Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj njoftoi se punonjësit në të gjitha zyrat e aplikimit janë në punë edhe ditën e shtunë, për t’u mundësuar qytetarëve aplikimin në kohë për dokumentet ID kartë dhe pasaportë.
"Duke përfituar nga rasti, edhe pse është ditë e shtunë, shërbimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, zyrat e gjendjes civile në bashki, njësi administrative, gjithkund ku ka zyra aplikimi për pasaporta dhe ID kartë e kanë një ditë normale pune. Duke i ftuar të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilëve iu ka skaduar apo iu skadon në ditën në vijim pasaportat dhe ID kartat, të vijnë e të aplikojnë për dokumentet biometrike", Doracaj
Doracaj u bëri thirrje qytetarëve që iu kanë skaduar dokumentet të aplikojnë për marrjen e shërbimit në kohë, pasi numri vazhdon të jetë i lartë, i atyre që nuk kanë aplikuar. Ai tha se Aplikimi bëhet online dhe se qytetarët duhet të paraqiten vetëm pak minuta para zyrave të gjendjes civile për të përfunduar aplikimin.
"Është një numër ende, edhe pse ka patur një përgjigje pozitive deri më tani nga shtetasit shqiptarë, ka një numër relativisht të lartë, i cili duhet të marrë zgjidhje dhe qytetarët duhet t’i drejtohen zyrave të aplikimit për t’u pajisur me to. Edhe njëherë ju lutem brenda afatit, të mos t’i lëmë për ditën e fundit. Çdo shërbim është i lidhur me dokumentin biometrik, çdo udhëtim është i lidhur me pasaportën biometrike. Të vijnë pranë zyrave të gjendjes civile, duhen vetëm pak minuta procedurë aplikim dhe brenda pak ditësh jeni të pajisur me dokumentat e nevojshëm", tha Doracaj