TIRANE- Flakët kanë rënë në bodrumin e Spitalit Psikiatrik rreth orës 21:50, të mbrëmjes së 5 shkurtit 2025.
Policia informoi sot se 'shkak dyshohet të jetë një shkëndije elektrike".
Gazetari i Report TV, Sokol Dema, informon se zjarri është konstatuar në katin -1 të këtij spitali, në një ambient të bodrumit ku mbaheshin materiale të ndryshme, të vjetra apo magazinimi.
Nga këqyrja e kryer rezultoi se ishin djegur vetëm disa dyshekë të vjetër që më tej do të hidheshin në mbeturina si të përdorur nga stafi i spitalit. Shkëndija elektrike dhe prania e materialeve lehtësisht të djegshme cilësohen si shkaqet e ngjarjes.
Paniku ka qenë i madh, por ndërhyrja e forcave zjarrfikëse ktheu në normalitet situatën brenda një kohe të shkurtër. Aty nuk ka pasur pajisje apo servera si në rastin e parë të zjarrit në Urgjencë, ku janë marrë nën akuzë edhe punonjës të spitalit.
Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Mbrëmë Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” informoi se zjarri ka rënë në katin -1 të Spitalit të Neurologjisë por ‘pa asnjë rrezik për pacientët apo stafin’
“Stafi mjekësor dhe ekipet teknike kanë ndërhyrë për të vlerësuar situatën dhe garantuar vijimin normal të shërbimit. Autoritetet përkatëse janë njoftuar për të kryer verifikimet e nevojshme dhe për të siguruar që gjithçka është në parametra të sigurt’ informoi mbrëmë ministria e Shëndetësisë.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)