Zvicër- Një 23-vjeçar shqiptar, i dyshuar si “kalë droge”, është arrestuar në kufirin zviceran, teksa transportonte me makinën e tij një ngarkesë prej të paktën 9 kg kokainë të pastër.
Aksioni është kryer prej datës 28 maj në Ticino dhe u raportua vetëm së fundmi nga mediat zvicerane. Ndërhyrja e oficerëve u krye në kufirin doganor të San Pietro di Stabio.
Kjo u raportua edhe nga Zyra e Prokurorit Publik, Policia Kantonale dhe Zyra Federale e Doganave, teksa emri i të arrestuarit nuk u bë i ditur, por ai dyshohet se është korrieri i një organizate kriminale që vepron midis Zvicrës, Gjermanisë dhe Italisë.
I riu, banor i Gjermanisë, po largohej nga Zvicra kur zyrtarët doganorë zbuluan drogën gjatë një kontrolli.
Më pas ai u mor në pyetje dhe u arrestua nga policia kantonale. Shqiptari akuzohet për shkelje të rëndë të Aktit Federal të Narkotikëve. Hetimi i është besuar prokurores publike Petra Canonica Alexakis, teksa detajet mbahen si sekret hetimor, pasi po hetohet për organizatën kriminale që qëndron pas të arrestuarit, informon media zvicerane.
Vlera e drogës nëse do të përgatitej dhe ndahej në doza, mund të sillte një xhiro prej më shumë se 1 mln euro në treg.
Komente
