Kreu i ILD, Artur Metani

Zvarriti 10 çështje dhe nuk verifikoi 300 kallëzime, KLP shkarkon me kërkesë të ILD prokuroren Belina Zeneli! Bashkëshortja e kandidatit të Berishës në Dibër

31 Janar 2022, 11:49| Përditesimi: 31 Janar 2022, 13:24

  • Share

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka shkarkuar sot nga detyra prokuroren e Dibrës Belina Zeneli, pas kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Shkarkimi i Zenelit erdhi 11 ditë pas kërkesës së ILD.

"Me propozim të Komisionit të Disiplinës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi pranimin e kërkesës Nr.2346 prot., datë 29.10.2021, të paraqitur nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për procedim disiplinor ndaj prokurores Belina Zeneli (Kryemadhi), për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës, parashikuar nga neni 148/d, pika 2, germa “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe shkelje disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 1 germa “ç“, “d”; neni 105, pika 1, shkronja “dh” dhe neni 111 pika 1, germa “b”, të ligjit Nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar dhe dhënien e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” për magjistraten Belina Zeneli (Kryemadhi), me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit GjyqësorDibër. Gjithashtu, Këshilli vendosi Pezullimin e përfitimit të pagës në masën 50 %, si dhe përfitimet e tjera të magjistratit, derisa vendimi të marrë formë të prerë", njofton KLP.

Më 20 janar, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkoi shkarkimin e Zenelit, duke e akuzuar se ka zvarritur 10 çështje gjyqësore dhe ka cenuar besimin te drejtësia.

Sipas ILD, Zeneli ka zvarritur hetimet paraprake duke mos i kryer veprimet hetimore në kohë dhe në dinamikë për periudha të gjata kohore të gjata, tej afateve procedurale dhe pa pasur arsye ligjore.

ILD argumentoi në kërkesën e saj se nga veprimet e prokurores Belina Zeneli, nuk i janë dhënë zgjidhje ligjore 33  procedimeve penale, si dhe nuk është kryer asnjë veprim verifikimi në lidhje me 300 kallëzime.

"Shkeljet proceduriale të kryera nga magjistratja, provohen të jenë kryer me dashje direkte. Kjo bazuar në formimin dhe eksperiencën e gjatë si prokurore, si dhe për faktin se për këto lloj shkeljesh, ndaj saj në vitin 2014 është dhënë masa disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”.

- Veprimet e magjistrates kanë sjellë pasoja në dhënien e drejtësisë dhe kanë cenuar imazhin e  organit të akuzës duke ulur besimin e publikut tek drejtësia.

a) Veprimet dhe mosveprimet e magjistrates përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskrediton pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozon Këshillit të Lartë të Prokurorisë masën disiplinore "Shkarkim nga detyra", parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “dh” dhe neni 111, pika 2 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe neni 148/d, pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë", thuhej mes të tjerash në kërkesën e ILD drejtuar KLP për shkarkimin e prokurores.

Belina Zeneli është gruaja e Premtim Kryemadhit, i cili u zgjodh dje në primaret e Sali Berishës si kandidat për Bashkinë e Dibrës, në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit. 

Komento

Komente

  • Poli: 31/01/2022 13:46

    Porosi e e kryetarit Rama qe pergjegjesia eshte individuale e harruat mo? Apo vetem per Tahiret dhe Koket e keni ne zbarim?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?