Zonat e Mbrojtura/ Kumbaro: Banka Botërore fond 75 mln dollarë për trajtimin e ujërave në Vjosë! Këtë vit u rikthyen lejlekët në Gjirokastër

4 Prill, 12:25| Përditesimi: 4 Prill, 12:26

  • Share

Kumbaro tha se kanë rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura, ndërsa u ndal edhe në rastin e shpalljes së Vjosës së Park Kombëtar dhe veçoi një projekt prej 75 milionë dollarësh për trajtimin e ujërave të ndotura që derdhen në këtë lumë.

“75 milionë dollarë është marrëveshja me Bankën Botërore për trajtimin e ujërave të zeza që derdhen në Vjosë. E kemi shpallur mjedisin prioritet kombëtar, 480 km të Vjosës plus tre degët e lumenjve janë 12 mijë hektarë zonë e mbrojtur. Përmes vendimmarrjes racionale dhe një bashkëpunimi shembullor me shoqërinë civile dhe partnerë ndërkombëtar, duke krijuar një model dinjitoz se si mund ta kthejmë biodiversitetin në një kartë vizite për Shqipërinë”, tha ajo.

Kumbaro midis të tjerash vlerësoi edhe ligjin për moratoriumin e gjuetisë.

“Është kjo mazhorancë që ka vendosur moratoriumin e gjuetisë duke kthyer gjallesat në shtëpinë e tyre. Lejlekët na u kthyen edhe këtë vit në Gjirokastër dhe ky është një lajm i mirë”, tha ajo midis të tjerash.

Në vijim të fjalës së saj, Ministrja Kumbaro përmendi edhe gjithë vendimet e mazhorancës që ndër vite e kanë rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura në 21,5% të territorit të Shqipërisë.

“Është kjo mazhorancë politike që vendosi kritere dhe kontroll në mbrojtje të territorit, është kjo qeveri që, në vijim të vendimeve të Këshillit Kombëtar të Territorit të vitit 2020, duke nisur nga janari i vitit 2022 i dhamë për herë të parë Vjosës statusin e zonës së mbrojtur për ta shpallur në atë kohë Park Natyror; luginën e Shalës po ashtu e bëmë pjesë për herë të parë të zonave të mbrojtura me statusin Park Natyror; bashkuam Thethin, Valbonën, Lumin e Gashit duke krijuar Parkun Kombëtar Alpet e Shqipërisë, nga Shkodra e Malësia e Madhe deri në Tropojë, me një sipërfaqe të dyfishuar; shpallëm Malin e Munellës Park Natyror; Syrin e Kaltër po ashtu nga thjesht monument natyre, i dhamë statusin e Parkut Natyror të gjithë zonës duke e zgjeruar përreth në një sipërfaqe 290 hektarë; Po kështu u zgjerua Parku Natyror i Ulzës; Parku Natyror i Zagorisë që më parë nuk ka qenë fare zone e mbrojtur. Pra për ta thënë shkurt, u rrit sipërfaqja e zonave të mbrojtura nga 17,5% në 21,5% të territorit të Shqipërisë, me 12 Parqe Kombëtare, 718 Monumente Natyre, 23 Parqe Natyrore. Dhe arsyeja se përse po i përmend shumë shkurtimisht, është vetëm për të kujtuar se mbrojtja e pasurive natyrore të Shqipërisë ka qenë dhe vijon të jetë vizion i kësaj qeverie, është vullnet, është ekspertizë dhe sigurisht është guxim. Sepse nuk është e lehtë që, në një vend të vogël si Shqipëria, me nevoja të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik e punësim dhe me plagë të rënda sociale për shkak të kusureve të historisë, të mbrosh zona të tëra natyrore. Ky është vizion drejt zhvillimit të qendrueshëm dhe një shenjë emancipimi e maturie shoqërore e politike e vendit”, tha Kumbaro.

Sa i takon ligjit, Kumbaro sqaroi se është në përputhje me standardet ndërkombëtare të Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës (IUCN) ku Shqipëria u anëtarësua për herë të parë në vitin 2024.

“Ligji i amenduar është në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit siç janë ato të IUCN dhe direktivave Europiane përkatëse, dhe mbi të gjitha me frymën e kohës,  për të arritur ekuilibrin e nevojshëm mes mbrojtjes së natyrës, biodiversitetit”.

Në fund të fjalës, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro kishte një mesazh për opozitën.

“Juve s’kemi ç’tju bëjmë, kur s’jeni të bindur e s’e dini as ju pse s’jeni, madje edhe kur doni të bindeni nuk dini as se kujt duhet t’i bindeni. Nga unë keni thjesht mirëkuptim për hallin… po nuk jua zgjidhim dot ne. Sa ta zgjidhni ju mes vedi, ne do vazhdojme të punojmë fort, të ecim shpejt, dhe vizionin e Shqipërisë Turistike, Shqipërise së gjelbër, dhe Shqipërisë kampione të Ballkanit të vitit 2030, nuk e lëshojmë! Neve na qoftë rruga e mbarë për të mirën e popullit shqiptar dhe juve u vaftë mbarë sa të gjeni kush do beje çfarë për të mirën e demokracisë shqiptare!”, përfundoi fjalën e saj Kumbaro në interpelancën e thirrur për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura.


Lajmi kryesor:

Ligji për Zonat e Mbrojtura, Zhupa: Për llogari të oligarkëve, do ndërtojnë resorte luksoze! Kumbaro: Vetëm ndërtime ekologjike


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?