Gerd Hoxha

Kronikë

Zv.kryetari i Gjykatës së Tiranës: Brenda 6 muajve qeveria të caktojë vendin për ndërtimin e pallatit të drejtësisë! Të sigurohen gjykatat 24/7

9 Tetor, 13:07| Përditesimi: 9 Tetor, 13:15

  • Share

1760008111_gerdhoxha.jpg

Zëvendës kryetari i Gjykatës së Tiranës, Gerd Hoxha përpos renditjes së problematikave të sistemit të drejtësisë, nisur nga volumi i madh i çështjeve për shqyrtim, tek mungesat e burimeve njerëzore, si dhe të investimeve financiare, ai ka propozuar në mbledhjen e sotme disa pika që duhet t’i paraqiten qeverisë, të cilat kërkojnë një vëmendje të shtuar dhe një vendimmarrje urgjente.

Hoxha propozon ndërhyrjen e menjëhershme në ligjet për sistemin gjyqësor, si dhe për t’i bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të sistemit gjyqësor, që brenda një periudhe kohe prej një jave të përfundojë miratimi i Rregulloreve të Sigurisë në Gjykata.

Gerd Hoxha propozon që qeveria të përcaktojnë brenda 6 muajve vendin për ndërtimin e pallatit e drejtësisë ku të akomodohen të gjitha gjykatat e shkallës së parë dhe ajo e Apelit së bashku me prokuroritë respektive.

Një tjetër pikë e propozuar është ajo e hartimit brenda javës të një Rregullorje të poacme që gjithashtu të bëhet dhe pjesë e ligjit, e cila t’i lejojë fillimisht Policisë së Shtetit e asaj të Burgjeve të marrin në ruajtje të gjitha godinat e gjykatave në gjithë territorin e Shqipërisë, jo vetëm gjatë orarit zyrtar 08:00-16:00 por, 24 orë, çdo ditë të vitit, si dhe ruajtjen e sigurisë dhe rendit brenda këtyre godinave dhe në sallat e gjyqit, sipas kërkesave të gjyqtarëve në ato gjykata.

Gjithashtu i kërkohet KLGJ pajisja e menjëhershme e gjykatave me detektorë e skanera si dhe trajnimin e policisë dhe krijimin force të posaçme të trajnuar për të garantuar sigurinë në gjykata, gjatë proceseve gjyqësore.

Fjala e plotë e Gerd Hoxhës:

Të nderuar kolegë!

Kam folur në biseda e takime formale e joformale, ku kemi qene mbledhur se bashku, per te diskutuar të nxitur nga shume probleme që na shqetesojnë si : ngarkesa në punë e shtuar në mënyrë të palogjikshme nga një proces vetingu i paqartë e raskapitës; trajtimi i papërshtatshëm finaciar, mungesa e paarsyeshme burimeve njerëzore, mungesa ulëritëse e ambienteve të përshtatshme të punës, mungesa e frikshme e sigurisë për ne, familjet e pronat tona, por kurrë, kurrë nuk e kisha menduar që do të mblidheshim për të diskutuar, si do të mbrohemi nga rreziku i vrasjes në vendin e punës, aty ku mendohet se, siguria e jetës dhe integritetit të gjyqtarit  është e pacënueshme dhe gur i themelit për një vendimarrje të drejtë. 

Vrasja makabre e kolegut tonë të paharruar Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit, të një ndër gjykatave më të rëndësishme në vend është një ngjarje tmerrësisht e rëndë, e cila ka shkaktuar një dhimbje aq të thellë, sa ka shqyer egërsisht shpirtin e cdo njeri prej nesh kolegë të Titit, por, edhe shpirtrat e cdo njeriu, i cili ka në themel të ekzistencës së tij dashurinë për jetën, respektin për njëri-tjetrin, bashkejetesën e bazuar në moral e ligj.

Kjo ngjarje e rëndë, e pashembullt në 110 vite ekzistence të shtetit tonë, e padëgjuar në vendet ku sundojnë vlerat më të larta morale demokratike, në mesin e të cilave, mes sakrificave, përpiqemi cdo ditë të jemi pjesë, është një këmbanë alarmi drithërues për cilindo individ, që jeton e punon Shqipëri, shqiptar apo të huaj, për ta zgjuar nga agonia ku është zhytur morali i shoqërisë sonë e ku përpëliten përpjekjet e dështuara të organeve shtetërore për një jetë më të sigurt, të cilat kanë detyrë kushtetuese e ligjore të garantojnë jetën dhe integritetin e gjyqtarëve e gjithë punonjësve të drejtësisë, si premisë e një jete të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe një ekonomie të shëndoshë.

Të nderuar kolegë!

Të gjithë biem dakord se, një sistem drejtësie i bazuar në sundimin e ligjit duhet të mbajë në konsideratë në rradhë të parë parimet e barazisë para ligjit, të një gjykimi të drejtë e brenda një kohe të arsyeshme; të sigurisë juridike, të kontradiktorialitetit, të barazisë së armëve, të pafajësisë e proporcionalitetit në rast ndëshkimi, në çdo rast e ndaj cilitdo, që është subjekt i një procedimi penal.

Trupa gjyqësore përshëndet qëndrimin parimor e mbështetës në disa raste dhe atë kritik konstrutiv në raste të tjera, të mbajtur deri sot nga përfaqësues të politikës dhe mediat. Jemi të bindur se në këtë mënyrë do të forcohet dhe rritet besimi i publikut tek organet e drejtësisë në përgjithësi dhe gjykatat në veçanti.

Ne mirëpresim dhe inkurajojmë çdo kritikë ndaj gjyqtarëve, punës së tyre, performancës dhe sjelljes së tyre brenda dhe jashtë zyrës.

Por, situata e rrezikshme nga e cila kërcenohet sot jeta dhe integriteti i magjistratëve, vecanërisht gjyqtarëve, nuk erdhi si një rrufe në qiell të pastër. Ajo është rezultat i klimës së thellë së urrejtjes ndaj cdo punonjësi të sistemit të drejtësisë:  avokat, përmbarues, oficer policie gjyqësore, prokuror e vecanërisht gjyqtar. Kjo klimë dashakeqe, nxitëse jo vetëm e urrejtjes verbale por tashmë e provuar, nxitëse edhe e veprimeve të drejtëpërdrejta kundër jetës dhe shëndetit të gjyqtarëve dhe palëve fituese në gjykim,  prej vitesh ushqehet dhe amplifikohet nga diskursi politik dhe mediatik, që shpesh e paraqet gjyqësorin si burim të çdo problemi në shoqëri.  Kjo qasje ka dëmtuar besimin e publikut tek drejtësia, ka frymëzuar mosrespekt, fyerje dhe sulme ndaj gjyqtarëve, duke rritur ndjeshëm rrezikun dhe presionin mbi pavarësinë e gjyqësorit.

Gjithashtu, ka vite që kjo klimë urrejtje dhe qasje negative ndaj sistemit gjyqësor kërkon me ngulm arritjen e dy objektivave kryesorë :

a)         frikësimin e gjyqtarëve,

b)         përcarjen e tyre,

të cilat janë elemet i qëllimit kryesor – kapjen dhe sundimin e sistemit gjyqësor nga përfaqësues të interesave antikushtetuese, antiligjore, antidemokratike e kriminale.

Ndaj është detyrim moral e ligjor i cdo avokati, përmbaruesi, oficeri policie gjyqësore, prokurori e gjyqtari të tregojnë se nuk frikësohen e nuk përcahen por, janë të vendosur, të bashkuar e të përkushtuar në punën e tyre për të dhënë drejtësisë cilësore e në afate kohore të arsyeshme, bazuar në kushtet objektive ku punojnë.

Gjithashtu, është detyrim moral i cdo njeriu të lirë, që punon e jeton në Shqipëri, shqiptar a i huaj qoftë, që beson në vlerat e një sistemi shoqëror të bazuar në liri, demokraci e shtet të së drejtës; është detyrim moral ligjor i cdo institucioni vendas a të huaj, publik, shtetëror a privat, i cdo media e portali, të reagojë sa më parë e fuqishëm ndaj këtyre tendencave frikësuese e përcarëse, që kanë për qëllim kapjen dhe sundimin antikushtetues, antiligjor, antidemokratik e kriminal të sistemit gjyqësor.

Dështimi i shtetit në garantimin e kushteve më minimale të sigurisë por edhe të punës nëpër gjykata haset cdo ditë nga ne gjyqtarët e Republikës por edhe gjithë përdoruesit e gjykatave dhe prokurorive. Mungesa e godinave të përshtatshme vecanërisht për gjykata e juridiksionit të përgjithshëm në kryeqytet është një gjendje e cila na shoqërinë në mënyrë tallëse prej dekadash; gjykata, që prej dekadash të cilat funksionojnë në ambjete, që janë përdorur dikur si fjetina apo, qendra trainimi për kafshë policie, apo si ambjente pa asnjë lidhje me sistemin gjyqësor janë sot vendi i punës së më shumë se 100 gjyqtarëve, qindra sekretareve gjyqësore e nëpunëse të tjerë; janë vendi ku takohen me mijëra njerëz, në konflikt mes tyre,  për të zgjiodhur problemet nga më të mprehta që njeh shoqëria; e ku si në asnjë institucion tjetër marrin zgjidhje, të cilat materializohen në dhjetra mijëra vendime.

Kjo Mbledhje nuk është mbivendojse apo anshkalim i Këshillit të Lartë Gjyqsor por, tregues i forcës sonë vetëorganizuese, i përgjegjshmërisë ndaj fateve të shoqërisë sonë dhe i solidaritetit njerëzor. KLGJ ka mbëstetjen tonë të plotë në përmbushjen e detyrimeve të saj kushtetuiese e ligjore, për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve, si pjesë thelbësore e funksionimit të një sistemi gyqësor të drejtë, të paanshëm e të pavarur.

Ndaj, kjo situatë skandaloze, kjo skamje vrasëse ambjentesh pune, burimesh njerëzore dhe kjo pasiguri e lartë për jetën dhe integritetin e gjyqtareve dhe përdoruesve të gjykatave duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë.

Nisur nga sa më sipër propozoj që :

a)         t’u bëjmë thirrje për përgjegjshmëri publike të gjithëve aktorëve institucionalë, politikë dhe mediatikë, që të ndalojnë nxitjen e gjuhës së urrejtjes ndaj trupës gjyqësore. Pa respekt dhe mbrojtje reale të gjyqtarëve, nuk mund të ketë drejtësi të pavarur, shtet ligjor dhe besim të qytetarëve në drejtësi.

b)         t’i kërkojmë Qeverisë e Kuvendit të Shqipërisë të ndërhyjë urgjentisht  në ligjet për sistemin gjyqësor, në aspektet që kanë të bëjnë me :

•           rritjen e sigurisë në punë;

•           me sigurinë e jetës, shëndetit e pronës të gjyqtarëve e punonjësve të gjykatave;

•           me uljen e ngarkesës në punë e rritjen e cilësisë së gjykimeve dhe zvogëlimin e kohës së përfundimit të proceseve gjyqsore 

c)         t’i kërkojmë KLGJ dhe nëpërmjet saj Qeverisë e Kuvendit të Shqipërisë të  përcaktojë brenda 6 muajsh vendin ku do të ndërtohet pallati i drejtësisë, ku të sistemohen gjykata e shkallës së parë, ajo  e apelit dhe prokuroritë respektive, (vende të tilla ka plot, të paktën 3 janë trojet e gjykatave të shkallës së parë dhe apelit) dhe brenda një afati maksimal prej 5 vitesh tju dorëzojë qytaterëve të Tiranës dhe gjithë  Shqipërisë një pallat drejtësie dinjitoz, të sigurt e funksional.

d)         t’u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse të sisteimit gjyqsor, që brenda një periudhe kohe prej një jave të përfundojë miratimi i Rregulloreve të Sigurisë në Gjykata;

e)         t’i kërkojmë KLGJ që në bashkëpunim me institucionet përkatëse, që brenda një muaji, të pajisë me skanera e dedektorë të gjitha gjykatat e RSH, të cilat nuk ka të tilla pajisje.

f)         t’i kërkojmë Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Policisë së Shtetit dhe asaj të Burgjeve që në bashkëpunim me KLGJ të hartojnë brenda javës një Rregullore, e cila fillimisht të miratohet me një akt normativ të Qeverisë e më pas të bëhet pjesë e ligjit, e cila ti lejojë fillimisht Policisë së Shtetit e asaj të Burgjeve të marrin në ruajtje të gjitha godinat e gjykatave në gjithë territorin e Shqipërisë, jo vetëm gjatë orarit zyrtar 08:00-16:00 por, 24 orë, cdo ditë të vitit, si dhe ruajtjen e sigurisë dhe rendit brenda këtyre godinave dhe në sallat e gjyqit, sipas kërkesave të gjyqtarëve në ato gjykata.

g)         Për pasojë, përjashtimin e Policive private për ruatjen e godinave, pasi përvoja ka treguar se, janë të patrajnuar, të papajisur, të pamotivuar, të keqpaguar e për pasojë, me mangësi sierioze në garantimin e sigurisë fizike të godinave të Gjykatave dhe integritetit të gjyqtarëve.

h)         t’i kërkojmë KLGJ, që në bashkëpunim me Policinë e Shtetit të fillojë menjëherë trainimin e punonjësve të sigurisë në gjykata.

i)          krijimin e një force të posacme të trainuar për të garantuar sigurinë në gjykata, gjatë procesve gjyqsore.

j)          përpilimin e protokollove të sigurisë, që do të zbatohen në rastet e ngjarjeve të rënda në gjykata (mbrojtje e shtuar e gjyqtarëve dhe familjareve të tij, mbrojtje e pronës, garantim i sigurisë në vendet e punës së familjarëve të gjyqtarit, shkollave dhe ambjenteve edukuese të frekuentuara nga fëmijët e gjyqtarëve të kërcënuar/dhunuar, garantimi i nivelit të njëjtë jetesës në rast të paaftësisë për punë për shkak të këtyre ngjarjeve)

k)         të krijimin e një grupi pune të përhershëm, me anëtarë gjyqtarë, të mandatuar nga mbledhja e gjyqtarëve për të iniciuar krijimin e një Komiteti të përhershëm me përfaqsues të KLGJ, Prokurorisë së Përgjithëshme, MB, MD, Policisë së shtetit dhe asaj të Burgjeve që do të hartojë dhe mbikqrur zbatimin e kateve ligjore në fuqi, të cilat kanë të bëjnë me sigurinë në gjykata dhe të gjyqtarëve.

Në përfundim, në emrin tim personal dhe të gjithë juve të nderuar kolegë dëshiroj të siguroj të gjithë publikun se, diskursi armiqësor dhe sulmet fizike nuk do të mundin të frikësojnë gjyqtarët në Republikën e Shqipërisë, të cilët do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për t’i shërbyer publikut, duke i ofruar drejtësi, për të cilën dha jetën e tij, në krye të detyrës babai, familjari, shoku e njeriu i mirë, kolegu ynë i paharruar Astrit Kalaja.


Lajmi kryesor:

Vrasja e Kalasë/ 260 gjyqtarë mbledhje urgjente: Të vendoset një forcë e posaçme sigurie në gjykata! Drejtësia nuk do të përkulet, do të ringrihemi (VIDEO)


K.B/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?