TIRANË- Seanca e radhës është të premten e 11 prillit. Për aferën e ish kompleksit “Partizani” priten vetëm konkluzionet e SPAK për të vendosur pastaj kalimin apo jo në gjyq të të pandehurve Sali Berisha e Jamarbër Malltezi. Ishte parashikuar për të premten e kaluar, por seanca u shty për shkak se Malltezit i mungoi avokati me pretendimin për arsye shëndetësore.
E premtja e 11 prillit, dita e parë zyrtare e fushatës elektorale, korrespondon fiks me 7 mujorin e marrjes të pandehur të Sali Berishës, në akuzë për korrupsion pasiv, të kryer në bashkëpunim me dhëndrin i cili akuzohet edhe për pastrim parash. Nëse të pandehurit nuk vijojnë me të njëjtën strategji shtyrjeje dhe zvarritjeje, siç kanë bërë për rreth 6 muaj, pritet që më në fund vendimi të merret nga gjyqtarja Flojera Davidhi.
Procesi vjen në këtë pikë pas gati 4 vite e gjysmë nga nisja e hetimeve dhe mbi 6 muaj pasi Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë u morën të pandehur, ndërsa seanca e parë paraprake u zhvillua që më 24 tetor.
Kalimin në gjyq e vonuan kërkesa pa fund të avokatëve mbrojtës të palëve për kohë për tu njohur me materialet. Kohë e cila u zgjat me lexim të qindra faqeve pretendime po nga avokatet, si një tendencë e qartë për ta zvarritur një proces që duket sikur po e çonin në “kalendat greke”.
Berisha dhe Malltezi vijojnë të jenë në masë sigurie, i pari “detyrim paraqitje” dhe i dyti “arrest shtëpie”, ndërsa kalimi në gjyq do të ishte përballja e parë e vërtetë e të dyve me sistemin e drejtësisë.
Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan', si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Paralelisht SPAK ka vënë në sekuestro preventive pasuri të shumta që i përkasin Jamarbër dhe Argita Malltezit, sekuestro e konfirmuar deri në Gjykatë Kushtetuese, ku përfshihen dhjetëra apartamente, vila, troje dhe llogari bankare, të cilat do të qëndrojnë të sekuestruara deri në përfundim të gjykimit.
Ndërkohë një tjetër hetim vazhdon me fraksion të kësaj dosjeje për pasurinë e ish-kryeministrit dhe verifikime nëse familjarët e tij kanë përfituar nga vendimet e tij si me rastin marrjes së truallit të Kompleksit Partizani dhe ndërtimin e 19 kullave nga dhëndri i tij.
Komente
