Akademia e Futbollit Elbasani do jetë pjesë e Kategorisë së Parë sezonin e ri. Me trajnerin Nevil Dede në pankinë, klubi kërkon që pas më shumë se 9 vitesh të rikthehet në elitën e futbollit shqiptar. Në Elbasan kanë krijuar një grup të mirë, me futbollistë që kanë përvojë të gjatë në Superligë.
Dy emrat e fundit të afruar në ekip janë Bruno Telushi dhe Ardit Hoxhaj. Tanimë vetë verdheblutë kanë zyrtarizuar gjithçka në kanalet e komunikimit. "Një kampion, për "ushtrinë" tonë...", shkruan AF Elbasani në prezantimin e Telushit.
Vlonjati u largua nga Partizani disa javë më parë, duke lënë klubin kampion edhe pse me shiritin e kapitenit në krah, kjo pas një zënke me trajnerin e ri Zekic. Nga ana tjetër sulmuesi Hoxhaj u largua nga Vllaznia dhe duket se e ka bindur oferta ekonomike në Elbasan.
Të dy vlonjatët tanimë do jenë pjesë e rivalëve të Flamurtarit, duke mos dashur të vijojnë karrierën në vendlindje. Si AF Elbasani dhe Flamurtari luajnë në Kategorinë e Parë.