BRAZIL - Athletico Paranaense njoftoi këtë fundjavë nënshkrimin me mesfushorin Arturo Vidal deri në fundin e vitit, me të drejtë edhe për një sezon. 36-vjeçari nga Kili ndërpreu kontratën me Flamengon dhe arrin tek skuadra e re me parametra zero.
Vidal luante për Flamengon që nga vera e vitit 2022. Ai iu bashkua klubit nga Interi, si lojtar i lirë. Në total, Vidal luajti 51 ndeshje në të gjitha garat për Flamengon, duke shënuar dy gola dhe duke dhënë tre asistime. Ai ka luajtur më parë për klube si Colo-Colo, Bayer Leverkusen, Juventus, Bayern Munich dhe Barcelona.
Ai ka fituar pesë herë Serinë A italiane, tri herë Bundesligën gjermane, tri herë ligën e Kilit dhe një herë La Ligën spanjolle. Vidal luan për kombëtaren e Kilit që nga viti 2007. Ai ka luajtur gjithsej 140 ndeshje në të gjitha garat për kombëtaren, duke shënuar 33 gola dhe duke dhënë nëntë asistime. Ai ka marrë edhe 38 kartonë të verdhë dhe tre të kuq.