Një avion ‘Airbus’ i kompanisë spanjolle ‘Iberia’, për pak sa nuk përfundoi i shkatërruar plotësisht në një katastrofë ajrore të radhës, teksa u detyrua të bënte një ulje emergjente të dielën (3 gusht).
Shkaku ishin një tuf zogjsh, një prej të cilëve duket se u përplas me mjetin fluturues. Shpendi shkaktoi një të çarë të madhe në turirin e avionit, që u zmadhua më tej si pasojë e presionit të ajrit dhe gravitetit. Por pilotët arritën ta menaxhonin me sukses situatën. Ngjarja ndodhi pak pas ngritjes nga aeroporti i Madridit ‘Barajas’.
Pamjet e hedhura në rrjetet sociale dhe media tregonin edhe dëmin e shkaktuar, teksa avioni kishte destinacion aeroportin Orly në Paris, (Francë). Ai pësoi dëme të konsiderueshme në hundë dhe në një nga motorët e tij.
Sipas raportimeve, avioni që pësoi dëme të konsiderueshme ishte një nga më të rinjtë në flotën e Iberias. Për fat të mirë nuk pati personel apo pasagjerë të lënduar, informon media.
Sipas ekspertëve, një nga faktorët ndihmues ishte se ngjarja ndodhi pak pasi mjeti u ngrit në fluturim. Pas goditjes me hundën e avionit, zogu përfundoi tek një nga motorët. Në këto rrethana u kërkua ulja emergjente dhe u krye pa probleme, afërsisht 20 minuta pas incidentit.
Goditjet e zogjve janë një dukuri relativisht e zakonshme në aviacion. Avionët dhe motorët e tyre janë projektuar dhe certifikuar për t'i bërë ballë përplasjeve të tilla deri në një farë mase.
Komente
