiake dhe vullnetarë të ndihmuar dhe nga 80 forca ushtarake në total me 3mjete dhe rreth 40 forca bashkiake.
- Në vendin e quajtur Qeramica ndërmjet fshatrave Trestenik- Vishocicë të bashkisë Devoll, është aktivizuar një vatër zjarri, e cila për shkak të erës rrezikon të përhapet, pasi vendi ku ndodhet është e veshur me barishte e shkurre.
- Në fshatin Kriçkovë, bashkia Pogradec, forcat operacionale janë në terren për vënien në kontroll të situatës.
- Në Parkun Kombëtar të Prespës, fshati Lajthizë, Bashkia Pustec, është aktivizuar një vatër zjarri. Për shuarjen e zjarrit u aktivizuan në total rreth 60 forca operacionale, ndërsa sot pritet të angazhohen 75 forcave operacionale.
- Në fshatin Galinë, bashkia Berat zjarri është aktiv dhe në vendngjarje ka shkuar Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Berat.
- Në zjarrin e rënë në fshatin Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, bashkia Gjirokastër, i cili ka ardhur nga territori i bashkisë Delvinë, nga një zonë në lartësi të madhe, u angazhuan rreth 60 forca të strukturave operacionale, por zjarri është duke përparuar drejt vendit të quajtur Bregu i Pamjes, zonë e mbrojtur dhe pritet ndërhyrje nga ajri.
- Zjarri në fshatin Izvor i Vjetër dhe në fshatin Duraj, bashkia Memaliaj, vazhdon të jetë aktiv. Zjarri është izoluar dhe fikur ne fshatrat Levan, Bardhj, Xhafaj, Njësia Administrative Krahës.
- Vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në Malin me Gropa, bashkia Tiranë, në një sipërfaqe rreth 30 ha kullotë dhe pyll. Në operacion morën pjesë rreth 55 forca nga strukturat operacionale. Është bërë arrestimi i një personi të dyshuar për zjarrëvënie të qëllimshme.
- Në fshatin Ibë, Bashkia Tiranë, zjarr ka rënë në terreni të vështirë dhe me rrugë të pakalueshme për mjetet zjarrfikëse. Në operacion janë angazhuar: 2 helikopterë të Forcave të Armatosura, 6 mjete dhe 25 forca nga struktura operacionale.
- Në fshatin Shetel, Bashkia Shijak, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Në vendngjarje janë dislokuar rreth 40 forca nga strukturat operacionale. Priet ndërhyrje nga ajri.
- Bashkia Malësi e Madhe është aktive vatra në vendin e quajtur "Rraze Veshtit". Në operacion për izolimin dhe shuarjen e kësaj vatre zjarri janë angazhuar 35 forca nga të gjitha strukturat operacionale . Terreni është mjaft i vështirë, nuk është e mundur te ndërhyhet me mjete zjarrfikëse.
Në monitorim mbeten vatrat në Fshatin Ulëz, bashkia Mat; në Livadhet e Peladhisë, bashkia Bulqizë; Në Majën e Paliskës, dhe në vendin e quajtur Sashic, bashkia Vlorë; Në fshatin Markat, Bashkia Konispol; Në vendin e quajtur pyjet e Gurakuqit, bashkia Librazhd; Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë; në fshatin Strelcë, bashkia Maliq; Në fshatin Muzhakë, bashkia Skrapar; Në fshatin Konisbaltë, bashkia Dimal; Në fshatin Paftal, bashkia Berat, në zonën e Shpiragut; në fshatin Zgërbonjë, bashkia Poliçan; në vendin e quajtur Gryka e Motinës, mbi fshatin Dragobi, në malin Sukë, fshati Mamëz, bashkia Kukës;
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan:
- 65 automjete zjarrfikëse,
- 1350 forca operacionale.
- Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë,
- 5 automjete zjarrfikëse dhe 2 Helikopterë nga Forcat e Armatosura,
- 2 helikopterë hungarezë, si dhe 2 helikopter Canadair të ofruar nga Mekanizimi i Mbrojtjes Civile Evropiane Kroat dhe Italian, që operuan në zonën e Vlorës.
Sipas informacionit të dërguar nga Instituti i Gjeoshkencave , sot priten reshje të dobëta në qarkun e Shkodrës dhe lokale të dobëta në shumicën e qarqe të vendit.
Policia ka njoftuar ditën e sotme se është bërë i mundur arrestimi i autorit të dyshuar të zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të pyllëzuar në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, Shijak, duke rrezikuar djegien e banesave.
“Falë veprimeve të shpejta hetimore, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. B., 58 vjeç, banues në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, Shijak.
Arrestimi i tij u bë pasi, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfshirë një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar në fshatin Shetel, duke rrezikuar edhe banesat pranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, mbi bazën e nenit 206/a të Kodit Penal, "Shkatërrimi me zjarr i pyjeve ose i mjedisit pyjor",- njofton policia.
Policia e Vlorës ka arrestuar një person me akuzën e zjarrvënies në malin e Shashicës. Në pranga u vu Elmaz Fejzaj, 33 vjeç, banues në fshatin Kaninë, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr për pastrimin e barërave në një kullotë në Shashicë dhe më pas zjarri është përhapur edhe në drejtim të territorit të fshatrave Kaninë dhe Sherishtë.
“Si rezultat i punës hetimore dhe i veprimeve të shpejta për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë ndaluan shtetasin E. F., 33 vjeç, banues në fshatin Kaninë, Vlorë.
33-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr për pastrimin e barërave, në një sipërfaqe toke kullotë në pronësi të tij, në vendin e quajtur “Gryka e Zguros”, në malin e Shashicës, ku si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme, me shkurre dhe bimësi të dendur. Zjarri është përhapur edhe në drejtim të territorit të fshatrave Kaninë dhe Sherishtë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia e Vlorës.
Elmaz Fejzaj
Prefektura e Qarkut Korçë ka njoftuar se vijojnë operacionet për shuarjen dhe monitorimin e vatrave të zjarrit në qark, me një angazhim të gjerë të forcave.
Sipas informacionit zyrtar të datës 27 korrik 2025, ora 08:30, në terren janë angazhuar rreth 171 forca njerëzore, ndër to efektivë të shërbimit zjarrfikës, strukturave pyjore, njësive administrative dhe repartit ushtarak 1033 Drenovë.
Në operacion po përdoren gjithashtu 7 mjete zjarrfikëse të tipeve të ndryshme dhe 5 mushka të ngarkuara me ujë dhe mjete shuarjeje, për të mundësuar ndërhyrjen në zonat me akses të vështirë.
Për orientimin dhe mbikëqyrjen e situatës nga ajri, janë vënë në përdorim dronë të cilët ndihmojnë në koordinimin e operacioneve. Autoritetet vijojnë të monitorojnë nga afër gjendjen dhe të ndërhyjnë për neutralizimin e çdo vatre aktive.
Situata në terren:
1. Fshati Dishnicë, Nj.Adm. Bulgarec, Bashkia Korçë
Zjarri vijon aktiv në disa vatra të izoluara në zonën ndërmjet fshatrave Dishnicë dhe Barç. Operacionet e shuarjes po kryhen nga pozicione të favorshme në terren, ndërsa zona e Çardhakut po verifikohet me kujdes për të shmangur rrezikun e përhapjes.
Vatrat janë nën kontroll të neutralizuara duke u mbajtur në monitorim.
2. Parku Kombëtar Prespa, Bashkia Pustec
Terreni i thyer dhe era përbëjnë vështirësi për ndërhyrje direkte. Janë identifikuar dy vatra të vogla poshtë shkëmbinjve. Forcat janë të ndara në grupe të specializuara dhe të pajisura me mjete të përshtatshme për këtë terren. Mbikëqyrja ajrore me dronë vijon në mënyrë të pandërprerë.
3. Fshati Strelcë, Nj.Adm. Gorë, Bashkia Maliq
Zjarri është neutralizuar. Aktualisht ndodhen në terren 60 forca për monitorim dhe kontroll të vazhdueshëm të zonës, me qëllim parandalimin e çdo riaktivizimi të mundshëm të vatrave.
Mbetemi ne kontakt.
Kryeministri Edi Rama ka falenderuar përmes një postimi në rrjetet sociale forcat e shumta zjarrfikëse dhe të ushtrisë të cilët po “luftojnë” me vatrat aktive të flakëve në mbarë vendin. Kreu i ekzekutivit falënderon veçanërisht shefin e policisë së Delvinës, Agim Troci, i cili 2 ditë më parë u asfiksua dhe pësoi djegia nga flakët, gjatë përpjekeve të shpëtuar disa qytetarë.
“MIRËMËNGJES
dhe me falënderimin me respekt për çdo efektiv të Forcave të Armatosura e të Policisë së Shtetit po ashtu, me një veçim plot admirim për shefin e policisë së Delvinës, Agim Troci që shpëtoi jetë duke rrezikuar të tijën, si edhe zjarrfikës, forca të Urgjencës Kombëtare e të Emergjencave Civile, të cilën janë në gatishmëri në këtë kohë të vështirë zjarresh në gjithë Europën Mesdhetare, ju uroj të diel të mbarë”,- shkruan Rama.
Pamjet e mësipërme tregojnë luftën e zjarrfikësve mëngjesin e sotëm me flakët masive që kanë përfshirë pjesë të mëdha të fshatit Borsh në Himarë, prej mbrëmjes së djeshme.
Komente

VDEKSH NJE ORE E ME PARE ISHALLAH O EDI RAMA O QEN BIR QENI ...... O HAJDUT I NDYRE.....BASHKE ME SALI KERMEN....
Përgjigju