Kultura

“Zullulandia”, shfaqja mbi motivet e veprës së Konicës! Premiera e re në skenën e Teatrit Eksperimental në Tiranë

22 Maj, 13:46| Përditesimi: 22 Maj, 15:27

  • Share

Një festë e madhe me nota satirike dhe një zgjim mbi realitetin ku po jetojmë cilësohet shfaqja “Zullulandia”, e cila ka ardhur premierë në Teatrin Eksperimental mbrëmjen e kësaj të mërkure. E punuar mbi motivet e veprës së Faik Konicës dhe e plotësuar me ngjarje të realitetit të sotëm shqiptar, ajo është përshtatur dhe vjen nën regjinë e Endri Çelës.

“Kam dashur që nëpërmjet humorit të hidhur të Faik Konicës të vijë vërtet një komedi satirike. Kemi vërtet nevojë të qeshim dhe të reflektojmë mbi ato që na përkasin në ditët e sotme.”, - thotë regjisori Çela.

Vepra flet për Zullulandian, një vend në Afrikën juglindore, me popullin e saj të prapambetur e të nënshtruar, kërkon më shumë të drejta nga Europa. Prandaj dërgon në Paris dhe në Londër ambasadorin e saj, Denizullu-Serpen. Ky fodull dhe injorant vihet në lojë prej kancelarëve të huaj, ndërsa, kur kthehet në Zulluland, mirëpritet prej zulluve me festa e nderime për “lëvdatat” e marra. I vetmi që e ka kuptuar talljen është Plugu. Tani atij i duhet që t’i hapë sytë një populli të tërë zullush për talljet e Europës mbi Zullulandian.

“Sa e lexova këtë inskenim të veprës së Konicës krijova përshtypje shumë të këndshme për atë çfarë do të luhet sonte në premierë. E kam pranuar me gëzim rolin e Plugut, që personifikon vetë Faik Konicën, i cili i shikon të gjitha gjërat, zhvillimet në Zullulandia, që është vetë Shqipëria, që në atë kohë ishim në përpjektë tona për t’u bërë shtet.”,- shprehet aktori Sokol Angjeli. 

Sipas aktorit Neritan Liçaj, Shqipëria vazhdon të jetë në tranzicion si komb dhe të ketë problematika të forta kombëtare që duhet të zgjidhen.

“Roli im është shumë i bukur. Është një nga këta politikanët pragmatikë, gjysmë injorant shqiptar, të cilët vazhdojnë me populizmin e tyre idiot ta lenë këtë komb siç ka qenë dhe mos kthejnë sytë te progresi.", - thotë Liçaj.

Aktorja Ardiana Tolka vëren se Konica është një nga autorët që ka më për zemër, veprat e të cilit i çmon për stilin e hollë, vëzhgues, kritik, plot ironi dhe autorioni.

“Më vjen keq që vepra e tij tingëllon aktuale dhe sot se përshkruhet më së shumti nga kritika që iu bën shqiptarëve.", - thotë Tolka.

 Kjo vepër sa dramatike, aq bashkëkohore sillet me nota humori dhe ngjit në skenë edhe aktorët Brendi Bega, Katerina Fili e Anxhelo Dauti. Skenograf i shfaqjes është Beqo Nanaj,  kostumografe Sofi Kara, koreografe Semela Skënderasi dhe kompozitor Petrit Jakupi.

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?