Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, të pandehur për aferën ‘Partizani’, nuk e pranojnë Gjykatën e Posaçme antikorrupsion si të denjë për t’i gjykuar.
Për gazetarin Poli Hoxha, i cili ishte sot në një lidhje skype për emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj kjo është strategji e Berishës për të shtyrë procesin.
‘Ka filluar prap avazi i shtyrjeve. Shtyrja e Partizanit po i heq pikë drejtësisë. Sot ndodhi ajo që strategjia e shtyrjes kaloi në fazën e mosnjohjes së Gjykatës së Posaçme. Pra Berisha kërkoi që të mos gjykohet fare nga kjo gjykatë dhe kjo është alibi e Berishës për të shtyrë procesin. Ne kemi parë që Gjykata e Posaçme ka ndërhyrë dhe ka hedhur poshtë në disa raste edhe SPAK’, tha ai.
Lidhur me përplasjet Lapaj- Shabani, ai tha se kjo situatë pritej. Sipas tij, kjo përplasje mund të zgjidhet vetëm penalisht, pasi ata kanë kaluar në akuza penale.
‘Moralisht s’ka të drejtë asnjëri. Nga ana ligjore kjo ishte një situatë që mund të ndodhte duke pasur parasysh kodin zgjedhor nga Rama dhe Berisha që e kanë kopsitur. Ata nuk ishin të përgatitur për një situatë të tillë. Por, ata kanë arritur deri në akuza penale dhe kjo do të zgjidhet penalisht. Unë kisha shpresë se do të kishte një lloj mirëkuptimi mes tyre’, tha ai.
Një koment e pati edhe për aksionin e ndërmarrë nga qeveria për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe lirimin e hapësirave publike.
‘Kjo është një histori që Rama e ka bërë pas zgjedhjeve gjithmonë qoftë atyre lokale dhe parlamentare. Nuk ka më besueshmëri për mua arsyeja është që ai është duke përgatitur terrenin për integrimin e vendit në BE që Shqipëria të jetë gati të futet në 2030 në BE. Por nuk mund të futesh në BE me këtë administratë dhe ai është duke nisur nga poshtë lartë’, tha ai.
Komente
