Foto ilustruese

Zjarri, shpikja që na bëri njerëz

4 Prill 2023, 18:22| Përditesimi: 4 Prill 2023, 18:24

  • Share

Nga shpikjet më të mëdha të njerëzimit, zjarri, mbetet po aq i rëndësishëm sot sa në kohën e paraardhësve tanë të lashtë. Edhe pse jo aq i dukshëm sa dikur. Sepse në përgjithësi e kemi zëvendësuar vatrën tradicionale të zjarrit me furrat elektrike dhe ngrohjen qendrore. Sot e përdorim zjarrin në mënyra që paraardhësit tanë nuk mund ta imagjinonin.

Kështu motori me djegie të brendshme ka zëvendësuar kafshët dhe këmbët tona të brishta si një metodë e preferuar e udhëtimit. Brenda një dite mund të udhëtojmë shumë më larg sesa shumica dërrmuese e paraardhësve tanë gjatë gjithë jetës. Por zjarri ka bërë shumë më tepër sesa ka prodhuar energjinë që e bën jetën tonë të rehatshme. Sipas një profesori të Universitetit të Harvardit, zjarri e ndryshoi rrjedhën e evolucionit të species sonë. Zjarri kërkon tre elementë: oksigjen, karburant dhe një burim nxehtësie.

Meqë dy nga tre elementët sigurohen natyrshëm nga bimët, historia e zjarrit u lidh në mënyrë të ndërlikuar me to. Disa nga dëshmitë tona më të hershme mbi zjarrin datojnë rreth 440 milionë vite më parë në periudhën Siluriane kur klima e Tokës u stabilizua, kur u shfaqën bimët dhe kafshët. Ajo periudhë ofron dëshmitë më të hershme fosile të bimëve vaskulare. Në atë pikë, zjarri shndërrohet në një fenomen të përsëritur, me një aktivitet të lartë ose të ulët bazuar në kushtet mjedisore. Gjatë periudhës së Karboniferit, oksigjeni atmosferik arriti një rekord prej 31 për qind, teksa bimët u përhapën në të gjithë super-kontinentin Pangea.

Ndaj të dhënat e nxjerra nga qymyri sugjerojnë shumë aktivitete të zjarreve gjatë kësaj periudhe. Anasjelltas, sasia e vogël e qymyrit nga periudha Triasike, sugjeron se ka pasur më pak sasi oksigjen në atmosferë dhe më pak bimë. Disa miliona vite më vonë, tek Mioceni i Vonë, homininët u zhvendosën në kullota dhe filluan të largoheshin më tej nga të afërmit e tyre majmunë, me shumë gjasa për shkak të ndryshimit midis savanës afrikane dhe xhunglës së dendur. Atje ata kanë hasur në më shumë zjarre të rregullta. Kultura popullore e mbështet imazhin e një njeriu të shpellave që përplas dy gurë së bashku. Prej tyre fluturojnë shkëndija dhe më pas momenti i eurekës. Në fakt përdorimi i parë i zjarrit nga paraardhësit tanë ndoshta nuk ishte një çështje kontrolli apo shpikje.

Ka shumë të ngjarë të ishte një moment oportunizmi. Në një përmbledhje mbi Transaksionet Filozofike të Shoqërisë Mbretërore Britanike, J.A.J Gautlet hipotezon se homininët përfituan nga zjarret natyrore për të kërkuar ushqime. “Për homininët, përfitimet nga zjarri mund të përfshinin nxjerrjen e vezëve të shpendëve, brejtësve, hardhucave dhe kafshëve të tjera të vogla, si dhe jo–vertebrorëve.

Edhe pse zjarri nuk krijon burime të tilla, ai i bën ato shumë më të dukshme dhe gatimi i rastësishëm mund të përmirësojë tretshmërinë e tyre. Gautlet vëren se analoge të kësaj sjelljeje ekzistojnë sot në botën natyrore. Shimpanzetë e Savanës i përdorin zjarret për të gjetur burimet, ndërsa disa lloje zogjsh ndjekin zjarret për të rrëmbyer çdo lloj gjahu që ka dalë jashtë pyllit për shkak të tymit dhe flakëve.

Ndërkohë homininët e hershëm do të kenë nisur të zbulojnë vetitë e zjarrit duke vëzhguar dhe ndërvepruar me këto flakë. Për shembull, nëse një copë mishi rezulton shumë e papërpunuar, ata mund të kenë mësuar ta vendosin në prush për të vazhduar procesin e gatimit.

Duke pasur parasysh mbështetjen tonë të hershme tek natyra për zjarrin, nuk është çudi që vjedhja e zjarrit është shfaqur herë pas here në mitologjitë e botës. Është e vështirë të ndjekësh ecurinë e kontrollit të homininëve mbi zjarrin. Sepse shenjat e zjarrit nuk janë ruajtur aq mirë në të dhënat arkeologjike sa mjetet e punës dhe guri i strallit.

Disa zona arkeologjike kanë ofruar një bollëk veglash prej guri, gjë që sugjeron ndarje afatgjatë. Ato lënë të kuptohet se homininët mësuan të mbanin zjarrin ndezur 2.5 milionë vjet më parë. Por provat e drejtpërdrejta për këtë hipotezë janë të pakta.

Ndërsa ecim përpara në kohë, mund të shohim më shumë prova të kontrollit të homininëvembi zjarrin. Arkeologët kanë zbuluar gjurmë zjarri dhe mbetje kafshësh dhe bimësh të djegura në shpellën Vonderverk në Afrikën e Jugut. Ato datojnë rreth një milionë vjet më parë.

Dhe vatra më e vjetër e njohur, e gjetur në shpellën Qesem në Izrael, daton më shumë se 300.000 vjet më parë. Në këtë rast arkeologët nuk janë të sigurt se cilat specie homininejetonin në Qesem. “Të dhënat tregojnë se ato ishin të ndryshëm nga Homo Erectus dhe ka ngjashmëri si me Homo Sapiens po ashtu edhe me Neandertalët”- tha Ran Barkai, arkeologu nga Tel Aviv.

Dëshmitë më të mira për ndezjen e zjarrit, shfaqen rreth 120.000 vjet më parë kur homininëtkishin qasje tek spangoja, një kusht për të ndërtuar harqe. “Përdorimi i zjarrit nuk është një teknologji ose një proces i vetëm, por disa shkallë përdorimi dhe ndoshta disa teknologji që evoluan gjatë një periudhe të gjatë, që u ndërthurën dhe ndonjëherë përfundimisht u lidhën së bashku”- thotë Gautlet.

Por si na bëri njerëz zjarri? Ai na dha mundësi të gatuanim ushqimin tonë. Mishi i gatuar është më i lehtë për t’u përtypur dhe tretur. Trupi ynë mund të nxjerrë më shumë lëndë ushqyese nga e njëjta sasi mishi. Po ashtu gatimi i perimeve rrit nivelet e gjërave të shëndetshme si antioksidantët.

Kjo sepse procesi i gatimit shkatërron muret qelizore të bimëve dhe ashtu si mishi, i bën ato më të lehta për t’u tretur dhe përpunuar. Dhe aftësia për të krijuar ushqime të gatuara i dha formën trurit dhe trupit të paraardhësve tanë Homo Sapiens.

Meqë paraardhësit tanë shpenzonin më pak energji për tretjen e ushqimeve, dhe mund të nxirrnin lëndë ushqyese shtesë, kishin më shumë lëndë ushqyese për të shpenzuar, dhe evolucioni i shpenzoi ato për të ushqyer një tru më të madh. Dhe ky i fundit na dha mundësi të përpunonim më shumë informacione, të krijonim grupe sociale më dinamike dhe të përshtateshim me habitatet e panjohura.

Që të gjitha këto ishin shumë të dobishme në aspektin evolucionar. Gjithsesi hipoteza e gatimit ka kundërshtarët e saj. Disa studiues thonë se ka pak prova se njerëzit gatuanin apo mbanin ndezur zjarre në kohën e Homo erectus (afro 1.5 milionë vjet më parë).

Por është ndërkaq e mundur që një dietë me mish të papërpunuar dhe perime mund të ketë siguruar lëndët ushqyese të nevojshme për trurin më të madh. Hipoteza të tjera mund të shpjegojnë rritjen e madhësisë së trurit të homininëve. Për shembull hipoteza e trurit social,  argumenton se truri ynë evoluoi për të përballuar sfidat e të jetuarit në grupe të mëdha shoqërore.

Por edhe këtu luan një rol zjarri. Mos harroni se para se paraardhësit tanë të ndiznin zjarrin, ata duhej ta ruanin atë. Kjo kërkonte një ndarje pune, e cila është e mundur vetëm tek një specie me një rrjet social shumë të strukturuar.

S’ka asnjë dyshim që zjarri ka qenë një shtytës kryesor në evolucionin e qytetërimit. Ai na ndihmoi të migronim në klimat që në rrethana të tjera do të ishin jo mikpritëse. Ai ishte thelbësor për zhvillimin e kuzhinës, bujqësisë, metalurgjisë, arkitekturës dhe një sërë industrish të tjera. / BigThink – Bota.al

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?