Zv.ministri i Bujqësisë: Jemi lider në Ballkan për frutat dhe perimet, eksportojmë më shumë se Serbia! Nuk do taksohen ata që nuk punojnë tokën

14 Nëntor 2022, 19:40| Përditesimi: 14 Nëntor 2022, 20:50

  • Share

Zëvendës ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari ka deklaruar se Shqipëria është lidere në rajon sa i përket eksportit të frutave dhe perimeve.

I ftuar në ‘Studio Live’ moderuar nga Arbër Hitaj në Report TV, Jaupllari tha se nuk ishte e vërtetë që Serbia dhe Maqedonia e Veriut eksportonin më shumë ndaj Shqipërisë sesa e anasjellta. Mes të tjerash, ai përmendi edhe disa prej prodhimeve kryesore që eksportohen drejt vendeve të rajonit.

“Qëllimi kryesor është që eksportet që tashmë janë në 500 milionë dollarë, deri në vitin 2030 të shkojnë deri në 1 miliardë dollarë. Ne jemi sot lider në eskprtin e perimeve dhe frutave në rajon. Nuk qëndron se Maqedonia e Veriut dhe Serbia eksportojnë më shumë ndaj nesh. Të ballafaqohemi me faktet.

Tek produktet bujqësore ne jemi lider në Ballkan. Ne eksportojmë më shumë tek ata dhe jo ata tek ne. Kulturat kryesore që eksportojmë janë, domatja, speci, kastraveci, kastraveci i vogël që përdoret më shumë për turshi, qepa, patatja, ulliri. Sivjet pothuajse 80% e mollës në Korçë është shitur. Kjo ka ardhur si pasojë e përmirësimit të kultivimit të mollave, sot është molla fuxhi që po çan tregjet. Sepse bujqësia shqiptare është orientuar drejt tregut tashmë”-u shpreh Jaupllari.

Sa i përket, paralajmërimit të kryeministrit, Edi Rama për fermerët të cilët nuk e punojnë tokën, zëvendës ministri u shpreh se kjo politikë nuk do të ishte agresive, por do të synohej nxitja e banorëve për punimin e tokës.

"Skema do jetë e njëjtë siç ka qenë, por do drejtohemi më tepër tek formalizimi. Të gjithë fermerët që duan të aplikojnë duhet ta kenë të formalizuar tokën, të kenë kontrata të sakta. Ky është qëllimi, të subvencionojmë tokën e punueshme. Prandaj është marrë vendimi për një ligj të veçantë që do miratohet së shpejti.Nuk do ketë taksa fare, por toka duhet të punohet. Nëse dikush nuk e punon, për të ka sanksione të ligjit. Por ky nuk do jetë një ligj për ta trembur fermerin, por për të ndryshuar kulturën punimit të tokës.  Jemi në fazën e konsultimit të ligjit. Nuk do jetë aq agresive si nismë, por qëllimi është që të nxiten të punojnë tokën”-tha zëvendës ministri.

B.V//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 15/11/2022 02:11

    /Kush nuk e punon, do te sanksionohet,nuk do te jete aq agresiv,por qellim ka nxitjen e punimit te tokes/.-Kodra mbas bregut ke folur o z.zev/minister.Si mund te jete dhe /i bute/ dhe /sanksionues/ ne te njejten kohe vetem ju e dini?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?