Pas shumë kampionateve më emër sot ka qenë radha e Champions League, kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik në Europë, për të mësuar datën e rikthimit. Në Nyon të Zvicrës UEFA që mbajti një mbledhje të Komitetit Ekzekutiv vendosi që Champions League të rikthehet me 7 gusht, fillimisht me ndeshjet e mbetura të fazës së 1/8 dhe më pas me çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalen që do të luhet më 23 gusht.
Duke filluar nga data 12 gusht do të nisin ndeshjet çerekfinale, të cilat deri në fund të sezonit do të luhen me formulën e Botërorit, ‘final-eight’. Pra klubet do të ndeshen me tek ndeshje dhe jo dy siç është formula e zakonshme e Champions League. Të gjitha ndeshjet do të luhen në Lisbonë të Portugalisë, pasi në këtë qytet janë dy stadiume, Da Luz dhe Alvalade, që ndodhen pranë njëri-tjetrit.
Për ndeshjet e mbetura të fazës së 1/8, siç është Manchester City-Real Madrid, Juventus-Lyon, apo Barcelona-Napoli, klubet nuk pranuan propozimin e UEFA-s për t’i luajtur në Portugali, por do t’i luajnë në stadiumet e tyre.
Ndërkohë e njëjta formula është zgjedhur edhe për kompeticionin tjetër të UEFA-s Europa League. I gjithë kompeticioni që rinis në fazën e 1/16 e deri në fund do të zhvillohet në Gjermani, duke filluar nga data 5 gusht. Fillimisht do të luhet ndeshjet e mbetura të fazës së 1/16, ndërsa më pas fazat e tjera me radhë deri ne finale, të gjitha me tek ndeshje.
Sakaq Superkupa e Europës do të luhet në Hungari dhe konkretisht në Budapest me 24 shtator.