Zjarri i rënë ditën e djeshme në tregun sezonal të plazhit të Durrësit dyshohet se ka ardhur në rrethana aksidentale, nga një shkëndijë elektrike mbi çatinë e një prej dyqaneve dhe më pas është përhapur duke shkaktuar dëme materiale në të paktën 35 stenda apo tezga të vendosura aty.
Policia vendore dha informacionet paraprake mbi ngjarjen e djeshme (29 qershor), ku zbuloi edhe disa detaje nga dinamika e saj.
“Pasditen e djeshme është njoftuar Policia e Durrësit, se në tregun sezonal, në lagjen nr. 13, ka rënë zjarr. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat kanë mundësuar shuarjen e zjarrit. Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në çatinë e njërit prej dyqaneve dhe është përhapur si pasojë e erës”, informon policia.
Grupi hetimor mbetet në pritje të ekspertimit piroteknik që do përcaktojë përfundimisht shkakun e këtij zjarri. Gazetari i Repor Tv, Aldo Mustafa, informoi se po kryhen veprimet hetimore dhe ato administrative, sikurse pastirmi i tregut nga materialet e djegura. Paralelisht po hetohet edhe për përgjegjësitë e rastit nëse do të gjenden shkelje proceduriale apo të kushteve të sigurisë.
Do jenë institucionet vendore që do përcaktojnë dhe vendosin për rihapjen e tij. Një pjesë e mirë e tregtarëve arritën ta shpëtojnë malli në kohë pas zjarrit, teksa 35 stenda janë dëmtuar rëndë nga flakët.
Si pasojë e flakëve pati vetëm dëme materiale, ndërsa ndërhyrja e shpejtë bëri edhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve. Tregtarët do presin vendimin e institucioneve për të rinisur aktivitetin aty apo në një zonë tjetër të përshtatshme.
“Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, me qëllim dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me këtë rast”, njoftoi policia.
Forcat zjarrfikëse erdhën edhe nga Kavaja e Shijaku. Nuk raportohet për dëme në njerëz, por u dëmtuan tezgat e tregtarëve ambulantë. Shumica e tregtarëve në këtë treg arritën të zhvendosin në kohë mallin e tyre, duke e shpëtuar nga flakët.
Lajmi kryesor:
Zjarret shkrumbojnë 56 ha me pyje e ullishte, Vlora më e prekura! Digjet tregu në Durrës, prefekti: S’kishte kushte teknike
A.Q/SI.E./ReportTv.al