Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas seancës së parë në GJKKO për aferën Partizani. Në një postim në Facebook, Berisha nuk jep asnjë sqarim se përse nuk u paraqit në gjyq, por përdori manovra me fletëthirrjen për të zvarritur seancat. Berisha përdor të njëjtat argumente, që nga momenti që ndaj tij nisën hetimet, duke thënë se ky është një proces politik i marrë me urdhër të Edi Ramës.
“Kapja dhe përdorimi i drejtësisë si armë politike është tipar kryesor i regjimeve autokratike të korruptuara. Sot fillon procesi gjyqësor politik në GJKKO për dosjen “Partizani”, fund e krye një piramidë mashtrimi.
Fill pas urdhrit publik të Edi Ramës në Kongresin e PS në Prill 2022 drejtuar SPAK për të proceduar penalisht Sali Berishën, prokurorët e nënshtruar dërguan 16 kërkesa brenda muajit duke nisur hetim 30 vjeçar shtrirë në 3 breza ndaj Sali Berishës deri tek mbesat e palindura të tij”, shkroi Berisha.
Prokurorët politikë u bazuan në kallëzimin e rremë të ish-kryetarit të Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla kryer në 2020, sipas të cilit kryeministri Sali Berisha i ka kthyer dhëndrit të tij tokë të shpronësuar nga autoritetet italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore, pra kinse tokë publike nga territori i klubit “Partizani”. Ndërkohë Fletoret Zyrtare të atyre viteve provonin se toka në fjalë kishte mbetur gjithnjë tokë private dhe se nuk ishte shpronësuar kurrë”, shkruan Berisha.
Berisha thotë se “drejtësia politike nuk do mund të shpëtojë kurrë Edi Ramën nga fundi që e pret atë dhe pushtetin e tij, të ngritur mbi krimin, drogën dhe mjerimin e shqiptarëve.”
Lajmi kryesor:
Shtyhet seanca e parë në GJKKO për aferën Partizani! Berisha nuk shkon, manovra me fletëthirrjen! Malltezi: Nuk e njoftova! Gjyqtarja Ulliri kërkon dorëheqjen
SI.E./ReportTv.al