Zv/ministrja e Arsimit, Orjana Osmani, thotë se udhëzimet e reja këtë sezon të ri shkollor, do të mund t’i japin zgjidhje disa shqetësimeve, e sidomos të prindërve.
Në një intervistë për emisionin “Studio Live” në Report Tv me gazetarin Ermal Qorri, zv/ministrja Osmani tha se një nga këto shqetësime ka qenë telefoni.
Sipas Osmanit, telefonat nuk do të lejohen në shkolla dhe do të ketë masa disiplinore për nxënësit që nuk zbatojnë këtë udhëzim. Telefoni do të lejohet vetëm me leje të prindit në raste të veçanta e të argumentuara, por gjatë procesit mësimor aparati telefonik duhet të fiket e të mbyllet në një kuti në klasë.
“Ajo që kemi dashur dhe kjo ka qenë arsyeja që ne e kemi riparë këtë udhëzim, sepse duket se përdorimi i telefonit është kthyer në një shqetësim. Në rast se nxënësi nuk zbaton këtë urdhër, ka masa disiplinore. I ftojmë prindërit në një pikë të veçantë për të bashkëpunuar me shkollat. Ne jemi shumë të qartë e të prerë në zbatimin e këtij udhëzimi”.
Siguria në shkolla gjithashtu është një pikë tjetër, ku sipas zv/ministres së Arsimit, në shkollat me shumë nxënës do të ketë 2 oficerë sigurie.
Sa i përket mësimit me dy turne, zv/ministrja Osmani u shpreh se kjo ndodh edhe për shkak se disa shkolla janë në rikonstruksion.
“Kemi ulje me 69% të shkollave me dy turne. Nëse ka të tilla, ka shkolla që janë në rikonstruksion. Në dhjetor shpresoj të inaugurojmë ‘Pjetër Budin’, ‘Edit Durham’”, theksoi zv/ministrja.
Me nisjen e sezonit të ri shkollor ditën e sotme, në të gjithë Shqipërinë janë ulur në banka 345 mijë nxënës.
Komente
