Bota

Zvicër/ Akullnaja shembet dhe 'fshin' nga harta komplet fshatin (VIDEO)

29 Maj, 21:36| Përditesimi: 29 Maj, 21:43

  • Share

Shembja e një akullnaje ka përmbytur plotësisht një fshat të vogël në Kantonin e Valës, në Zvicër, fshat ku fatmirësisht 300 banorët ishin evakuuar paraprakisht. Ngjarja ka ndodhur në Blatten, i cili është zhdukur nga harta dhe nga panorama alpine, pasi nga akullnaja Birch, që ngrihej mbi vendbanimin, janë shkëputur rreth 3 milionë metra kub material.

Situata po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar me kalimin e orëve: masa e madhe e mbeturinave ka ndërprerë rrjedhën e një përroi, duke formuar një liqen natyror që rrezikon të derdhet drejt ultësirës gjatë natës.

Fakti që akullnaja ishte drejt shembjes ishte paralajmëruar prej kohësh, aq sa autoritetet zvicerane, më 19 maj, kishin urdhëruar largimin e të gjithë banorëve të Blatten-it. Në ditët pasuese, shpati i malit vazhdoi të rrëshqasë drejt ultësirës me një ritëm prej dhjetë metrash në ditë, deri në shembjen përfundimtare që ndodhi të mërkurën në orën 15:30.

Shembja ishte spektakolare, është filmuar me video dhe ka mbuluar thuajse tërësisht këtë fshat të vogël alpin. Sipas mediave zvicerane, megjithë evakuimin, një person 64-vjeçar rezulton i zhdukur.

Problemi më urgjent tani është sigurimi i gjithë zonës. Deri më tani, rrjedha e përroit Lonza është ndërprerë nga rrëshqitja, dhe uji po grumbullohet duke formuar një rezervuar që ushtron presion mbi bllokimin e krijuar.

«Mund të jemi vetëm në gjysmën e katastrofës», deklaroi për televizionin zviceran Mathias Reynard, president i qeverisë së kantonit Valë. Mali është ende shumë i paqëndrueshëm, po monitorohet vazhdimisht, por aktualisht ndërhyrjet janë të pamundura.

Në një përditësim të shpërndarë në mbrëmje, mbrojtja civile njoftoi se uji i liqenit të krijuar nga rrëshqitja po ngrihet me rreth 80 centimetra në orë dhe pritet të tejmbushet gjatë natës. Ekziston frika për një digë që ndodhet në zonën e Ferdenit, dy kilometra më poshtë në luginë. «Por ajo është projektuar për t’i përballuar goditje të forta», sigurojnë autoritetet.

Dinamika e kësaj ngjarjeje sjell ndër mend katastrofën e Valtelinës në korrik të vitit 1987: shkëputja e një pjese të malit Pizzo Coppetto fshiu nga harta fshatrat S. Antonio Morignone dhe Aquilone, duke shkaktuar vdekjen e 53 personave dhe duke ndryshuar krejtësisht morfologjinë e territorit. Mbeturinat krijuan një bllokim 50 metra të lartë përgjatë lumit Adda, dhe u deshën ndërhyrje të posaçme për të siguruar rrjedhën e kontrolluar të ujit.

Paqëndrueshmëria e shumë masiveve malore në Alpe po bëhet një problem serioz në disa zona të Zvicrës; gjatë viteve të fundit, katër vendbanime të tjera janë dashur të evakuohen pasi janë kërcënuar nga rrëshqitjet. Ndryshimet klimatike konsiderohen si shkaku kryesor i këtyre ngjarjeve gjithnjë e më të shpeshta.

K.M/A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?