Kronikë

Zjarri te tregu sezonal i plazhit të Durrësit dëmtoi 35 stenda, Policia: Shkak shkëndija elektrike në çatinë e një prej dyqaneve, era ndihmoi përhapjen!

30 Qershor, 11:27| Përditesimi: 30 Qershor, 14:17

  • Share

Zjarri i rënë ditën e djeshme në tregun sezonal të plazhit të Durrësit dyshohet se ka ardhur në rrethana aksidentale, nga një shkëndijë elektrike mbi çatinë e një prej dyqaneve dhe më pas është përhapur duke shkaktuar dëme materiale në të paktën 35 stenda apo tezga të vendosura aty.

Policia vendore dha informacionet paraprake mbi ngjarjen e djeshme (29 qershor), ku zbuloi edhe disa detaje nga dinamika e saj. 

“Pasditen e djeshme është njoftuar Policia e Durrësit, se në tregun sezonal, në lagjen nr. 13, ka rënë zjarr. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat kanë mundësuar shuarjen e zjarrit. Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në çatinë e njërit prej dyqaneve dhe është përhapur si pasojë e erës”, informon policia.

Grupi hetimor mbetet në pritje të ekspertimit piroteknik që do përcaktojë përfundimisht shkakun e këtij zjarri. Gazetari i Repor Tv, Aldo Mustafa, informoi se po kryhen veprimet hetimore dhe ato administrative, sikurse pastirmi i tregut nga materialet e djegura. Paralelisht po hetohet edhe për përgjegjësitë e rastit nëse do të gjenden shkelje proceduriale apo të kushteve të sigurisë.

Do jenë institucionet vendore që do përcaktojnë dhe vendosin për rihapjen e tij. Një pjesë e mirë e tregtarëve arritën ta shpëtojnë malli në kohë pas zjarrit, teksa 35 stenda janë dëmtuar rëndë nga flakët.

Si pasojë e flakëve pati vetëm dëme materiale, ndërsa ndërhyrja e shpejtë bëri edhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve. Tregtarët do presin vendimin e institucioneve për të rinisur aktivitetin aty apo në një zonë tjetër të përshtatshme.

“Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, me qëllim dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me këtë rast”, njoftoi policia.

Forcat zjarrfikëse erdhën edhe nga Kavaja e Shijaku. Nuk raportohet për dëme në njerëz, por u dëmtuan tezgat e tregtarëve ambulantë. Shumica e tregtarëve në këtë treg arritën të zhvendosin në kohë mallin e tyre, duke e shpëtuar nga flakët.


Lajmi kryesor:

Zjarret shkrumbojnë 56 ha me pyje e ullishte, Vlora më e prekura! Digjet tregu në Durrës, prefekti: S’kishte kushte teknike


A.Q/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?