Zv/kryeministri i Kosovës në Parlamentin Evropian: Jo autonomi për Asociacionin! Kosova ka bërë përparim të madh

28 Shkurt 2023, 11:29| Përditesimi: 28 Shkurt 2023, 16:50

  • Share

Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur sot në Komitetin për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian. Ai është pyetur nga eurodeputetët edhe për Asociacionin e Komunave serbe.  Ai ka thënë se marrëveshja e Brukselit e kërkon një mekanizëm që funksionon si institucion joqeveritar, e jo si autonomi për serbët.

“Marrëveshjet e kaluara që kanë të bëjnë me Brukselin si dhe plani i Ahtisaarit, nuk bëjnë thirrje për autonomi. Marrëveshjet e kërkojnë një mekanizëm që do të kërkoj koordinimin e komunave me shumicë serbe në formën e Asociacioni. Një institucion joqeveritar, e jo si autonomi territoriale në asnjë pjesë të vendeve, qoftë komunat në veri apo jug. Rreth 60% e pakicave jetojnë në komunat e jugut të Kosovës. Pjesa tjetër jeton në katër komunat në veri”, tha Bislimi në Bruksel, transmeton Nacionale.

Bislimi ka përsëritur qëndrimin për shuarjen e strukturave paralele në pjesën veriore.

“Nëse Serbia thotë se nuk do ta bllokojë rrugën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, pse shtetet mos-njohëse do ta bënin këtë. Ne llogarisim dhe na nevojitet mbështetja e parlamentarëve të BE-së”, deklaroi Bislimi.

Në fjalimin  në Parlamentin Evropian, para se të flasë për Kosovën, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë disa fjalë për Ukrainën, duke e konfirmuar përkrahjen e Prishtinës për shtetin e përfshirë nga lufta. Më pas, ai ka folur për aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Ukraina ende nuk e njeh Kosovën, por Kosova i njeh shumë mirë dhimbjen dhe plagët e Ukrainës, pasi është ballafaquar me një mizori shumë të ngjashme në historinë tonë të vonshme. Përderisa vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah me Ukrainën dhe në mënyrë të qëndrueshme ta konfirmojmë rreshtimin tonë me BE-në, unë përsëri bëj thirrje për liri për Ukrainën dhe e shpreh solidaritetin e plotë nga Kosova”- tha Bislimi.

“Kjo luftë na i hapi sytë shumë prej neve dhe na bëri që ta kuptojmë rëndësinë e lirisë dhe unitetit. Ekziston një ndjenjë e fuqishme e propozimit të përbashkët në mesin e anëtarëve të Bashkimit Evropian për ta parë më qartazi kërcënimin e përbashkët. Edhe një herë, ne të gjithë kuptuam se sa jetike është demokracia për mbrojtjen e paqes dhe mirëqenies dhe se sa e rëndësishme është që të mbrohen Evropa dhe Bashkimi Evropian si projekti më i suksesshëm i paqes në Evropë”- shtoi ai.

Më tutje, ai tha se Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm dhe ka bërë përpjekje për të treguar se është partnere e besueshme.

“Të dashur deputetë, vendi im ka bërë përparim të konsiderueshëm viteve të fundit, por ne duhet të jemi të papërkulshëm në përpjekjet tona për të dëshmuar se jemi partner i besueshëm dhe plotësisht i përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve të përbashkëta të BE-së. Ne e kemi shfaqur vullnetin tonë për t’u ballafaquar me rrugën e vështirë të reformave substanciale dhe zotimin tonë të vazhdueshëm për t’i promovuar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”- tha zëvendëskryeministri Bislimi.

“Të dashur miq, më lejoni që t’u sjell ndër mend të gjithë neve se Kosova është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që ka aplikuar për anëtarësim. Duke qenë i njohur si kandidat potencial një kohë të gjatë më parë, krahas gjashtë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, më 15 dhjetor të vitit të kaluar, ne më në fund për ta shndërruar statusin tonë potencial në status të kandidatit zyrtar”- shtoi ai.

 

Ora 11:44
Eurodeputeti austriak takon Bislimin: Pas negociatave të djeshme, ende mbetët një rrugë e gjatë për të bërë

Lucas Mandl, eurodeputet austriak, është takuar me zv.kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, dhe me ambasadorin e Kosovës në Belgjikë, Agron Bajramin. Përmes një postimi në Twittetr, ai ka komentuar negociatat e djeshme mes Kurtit dhe Vuçiç ku thekson se ka ende shumë “rrugë’ të gjatë për të bërë, e cila duhet të arrihet me kompromisin e të dyja palëve.

Ai ka falënderuar edhe institucionet e Kosovës, zyrtarët e saj dhe partitë për durimin e tyre, duke ditur edhe situatën mes dy vendeve.

‘‘Pas negociatave të djeshme: Një bisedë e shpejt, herët në mëngjes me Besnik Bislimi, Agron Bajrami. Mbetet një rrugë e gjatë për tu bërë. Faleminderit zyrtarëve të Kosovës të të gjitha institucioneve dhe partive për durimin e tyre’, ka shkruar Mandl.

Edhe zv/kryeministri Bislimi ka komentuar takimin e djeshëm duke theksuar se nuk duhet të ketë autonomi për serbët dhe në të njëjtë kohë kërkon më shumë mbështetje në arenën ndërkombëtare për Kosovën.

"Nëse Serbia thotë se nuk do ta bllokojë rrugën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, pse shtetet mos-njohëse do ta bënin këtë. Ne llogarisim dhe na nevojitet mbështetja e parlamentarëve të BE-së”, deklaroi Bislimi.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?