Zëvendës Këshilltari i SHBA për Sigurinë Kombëtare Jon Finer ka shprehur mbështetje për Shqipërinë për të forcuar sigurinë kibernetike pasi ra pre e sulmeve nga Irani. Pas takimit me ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, Finer shprehu vlerësim për bashkëpunimin SHBA-Shqipëri në Këshillin e Sigurimit dhe falënderoi popullin shqiptar për pritjen e afganëve.
“Finer ripohoi mbështetjen e menjëhershme, domethënëse dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar sigurinë e saj kibernetike përballë sulmeve kibernetike të përsëritura, shkatërruese nga Irani. Ai shprehu vlerësimin e SHBA-së për bashkëpunimin tonë të fortë në çështjet dypalëshe, rajonale dhe globale. Ai theksoi punën tonë së bashku si aleatë të NATO-s dhe vlerësoi lidershipin e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, veçanërisht si mbajtëse me Shtetet e Bashkuara për rezolutat që lidhen me pushtimin e paprovokuar dhe të pajustifikueshëm të Ukrainës nga Rusia. Gjithashtu, Finer falënderoi popullin shqiptar për bujarinë e tij në pritjen e përkohshme të atyre që janë larguar nga Afganistani”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Shqipëria ra pre e sulmeve kibernetike nga Irani në një kohë të shkurtër brenda pak muajve! Sulmi i parë kibernetik ndodhi në mes të muajit korrik të këtij viti, ku u sulmuan portalet shtetërore të shërbimeve online, të cilat nuk funksionuan për 4 ditë. Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptar, por edhe nga vendet aleate, u dol në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin.
Më 10 shtator, hakerat iranianë sulmuan sistemin TIMS. Irani nuk e fshehu se kishte gisht në këtë sulm pasi në kompjuterët e policëve në pikat e kalimit kufitar shfaqej mesazhi: "Shqipëria ende po paguan për aktet terroriste të kultit MEK në Durrës dhe kjo lojë do të vazhdojë". Pasi u konfirmua se sulmi ishte ndërmarrë nga qeveria iraniane, Shqipëria prishi marrëdhëniet diplomatike me Iranin.