Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë ka uruar kryeministrin Edi Rama dhe ministrat e rinj për marrjen e detyrës, të cilët u betuan të premten në Presidencë. Në një reagim në rrjete sociale, delegacioni i BE shpreh bindjen se me përpjekje dhe duke zbatuar reformat e nevojshme, Shqipëria mund të arrijë objektivin për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit në Union deri në fund të 2027-ës.
BE përcjell edhe një mesazh për opozitën, teksa thotë se janë të gatshëm të punojnë më të gjithë aktorët politikë për të mundësuar këtë objektiv në të mirë të qytetarëve shqiptarë.
“Urime Kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë ministrave për marrjen e detyrës. Me një përpjekje të qëndrueshme për të miratuar dhe zbatuar reformat e nevojshme përmes proceseve transparente dhe gjithëpërfshirëse, Shqipëria mund të arrijë objektivin ambicioz për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2027. Në pritje për të punuar me të gjithë aktorët shqiptarë për të arritur këtë moment historik, në të mirë të qytetarëve shqiptarë.”, thuhet në reagim.
Një mesazh i tillë vjen pasi opozita shkaktoi kaos në Kuvend në seancën e mbajtur javën e kaluar, duke i ndërprerë fjalën kryeministrit Rama që po prezantonte programin qeverisës, dhe duke bërë që votëbesimi i kabinetit të ri të kalonte me 82 vota pro brenda 25 minutave seancë. Një ditë më pas, qeveria “Rama 4” u zyrtarizua me betimin para Presidentit të Republikës Bajram Begaj.
Opozita e ka cilësuar si antikushtetuese votëbesimin pa debat, dhe ka kërkuar përsëritje të seancës. Ndërkohë, ka kërkuar edhe një mocion për shkarkimin e kryetarit të ri të Kuvendit, Niko Peleshi, për të cilin thotë se ka shkellur rregullat në kaq pak kohë që ka drejtuar këtë institucion.
Reagimi i delegacionit të BE në Tiranë
Komente
